Fatkeqësia e një intelektuali është kur në vdekjen e tij nuk mund të gjesh një forcë minimale për ngushëllime dhe respekti, pasi ai vetë e ka mbyllur me vetëdije këtë portë të zemrës, ndonëse ka pasur mundësi të ishte ndryshe, sepse fillet e Kapllan Resulit kanë qenë ndryshe nga kapitujt e fundit të jetës dhe veprës së tij antishqiptare
Nga Daut DAUTI
Paska(n) ndërruar jetë Kapllan Resuli, Kapllan Kallushi, Kapllan Resulbegoviq, Kapllan Bureviq…në moshën 88 vjeçare(1934-2022)!
Vetëm kjo fjali ironike flet shumëçka…
Një autor i rreth 100 veprave, sipas pohimeve të tij, një skriboman i pashembullt dhe vetëlavdues me tituj shkencorë akademikë, një konvertues identitetesh etnike, fetare (do të varroskësha më 19 gusht në Ulqin me nderime kishtare ortodokse, ndonëse mysliman për nga emri, edhe një trill i tij pas vdekjes për të hutuar gjithkë!), e besnik ideologjik i komunizmit gjer në vdekje, ndonëse disident dhe viktimë e kësaj ideologjie…
Mbiemrat e mësipërm të radhitur, flasin për një figurë kontraverze dhe fatkeqe në katandinë e tij!Mjaftojnë këta katër, ndoshta ka dhe të tjerë! Identitetin e tij të vërtetë askush nuk mund t’ia zbulojë…! Ndoshta vetëm Frojdi…
Autor i njërit nga romanet e rëndësishëm të letërsisë shqipe të viteve 60-të, “Tradhtia”, që shënon aktin e lavdishëm të paraqitjes së tij në letrat shqipe dhe shkrimtar shqiptar nga ish-Jugosllavia, ose të paktën ashtu e kemi njohur, ashtu siç ka dashur edhe autori ta njohim. Me origjinë nga Mali i Zi, një kohë punoi si mësues në Maqedoni, ku qe dënuar si nacionalist shqiptar! Pas burgut, ik në Shqipëri, po ku ngatërrohet me shkrimtarët shqiptarë, duke i kritikuar për devijime ideologjike..Por, për çudi, edhe atje bie në burg dhe është nga disidentët më jetëgjatë të regjimit. Me rënien e komunizmit, del nga burgu dhe bëhet prapë disident i demokracisë, pa ia vënë zullumin askush, sepse strehohet “si azilant” në Zvicër. Prej andej, nis një fushatë antishqiptare të gjatë tridekadëshe të vetë-mohimit, herë si malazez, e herë si serb. Me një trajektore identitare të çuditshme, që kishte nisur si intelektual e shkrimtar madje nacionalist shqiptar(për këtë i dënuar), dhe të përfundojë si nacionalist e shovinist serb i llojit më të keq, duke mohuar gjithçka shqiptare.
Kur vdes një njeri, e sidomos një shkrimtar, natyrisht, gjëja e parë është të shprehësh keqardhje dhe respekt për jetën dhe veprën e tij. Do të ishte e udhës që këtë ta bënim edhe për Kapllan Resulin, autorin e romanit të njohur “Tradhtia”. Por, as zemra, as dora s’na e do që ta bëjmë këtë. Jo se ne nuk do të donim, por pse ai kaherë i ka mbyllur vetë të gjitha “portat” e dashjes tonë ndaj tij. Vetëm për shkak të romanit në fjalë do të gëzonte respektin, sepse ai roman është pjesë e historisë së letërsisë shqipe. Po si ta trajtosh autor të rëndësishëm shqiptar, njeriun me shumë identitete, që ka nisur si shkrimtar shqiptar, ka vazhduar si shkrimtar malazez e përfundon si një shkrimtar ortodoks serb, ndër më shovinistët më antishqiptarë që njohim! Në gjithë këtë ecejake, kapitujt e tij të jetës dhe angazhimit intelektual, në fund përfundon si një misionar i së keqes, një kalorës apokalipsi intelektual, një shumëdyzimfrojdian personaliteti, i cili u shoqërua me të gjitha qarqet atishqiptare, u vu në kauzën e mohimit të shqiptarizmës dhe në fund, kuptohet, edhe të vetvetes, ose më saktë, të gjithçkaje që kishte krijuar më parë si autor shqiptar.
