Shkup, 27 dhjetor – Skuadra e FC Shkupi, pas prezantimit të sponsorit të ri, i cili do të jetë Shefqet Demiri dhe kompania “Group Impex”, gjatë ditës së djeshme ka bërë edhe një marrëveshje të re. Nga klubi i dytë me më trofe pas Vardarit, bëjnë të ditur se kanë arritur marrëveshje me brendin e njohur të veshjeve sportive, firmën italiane “Kappa”.
“Kemi arritur marrëveshje me brendin e njohur ‘Kappa’, brend i cili është nga Italia. Me veshjet e rreja futbollistët do të pajisen nga dita kur do të arrijnë në Antalia të Turqisë”, thotë zëdhënësi i FC Shkupi, Hajrush Mani. Mani, gjithashtu zbuloi një lajm të mirë për tifozët, të cilët nga viti i ardhshëm do të kenë edhe “Fan Shop”.
“Njoftojnë të gjithë dashamirët e skuadrës, se nga muaji shkurt i vitit 2018, do të hapet edhe ‘Fan Shop’-i i klubit, ku të gjithë do të kenë mundësi që të blejnë fanellë, shalla, kapela dhe gjithçka tjetër me logon dhe brendin e ri të skuadrës së tyre të zemrës”, përfundoi Mani. Kujtojmë, të martën Shefqet Demiri u emërua si sponsor dhe pronar i ri i FC Shkupi, ndërsa i njëjti paralajmëroi se do të bëj çmos që ta rikthejë klubin aty ku ka e ka vendin. Derisa, i njëjti konfirmoi se më 20 janar ekipi do të realizojë përgatitjet dimërore në Antalia të Turqisë.