“Dreqi e mashtroi botën kur e bindi se dreqi nuk ekziston!”. Ky citat filmik më së miri e portreton Kapllan Resulin dhe është porosi edhe Eftovit, por mbi të gjitha, publikut maqedonas, pjesë e të cilit i ka marrë si të mirëqena tezat e një Kapllani, që as vetë nuk e di në është shqiptar, malazez apo serb, ose është njëri prej tyre varësisht se ku flet ose shkruan, dhe që rreh gjoks për kompetencë shkencore me tituj të rrejshëm akademikë! Një të tilli nuk mund t’i besosh madje edhe sikur ta fliste të vërtetën
Nga Daut DAUTI
Dhe Kapllan Resuli përsëri kthehet ndër ne. Para pak kohësh postova në Facebook një vlerësim të shkurtër kushtuar emisionit të Vasko Evtovit, “Në qendër”(“Vo centar”) në TV Alfa, me intervistën e shkrimtarit kontrovers, Kapllan Resuli. Ndër komentet e shumta të miqve të Facebokut, kishte dhe të tillë që më sugjeronin me dashamirësi “përse merresh me të(ta)?!”, duke vënë, njësoj si edhe unë, epitetin e sharlatanizmit për të dy këto “figura”, njëri mediatik, e tjetri (me pretendime) “shkencëtar”. Duke pasur parasysh se emisioni emetohet në një televizion me shtrirje të mjaftueshme, e duke më prekur pak edhe në “nervin” e një gazetari të pasivizuar, por që gazetarinë nuk e harron asnjëherë, të paktën si vokacion, veprova në të kundërtën e këshillave. Jo për shkak të Evtovit, por për shkak të publikut të gjerë, i cili “ka të drejtë të dijë të vërtetën”(moto e emisionit të Evtovit) për një mjeran intelektual, i cili në opinionin e gjerë ballkanik shitet me epitetet më të larta shkencore në një funksion shumë konkret, atë të mohimit të historisë, kulturës, gjuhës, traditës…shqiptare. E shkrova në gjuhën që e kupton shumica e qytetarëve.
Kapllan Resuli dhe Vasko Evtov, në një emision, kishin gjetur njëri tjetrin si vorba kapakun! Nuk dua të merrem shumë me këtë të dytin, sepse nuk dëshiroj t’i jap shumë rëndësi një propaganduesi për të cilin një koleg i tij maqedonas ka shkruar se financohet nga një kompani serbe, por unë nuk mund t’i hyj ndër hak, sepse nuk kam dëshmi për këtë. Por, nuk do t’më çudiste, sepse mercenarizmi gazetaresk nuk është i panjohur dhe “dallëndyshja” që ka shtegtuar më shumë se çdo kush tjetër nga një televizion në tjetër është pikërisht ai, gjithnjë i ballafaquar me sfidën e sigurimit të mjeteve dhe nuk do të ishte çudi që të financohet nga ndonjë qendër biznesi për të plasuar qëndrime që në kontinuitet i bien një teli, atij të relativizmit të elementit shqiptar në Maqedoni(sipas tij nuk ka më shumë se 17 për qind), mohimit të të vërtetave historike dhe paraqitjen e shqiptarëve në një dritë të errët, që pat kulminuar me një emision ku aktin e flijimit të Adem Jasharit, familjarëve dhe farefisëve e kishte quajtur terrorizëm, për çka qe detyruar të ballafaqohet me dëbimin nga televizioni ku emetonte një kohë!