Unë personalisht kam pasur rast ta njoh për së afërmi në rrethana të kohës, fill pas rënies së komunizmit, i cili fitoi lirinë pas daljes shumëvjeçare nga burgu. Atëherë gëzonte reputacionin e një disidenti në Shqipërinë komuniste. Kishte ikur prej represionit nga ish-Jugosllavia për në Shqipëri, por shpesh bie nën pamëshirën e regjimit të atjeshëm. Pikërisht për fatin e tij e kishim pyetur me gazetarin Nijazi Muhamedi, në verën e vitit 1990, Dritëro Agollin, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sepse konsideronim se është në interes të Shqipërisë ta lirojë nga burgu një intelektual që kalbet në burg për çështje ideologjike. Ne gëzonim respekt të madh ndaj tij…Por pastaj, kur pata rast ta takoj pas disa vitesh në Shkup, vërejta sikur të isha një psikoanalitik i vërtetë, se kishte diçka të errët në vetëdijen e tij, kishte diçka djallëzore, i cili mohonte Skënderbeun, mohonte Kadarenë, lëvdonte veten… dhe besonte se ka një vend në botë, që është ideal i ëndrrave të tij, Kuba!…Vetëm ndonjë kohë më vonë, do të nisë fushata e mohimit të çdo gjëje shqiptare, nga ky shqiptar i Malit të Zi…
Duket se kishim gabuar të gjithë! Na e kishte hedhur gjatë gjithë këtyre viteve, sepse ai gjithnjë e më me shumë bindje fliste në mënyrën që linte pikëpyetjet se si qe e mundur kjo trajektore e çuditshme, që rrallë haset!
Prandaj, kur sot u dha lajmi për vdekjen e tij, vërtet nuk na shkon dora të shkruajmë një fjalë ngushëlluese dhe respekti për jetën dhe veprën e tij. Jo, jeta dhe vepra e tij, me gjasë kishin qenë një mashtrim i madh, një kamuflazhe, të cilën e zbuluam vonë. Nëse duhet të paktën një fjalë miradie, atëherë le të jetë kjo t’i themi pas vdekjes: faleminderit që zbulove veten dhe na kurseve nga ndonjë panegjirikë koti!
Për shoqërimin me qarqet antishqiptare, dëshmojnë edhe disa paraqitje që ka pasur edhe në Maqedoni, që nga vitet 90-të, e gjer para dy-tri vitesh. Për prezencën në shtypin serb, as të mos flasim. Pikërisht këto më patën nxitur për të bërë një portret në librin tim “TEMA TË RËNDA”(2020), të cili kësaj radhe e sjell në tërësi, për të përkujtuar edhe një herë kush ishte Kapllan Resuli, një shembull i pashembullt i katandisjes intelektuale e identitare. Shkrimi ishte botuar më parë në disa vazhdime në gazetën “Koha”, në vitin 2019, edhe atëherë, me shkas, sepse për të shkruar për Kapllan Resulin, shkase kishte shpesh.Më poshtë është versioni integral i botuar në libër i këtij shkrimi, me disa saktësime të vogla.
- NJOHJA ME KAPLLANIN E KUNDËRTHËNIEVE TË MËDHA
Në vitin 1990, kah fundi i gushtit, me kolegun e TV Shkupit të atëhershëm, NijaziMuhamedin, kishim nderin të pinim kafe me poetin Dritëro Agollin në brigjet e Vardarit, në Shkup. Ishte një ndejë fill pasi kishin përfunduar Mbrëmjet Strugane të Poezisë dhe shumë shkrimtarë kishin ardhur në kryeqytet, ku vazhdonte një manifestim tjetër kulturor, Takimi i Përkthyesve nëse nuk gaboj, që fillonte në Shkup, vazhdonte në Tetovë dhe përfundonte me darkën solemne në Kodrën e Diellit të Malit Sharr. Në Shqipëri ende nuk kishte ndonjë lëvizje konkrete për ndryshime, megjithëse hetohej se edhe atje mund të ndodhte diçka, pas gjithë atyre proceseve në bllokun socialist dhe me Nijaziun, pa një pa dy, e pyesim kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, çka do të bëhet me Kapllan Resulin, i cili më shumë se dy dekada ishte i burgosur. Gjersa ai gjendej ende në burg në Shqipëri, në Jugosllavi tashmë ishte liruar disidenti më i madh intelektual, Adem Demaçi. Këtë disi deshëm si “për okolla” t’ia bëjmë me dije Dritëro Agollit, se ka në Shqipëri një shkrimtar që vuan për shkak të ideve të tij, e që nuk i bën nder Shqipërisë. T’ia thoje këtë një kryetari shkrimtarësh nga vendi ende nën diktaturë, atë kohë mund të mos ishte gjithaq me takt, por ne ia hapëm këtë çështje. Përgjigja e poetit të ndjerë ishte e papërcaktuar, jo konkrete, disi në stilin “po, do të shohim”, edhe pse në fillim la përshtypjen sikur nuk ishte i njoftuar me “rastin”. Natyrisht, ne e kuptonim sikletin e një shkrimtari që vjen nga diktatura, dhe mund ta paramendonim se ai edhe po të dinte edhe po të mos dinte gjë, e kishte vështirë të flasë për një persekutim shkrimtari që nuk i bënte nder shtetit të tij.
