Shkup, 2 nëntor – Forca të shumta të policisë, duke përfshirë këtu të gjitha njësitet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai Njësiti për intervenim të shpejtë, “Alfat” dhe policë të uniformuar, kanë “zbarkuar” sot në Shkup, konkretisht në diametër 1 kilometër rreth Gjykatës Penale të Shkupit, ndërsa po zhvillohet seanca gjyqësore kundër të akuzuarve shqiptarë në rastin “Lagja e Trimave”, shkruan gazeta KOHA. Të akuzuarit në gjykatë ishin sjellë me helikopter, ndërsa dy helikopterë të tjerë kishin vëzhguar situatën nga larta gjatë gjithë kohës sa po zhvillohej gjykimi. Ndryshe, shtatë të akuzuar: Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Andi Krasniqi – Komandant Malisheva, Nasuf Beqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajraj dhe Fazli Rushitovski janë dënuar me burgim të përjetshëm, 26 të tjerë janë dënuar me 746 vjet burg, ndërkohë që janë liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin. Me 40 vite burg është dënuar Sami Ukshini – Komandant Sokoli. (koha.mk)