Për Kapllan Resulin, më parë ishte interesuar edhe Amnisti International dhe kjo herezi e Nijazi Muhamedit dhe imja s’e kishte domethënien e të zënit ngushtë të kryetarit të shkrimtarëve shqiptarë. Çështja duhej hapur dhe ne vetëm pyetëm. Nuk vonoi shumë, po ne të dy si dhe Mateja Matevski dhe kryetari i shkrimtarëve të Maqedonisë, Todor Çallovski, me ftesë të DritëroAgollit, në vjeshtën e atij viti, do ta realizojmë ëndrrën, që ta shohim Shqipërinë komuniste, duke marrë pjesë në manifestimin kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së NaimFrashërit. Në atë tetor të bujshëm nisi përshpejtimi i rënies së komunizmit: Ismail Kadare shpalli disidencën në Francë, kurse dy muaj më vonë, ndodhi Lëvizja e Dhjetorit ’90, rënia e regjimit komunist dhe me këtë, do të lirohen të gjithë të burgosurit politikë, mes tyre, edhe Kapllan Resuli, shkrimtari i persekutuar dy herë, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, për ne i rëndësishëm si autor i romanit “Tradhëtia”. Drejtësia vonon, por nuk harron… Bëhet fjalë për një krijues, të cilit burgu, përveçse i kishte marrë vitet më të çmuara të jetës, ia kishte ndalur edhe hovin e krijimtarisë.
Rastësia deshi që isha ndër gazetarët e parë që kanë pasur fatin të vizitojnë Shqipërinë komuniste, e pasi bie regjimi, edhe më shpesh të jem raportues special për të ndjekur ngjarjet e shumta të atij fillimi të tranzicionit, por për çudi nuk gjeta kohë ta kërkoja për ndonjë intervistë Kapllan Resulin, atëherë i liruar nga burgu, por këtë e bëri kolegu nga “Flaka”, Mahi Nesimi. Unë Kapllan Resulin do ta takoj dy vite pas burgut të tij, dhe jo në Tiranë, por në Shkup. Këtë moment më së miri e kam përshkruar në një reagim të mëvonshëm në gazetën “Vest”(2003), e cila kishte botuar një intervistë me të (nga gazetari VitomirDolinski) ku ai s’kishte lënë gjë shqiptare pa mohuar:
“Një pasdite të nxehtë, para pothuajse dhjetë vjetësh, në redaksinë e “Flakës” vërejta në fund të korridorit një burrë mesatar. Nuk i kushtova kujdes se kush mund të ishte, sepse, mendova, edhe një vizitor, i njohur ose i panjohur, që vjen në një shtëpi gazetareske. Atë pasdite kishim mbetur pak njerëz në redaksi, s’ishte as kryeredaktori, prandaj i panjohuri trokiti në derën e zëvendësit. Isha unë. Me një rutinë e ngapak edhe me ton nëpunësi i thashë të urdhërojë, duke dashur t’i them se palët zakonisht vinë paradite. Por njeriu, i cili mund të kishte ndonjë parandjenjë për joxhentilesën time për shkak të prishjes së ritmit të punës në desk, m’u drejtua me pyetjen:
“Nuk më njihni?”.
Gazetari gjatë punës së tij takon shumë fytyra, por dhe i harron nëse nuk ka kontakte më të shpeshta. Mendova se mund të jetë ndonjëri nga ata që do ta kem harruar dhe iu përgjigja sinqerisht: “Nuk më kujtohet të jemi takuar diku…”
“Jam Kapllan Resuli”, më tha.
Sakaq, ndërroi qëndrimi im i ftohtë prej nëpunësi. Para meje qëndronte njeriu që meritonte respekt të rrallë, i cili vetëm dy vjet më parë ishte liruar nga burgu. Shkrimtar i cili e ka shkruar romanin e parë(pasaktësi imja që më është përvjedhë në vazhdimet në gazetën “Koha”, sepse romani i tij është ndër të parët në gjuhën shqipe nga një autor i ish-Jugosllavisë, e jo “romani i parë”) në letërsisë shqiptare që krijohej në Jugosllavinë socialiste. Njëri nga ata intelektualë, ngjashëm si Adem Demaçi, i cili kalbej nëpër burgje për shkak të kauzës kombëtare…Nga më parë dija për fatin tragjik të tij. Ishte dënuar pothuajse dy vjet në Jugosllavi (dënimin e vuajti në Idrizovë) dhe pasi doli nga burgu, iku në Shqipëri ku e pësoi edhe më keq: e dënuan në pothuajse tri vjet burg. Për një fat të këtillë njerëzor, patjetër të solidarizohesh. Pikërisht para ardhjes së tij në Shkup, kolegu i redaksisë, Mahi Nesimi, botoi një intervistë të gjatë ku martirizmi i Kapllan Resuit në zandanet e Enver Hoxhës ishte përshkruar në detaje. Në momentet kur para meje qëndronte pikërisht Ai, as që mund të paramendoja sa kundërthënie janë pleksur në personalitetin e tij”.
Atë pasdite me shkrimtarin e njohur ndenjëm në Çarshinë e Vjetër, hëngrëm drekë te “Sulltani” dhe e dërgova në një adresë që ai kërkonte përtej Bit Pazarit. Të nesërmen do të shkonte për Mal të Zi. Pas ndoshta dhjetë ditësh, Kapllan Resuli një të mërkure ia behu përsëri në redaksinë tonë.
“Jam në duart tuaja deri të premten kur e kam fluturimin për Zvicër”.
Na mbeti “në derë”, duke na ofruar mundësinë t’i bëjmë respektet që i meritonte. Kryeredaktori AbdylhadiZulfiqari, i cili kishte qenë nxënës i tij, shtroi për të një drekë te restoranti i afërt “Progres”, kurse darkën dhe bujtjen atë natë e kishte te unë. (Nga kjo darkë ka mbetur një anekdotë kur Kapllani po fliste për daljen nga burgu: “Unë dola prej këtu nga burgu dhe ika te nëna Shqipëri, ku edhe atje më futën në burg” dhe babai im tek e dëgjonte me vëmendje e s’e kishtekuptuar mirë, e pyeti: “Nënën prej Shqipërie e ke?”!).
Të nesërmen e mori mysafir kolegu Ilir Ajdini, i cili pasdarke, ku isha edhe unë prezent, bëri një intervistë të gjatë(disa kaseta manjetofoni) me rrëfimet e burgut dhe e ëma përlotej tek i dëgjonte rrëfimet rrëqethëse për vuajtjet në burgun e Burelit. Askund nuk e tha asnjë fjalë që ai nuk është shqiptar. (Këtë intervistë të gjatë Iliri nuk e botoi asnjëherë, për shkak se ndërkohë korrespodenti i “Flakës” nga Ulqini, Nail Draga, na kishte dërguar intervistën ku Kapllan Resuli mohonte kombësinë e tij! Çështja e përcaktimit të tij është çështje personale, por aty diku fillonte beteja kapllaniane e mohimit jo vetëm të vetvetes, por dhe të gjithçkaje që është shqiptare, duke u bërë vegël e qendrave propaganduese antishqiptare).
Më duhet thënë se para se të na arrinte materiali nga korrespodenti i Ulqinit, ne që patëm rast të takohemi ato ditë, i kishim vërejtur nishanet e para të devijimit! Nga goja e tij gjithnjë e më shumë villej këlbazë kontraverzash, me të cilat shkrihej legjenda për të dhe krijohej karikatura, e ngjashme me ato personazhe që në film i luante aktori dekadent holivudian, DenisHoper, të cilit në ato vite i ngjante mjaft edhe fizikisht! Në atë reagimin në gazetën “Vest”, dhjetë vjet më vonë, i kisha vënë në dukje pikërisht gjërat indikative që më kishin bërë përshtypje dhe ma kishin shtuar dyshimin për personalitetin e tij. Ja disa më poshtë. Kapllan Resuli nuk erdhi në Shkup nga Tirana, por nga Zvicra, duke rrahur gjoks se është bërë disident! Keni parasysh, ai ka “ikur” (nuk e kisha të njohur se e ka përndjekur dikush) nga pushteti i ri demokratik (të Sali Berishës atë kohë) i cili e kishte përmbysur regjimin, i cili Kapllan Resulin me dekada e kishte futur të kalbej në burgje(pra, regjimi i Enver Hoxhës). Për çudi, kishte ikur nga ata të cilët e liruan dhe rehabilituan! Një gjë e këtillë gjithkujt do t’i dukej indikative. Me dallim nga disidenti tjetër i asaj kohe, Ismail Kadare, për të cilin Kapllan Resuli shprehte urrejtje patologjike, në Paris iku gjersa në pushtet ende ishte Partia e Punës.
“Disidenca” e Resulit pas daljes nga burgu, më dukej tepër simptomatike, sepse ato dy vite të para të demokracisë, askush nuk ishte përpjekur t’i bënte keq shkrimtarit nga pozita pushtetare, sidomos jo një shkrimtari pa ia zbuluar ende kundërthëniet që do t’i shfaqte me vonë. (Me thënë të drejtën, nga shkrimtarë të Shqipërisë, që atëherëmund të dëgjoje se Kapllan Resuli nuk është aq engjëll, sepse një kohë ai ishte futur paksa thellë në kritikën ideologjike(“klasore”) ndaj disa shkrimtarëve që kishin “devijuar” nga rruga e Partisë, por këtë gjë ia leja kontekstit kohor! Më saktë, për shkak të kritikave të tij, e kishin gjetur belanë disa sish, para se edhe atij vetë të mos ia bënin për të njëjtat arsye!).
Fakt tjetër interesant që më tërhoqi vëmendjen ishte një lloj krenarie e Kapllan Resulit që ai e shprehte haptas, se nga Zvicra kishte ardhur me pasaportë jugosllave(atëherë ishte bashkësia shtetërore Serbi-Mal i Zi, gjegjësisht Republika Federale Jugosllave). Kur e pyesnim si është e mundur, pasi në Zvicër ka shkuar me pasaportë shqiptare, ai me krenari naive që as mundohej ta fshehë, përgjigjej: Shkova në ambasadën jugosllave. U tregova se kush jam dhe ata menjëherë më dhanë pasaportë duke më thënë: “Идибратемиликудхоќеш, неможетеникодирати”!(“Shko byrazer ku të duash, askush s’të ngucë”!). Krimbi i dyshimit nuk më lente: me çka ky njeri e kishte bërë borxhli pushtetin jugosllav që t’i japin pasaportë me një fjalë goje? Si është e mundur aso zemërgjerësie e regjimit (të Sllobodan Millosheviqit) ndaj Kapllan Resulit, ndërkohë që intelektualëve të tjerë si ai, nga Kosova, ua merrte pasaportën që të mos mund të udhëtojnë jashtë Kosove as nëpër konferenca shkencore ose manifestime kulturore (si Rexhep Qosjes, Rexhep Ismailit, Ali Podrimjes….), duke mos i përfillur as akuzat e institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut! Nuk isha i prirë të besoj se është fjalë për ndonjë qëndrim rastësor të autoriteteve jugosllave ndaj Kapllanit.
Edhe disa gjëra tjera e zbehnin figurën shembullore të tij. Disa ishin të natyrës intelektuale, e disa hynin në fushën e psikopatologjisë, sepse gjithçka që fliste kishte një dozë mbrapshtësie. Ishte shumë simptomatike sa vrer dhe mohim kishte ndaj gjithçkaje të së kaluarës dhe të tashmes shqiptare. Më bëri përshtypje përpjekja për ta zbehë figurën e Skënderbeut, ndoshta atë kohë ishte i vetmi që e bënte këtë. Fakti që ia kontestonte vlerat Ismail Kadaresë(thoshte: Romani im “Tradhtia” është më i mirë se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, duke harruar se ai kishte mbetur vetëm me atë roman, ndërkaq Kadareja kishte shkruar dhjetëra të tjerë, madje dhe më të mirë se “Gjenerali…”) mendoja se mund të jetë rezultat i smirëzisë intelektuale dhe s’i kushtoja ndonjë rëndësi. Mendova gjer në kufijtë e absurdit, se Kapllani e urren Kadarenë për shkak se ai(Kapllani), ndonëse ka qenë i zellshëm në luftën ideologjike, Enver Hoxha e kishte futur atë në burg atë, e jo Ismail Kadarenë, të cilin e kishte mbrojtur si shkrimtar oborri! (Urrejtja patologjike ndaj “konkurrentit” shihet edhe në intervistën në “Vest”). Por, ky “pozicionim” i dikurshëm, nuk duhej të kishte qenë pengesë që shkrimtari “i talentuar”, Kapllan Resuli, të shkruante vepra letrare më të mira se Kadareja, por në atë plan, ai mbeti në nivelin e para pesë dekadave,me një roman (“Tradhtia”) dhe ca poezi që i kishte shkelur koha, që na i la për botim kur ishte në “Flakë”. Shumë të burgosur politikë(si psh.Visar Zhiti e të tjerë), me të dalë nga burgu shpërthyen si vullkan, por Kapllan Resuli u hodh nga letërsia në fushën e “shkencës”(albanologjisë dhe historisë), duke i dhënë vetes tituj shkencorë të cilat askund në mënyrë të rregullt nuk i kishte fituar!
- KAPLLAN(KALLUSHI, RESULI, RESULBEGOVIQ, BUROVIQ)
Dhe Kapllan Resuli përsëri, qe kthyer kthehet ndër ne, në Maqedoni, në vitin 2019. Atëherë kisha postuar në Facebook një vlerësim të shkurtër kushtuar emisionit të Vasko Evtovit, “Në qendër” (“Vocentar”) në TV Alfa, me intervistën e shkrimtarit kontravers, Kapllan Resuli. Ndër komentet e shumta të miqve të facebokut, kishte dhe të tillë që më sugjeronin me dashamirësi “përse merresh me të (ta)?!”, duke vënë, njësoj si edhe unë, epitetin e sharlatanizmit për të dy këto “figura”, njëri mediatik, e tjetri (me pretendime) “shkencëtar”. Duke pasur parasysh se emisioni emetohet në një televizion me shtrirje të mjaftueshme, e duke më prekur pak edhe në “nervin” e një gazetari të pasivizuar, por që gazetarinë nuk e harron asnjëherë, të paktën si vokacion, veprova në të kundërtën e këshillave. Jo për shkak të Evtovit, por për shkak të publikut të gjerë, i cili “ka të drejtë të dijë të vërtetën”(moto e emisionit të Evtovit) për një mjeran intelektual, i cili në opinionin e gjerë ballkanik shitet me epitetet më të larta shkencore në një funksion shumë konkret, atë të mohimit të historisë, kulturës, gjuhës, traditës…shqiptare. E shkrova në gjuhën që e kupton shumica e qytetarëve të Maqedonisë.
Kapllan Resuli dhe Vasko Evtov, kishin gjetur njëri tjetrin si vorba kapakun! Nuk dua të merrem shumë me këtë të dytin, sepse nuk dëshiroj t’i jap shumë rëndësi një propaganduesi për të cilin një koleg i tij maqedonas ka shkruar se financohet nga një kompani serbe. Nuk mund t’i hyj ndër hak, nuk mund ta them këtë, sepse nuk kam dëshmi për këtë. Por, nuk do t’më çudiste. Mercenarizmi gazetaresk nuk është i panjohur dhe “dallëndyshja” që ka shtegtuar më shumë se çdo kush tjetër nga një televizion në tjetër, është pikërisht ai, gjithnjë i ballafaquar me sfidën e sigurimit të mjeteve dhe nuk do të ishte çudi që të financohet nga ndonjë qendër biznesi për të plasuar qëndrime që në kontinuitet i bien një teli, atij të relativizmit të elementit shqiptar në Maqedoni(sipas tij nuk ka më shumë se 17 për qind shqiptarë!), mohimit të të vërtetave historike dhe paraqitjen e shqiptarëve në një dritë të errët, që pat kulminuar me një emision ku aktin e flijimit të Adem Jasharit, familjarëve dhe farefiseve, e kishte quajtur terrorizëm, për çka qe detyruar të ballafaqohet me dëbimin nga televizioni Alsat-M, ku emetonte një kohë emisionin e tij, “Në qendër”!
Emisioni i tij kësaj radhe zbuloi nivelin e paturpshëm të manipulimit, duke i vënë të gjitha në një qëllim, të dekompozimit të të vërtetave historike. Para publikut të gjerë, që të jetë më bindës dhe më i besueshëm, bashkëbiseduesi i tij, me identitetin e fundit, Kapllan Buroviq, atë që ne e njohim si Kapllan Resuli, autor i romanit “Tradhtia”, duhej ta prezantonte në dritë sa më të mirë. Më saktë, që atë që do ta villte Kapllan Resuli nga goja e tij të dukej se e flet një njeri me kompetencë, prezantimi i tij u bë me referencat më të forta: “shkrimtari i shekullit” i letërsisë shqiptare, “albanologu më i madh në botë”, “Akademik Kapllan Buroviq”, kuptohet, krahas vuajtjeve të tij dhe disidencës, krahas kërcënimeve që i përjetoka ai për shkak të “të vërtetave” që i thoshka…
Që kushdoqoftë të mund t’i besoje një figure kontroverse si Kapllan Resuli, duhet të nisë nga fillimi i emisionit të Evtovit, ku ai sqaron se si është bërë akademik. Sipas këtyre dy “vorba-kapakëve”, Kapllan Bureviqin e paska shpallur akademik “njëra nga akademitë shqiptare” të shkencave dhe arteve? Do të pyesni, o e Shqipërisë, o e Kosovës, sepse ato janë dy akademitë shqiptare. Por, jo, Kapllan Bureviqi dhe Evtovi na zbuluan se paska një akademi shqiptare të tretë, atë që askush nuk e di që ekziston, në Stamboll. Bile, na qenka edhe “nënkryetar” i kësaj “akademie” dhe “shef” i një sektori për studime albanologjike. Deri atëherë, nuk kisha dëgjuar të ketë një akademi shqiptare në Turqi. Ndoshta mund të ketë ndonjë organizatë që mund të ketë ndonjë vulë dhe pesë anëtarë, organizatë patriotike e ku di unë (më parë në Dërven thoshin “Kulupi i Stambollit”), por akademi, jo. Me këtë fakt, se na qenka akademik, prezantohet Kapllan Resuli, që gjithë atë që e shkruan dhe e thotë nëpër media për nevojat propaganduese të qarqeve antishqiptare, ta mbulojë me “kompetencën” e një “shkencëtari”! Meqë në fillim të viteve 90-të pata rastin ta kem dhe mysafir në shtëpi(pasi më mbeti “në derë” në Flakë), në bisedat me të pata vërejtur të thoshte “dr.shkence” dhe kur e pyeta se prej kur e ka marrë titullin, duke pasur parasysh vitet e kaluara në burgjet e Shqipërisë, përgjigja e tij ishte “po, kështu më thërrisnin të gjithë në burg” si për një njeri të lexuar, shkrimtar…Domethënë, natyrës së tij narcisoide, por dhe mbase për shkak të qëllimeve që doemos do t’i ketë pasur, i nevojitej për legjitimim para opinionit të gjerë një titull, për t’i dhënë rëndësi vetes më shumë seç meriton me një titull “doktori”.
Dhe, nëse titullin “doktor shkencash” ia ka dhënë vetes gjatë viteve të burgut, të cilat mbase mund të jenë një përvojë jetësore, por jo dhe titull i përnjëmend, nëse titullin “akademik” e ka “marrë” nga një akademi joekzistuese, që flet për një mashtrim, atëherë me të drejtë mund të shtrohet çështja e kompetencës së tij të flasë për temat për të cilat flet dhe shkruan në media “në mbi 100 librat“ që ai vërtetë mund t’i ketë shkruar “së prapthi”. Sa e çmojnë në qarqet ku i shet idetë e tij si shkencë, dëshmojnë fakti se as pas gjithë këtyre tri dekadave që ka dalë nga burgu, e që e ka ndërruar edhe kombësinë, nuk e kanë pranuar në ndonjërën nga akademitë serbe ose malazeze? A nuk është ky një vlerësim për sharlatanizmin e tij?!
Gjersa ka jetuar në ish-Jugosllavi ka punuar si mësues, domethënë nuk ka pasur titull shkencor. Në Shqipëri nuk ka pasur kohë për përparim akademik, sepse shumë shpejt e dënojnë dhe e fusin në burg. Për çfarë “lëmie” ia paskan ndarë të burgosurit titullin “doktor”, për linguistikë, mjekësi, histori?
Në reagimin ndaj intervistës së Kapllan Resulit në vitin 2003, e pata pyetur gazetarin Vitomir Dolinski: A e din ti me cilin Kapllan ke biseduar? Me Kapllan Resulin, Kapllan Kallushin, Kapllan Resulbegoviqin apo me Kapllan Bureviqin?! Në sa nivele të vetëdijes identitare do të duhet të ketë kaluar për atë jetë të shkurtër ky person? Dy identitet e para janë shqiptare, prandaj dhe ka qenë i dënuar për propagandë armiqësore, sepse viteve 50-të ka ngritur zërin për politikën shkombëtarizuese të regjimit ndaj shqiptarëve. Atë kohë në moshë dhe me percepcion të mjaftueshëm vetëdijësor intelektual dhe e ka shkruar romanin në gjuhën shqipe dhe me temë shqiptare.(Një ish i përndjekur, pas konvertimit të Kapllanin në petkun e një serbi antishqiptar, do ta quajë “Tradhtari i “Tradhtisë”). A ka përjetuar ndonjë thyerje të brendshme shpirtërore nga vuajtjet e burgut sa të qenit shqiptar i është dukur një tragjedi në vete, sa të kërkojë strehim në identitet tjetër, përgjigjen mund ta japë vetëm ndonjë psikoanalist i tipit të Jungut ose Frojdit, sepse ka pasur shumëçka frojdiane në veprimet e tij. Në këtë kontekst, ndoshta pikërisht kthimi i tij në vendlindje, Ulqin, ka qenë kthesa vendimtare për ta urryer vetveten dhe Nail Draga, korrespodenti i atëhershëm i “Flakës”, na e dërgoi gazetën “Pobjeda”, në të cilën kishte deklaruar se ai është me origjinë serbe dhe se pikërisht për këtë fakt kishte vuajtur burgun në Shqipëri dhe se mbiemri i tij tashmë ishte Resulbegoviq (në fakt, këtë mbiemër e ka pasur edhe kur është dënuar si nacionalist shqiptar në Maqedoni), porse në atë intervistën e Vest-it, na del me mbiemrin Bureviq, me rrënjë identitare malazeze! Iu pata drejtuar gazetarit të Vestit: “Hajt Vitomir, mirë e ke bërë punën, por si duket nuk ke ditur se kë po interviston. Ka një film amerikan, “Nën dyshim të përhershëm” (me Kevin Spejsin, Gabriel Bërnin, Stefan Bolduinin…), i cili përfundon me citatin: “Dreqi e mashtroi botën kur e bindi se dreqi nuk ekziston!”. Sepse ky citat më duket se më së miri e portreton Kapllan Resulin. Kjo thënie do t’i shkonte si porosi edhe Evtovit, por mbi të gjitha, publikut maqedonas, pjesë e të cilit i ka marrë si të mirëqena tezat e një Kapllani që as vetë nuk e di në është shqiptar, malazez apo serb, ose është njëri prej tyre varësisht se ku flet ose shkruan, dhe që rreh gjoks për kompetencë shkencore me tituj të rrejshëm akademikë! Një të tilli nuk mund t’i besosh madje edhe sikur ta fliste të vërtetën. Për të tillë ka institucione të caktuara.
Prandaj, prezantimi i Kapllan (kësaj radhe) Bureviqit në emisionin e “Në qendr” të Evtovit, si “shkrimtar shqiptar i shekullit”(nuk e dimë kush e ka shpallur si të tillë me vetëm një vepër letrare!), si akademik nga akademia inekzistente e Stambollit, “albanologu më i madh në botë”(kush e ka shpallur si të tillë kur ai as që mund të jetë një albanolog kompetent), kanë qenë në funksion të dimensionimit të tezave të tij si të sakta dhe të mirëqena, të gjitha mohuese për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Këta dy, në një orë jo të plotë, kishin arritur “ta rrëfejnë” gjithë historinë shqiptare duke përzier origjinën e tyre me lituanezë, rumunë, bullgarë e albanojë, me një lehtësi sa mund ta bëjnë vetëm njerëzit me fantazi të pakufishme të SF-literaturës!
P.S. Nga ajo intervista e famshme në gazetën Vest, pas disa vitesh, autori Vitomir Dolinski kishte bërë libër, duke shtuar edhe gjëra të reja, ndër to, Kapllan Bureviqi më kishte bërë nder duke më përmendur mua dhe reagimin tim kundër tij, duke më futur në grupin e atyre që i paskan bërë “hajkë” me instruksionet e Sigurimit(shqiptar), e ndërkohë në një vepër tjetër, më kishte “avancuar” në “spiun të dyfishtë”, çfarë as vetë nuk e kisha ditur! Ky pra është Kapllan Resuli, Resulbegoviqi, Kallushi e Bureviqi, ndaras dhe bashkë, i cili u shërbeu qarqeve antishqiptare për mohimin e gjithçkaje shqiptare. (Një version më i shkurtër i këtij teksti është botuar te libri “Tema të rënda”, 2020)