Emisioni i tij kësaj radhe zbuloi nivelin e paturpshëm të manipulimit, duke i vënë të gjitha në një qëllim, të dekompozimit të të vërtetave historike. Para publikut të gjerë, që të jetë më bindës dhe më i besueshëm, bashkëbiseduesi i tij, Kapllan Buroviq, atë që ne e njohim si Kapllan Resuli, autor i romanit të parë në gjuhën shqipe në letërsinë e krijuar në ish-Jugosllavi, duhej ta prezantonte në dritë sa më të mirë. Më saktë, që atë që do ta villte Kapllan Resuli nga goja e tij të dukej se e flet një njeri me kompetencë, prezantimi i tij u bë me referencat më të forta: “shkrimtari i shekullit” i letërsisë shqiptare, “albanologu më i madh në botë”, “Akademik Kapllan Buroviq”, kuptohet, krahas vuajtjeve të tij dhe disidencës, krahas kërcënimeve që i përjetoka ai për shkak të “të vërtetave” që i thoshka…
Që kushdoqoftë të mund t’i besoje një figure kontroverse si Kapllan Resuli, duhet të nisë nga fillimi i emisionit të Evtovit, ku ai sqaron se si është bërë akademik. Sipas këtyre dy “vorba-kapakut”, Kapllan Bureviqin e paska shpallur akademik “njëra nga akademitë shqiptare” të shkencave dhe arteve? Do të pyesni, o e Shqipërisë, o e Kosovës, sepse ato janë dy akademitë shqiptare. Por, jo, Kapllan Bureviqi dhe Evtovi na zbuluan se paska një akademi shqiptare të tretë, atë që askush nuk e di që ekziston, në Stamboll. Bile, na qenka edhe “nënkryetar” i kësaj “akademie” dhe “shef” i një sektori për studime albanologjike. Unë, deri tash, nuk kam dëgjuar të ketë një akademi shqiptare në Turqi. Ndoshta mund të ketë ndonjë organizatë që mund të ketë ndonjë vulë dhe pesë anëtarë, organizatë patriotike e ku di unë(më parë në Dërven thoshin “Kulupi i Stambollit”), por akademi, jo. Me këtë fakt, se na qenka akademik, prezantohet Kapllan Resuli, që gjithë atë që e shkruan dhe e thotë nëpër media për nevojat propaganduese të qarqeve antishqiptare, ta mbulojë me “kompetencën” e një “shkencëtari”! Meqë në fillim të viteve 90-të pata rastin ta kem dhe mysafir në shtëpi(pasi më mbeti “në derë” në Flakë), në bisedat me të pata vërejtur të thoshte “dr.shkence” dhe kur e pyeta se prej kur e ka marrë titullin, duke pasur parasysh vitet e kaluara në burgjet e Shqipërisë, përgjigja e tij ishte “po, kështu më thirrnin të gjithë në burg” si për një njeri të lexuar, shkrimtar…Domethënë, natyrës së tij narcisoide, por dhe mbase për shkak të qëllimeve që doemos do t’i ketë pasur, i nevojitej për legjitimim para opinionit të gjerë për t’i dhënë rëndësi vetes më shumë seç meriton me një titull “doktori”.
Dhe, nëse titullin “doktor” ia ka dhënë vetes gjatë viteve të burgut, të cilat mbase mund të jenë një përvojë jetësore, por jo dhe titull i përnjëmend, nëse titullin “akademik” e ka “marrë” nga një akademi joekzistuese, që flet për një mashtrim, atëherë me të drejtë mund të shtrohet çështja e kompetencës së tij të flasë për temat për të cilat flet dhe shkruan në media “në mbi 100 librat” që ai vërtetë mund t’i ketë shkruar “së prapthi”. Sa e çmojnë në qarqet ku i shet idetë e tij si shkencë, dëshmojnë fakti se as pas gjithë këtyre tri dekadave që ka dalë nga burgu, e që e ka ndërruar edhe kombësinë, nuk e kanë pranuar në ndonjërën nga akademitë serbe ose malazeze? A nuk është ky një vlerësim për sharlatanizmin e tij?
Gjersa ka jetuar në ish-Jugosllavi ka punuar si mësues, domethënë nuk ka pasur titull shkencor. Në Shqipëri nuk ka pasur kohë për përparim akademik, sepse shumë shpejt e dënojnë dhe e fusin në burg. Për çfarë “lëmie” ia paskan ndarë të burgosurit “doktor”, për linguistikë, mjekësi, histori?
Në reagimin ndaj intervistës së Kapllan Resulit në vitin 2003, e pata pyetur Vitomir Dolinskin: A e din ti me cilin Kapllan ke biseduar? Me Kapllan Reulin, Kapllan Kallushin, Kapllan Resulbegoviqin apo me Kapllan Bureviqin?! Në sa nivele të vetëdijes identitare do të duhet të ketë kaluar për atë jetë të shkurtër? Dy identitet e para janë shqiptare, prandaj dhe ka qenë i dënuar për propagandë armiqësore, sepse viteve 50-të ka ngritur zërin për politikën shkombëtarizuese të regjimit ndaj shqiptarëve. Atë kohë në moshë dhe me percepcion të mjaftueshëm vetëdijësor intelektual dhe e ka shkruar romanin në gjuhën shqipe dhe me temë shqiptare.(Një ish i përndjekur, pas konvertimit në serb dhe malazez, do ta quajë Tradhtari i “Tradhtisë”). A ka përjetuar ndonjë thyerje të brendshme shpirtërore nga vuajtjet e burgut sa të qenit shqiptar i është dukur një tragjedi në vete, sa të kërkojë strehim në identitet tjetër, përgjigjen mund ta japë vetëm ndonjë psikoanalist i tipit të Jungut ose Frojdit, sepse ka shumëçka frojdiane në veprimet e tij. Në këtë kontekst, ndoshta pikërisht kthimi i tij në vendlindje, Ulqin, ka qenë kthesa vendimtare për ta urrejtur vetveten dhe Nail Draga, korrespodenti i atëhershëm i “Flakës” na e dërgoi gazetën “Pobjeda”, në të cilën kishte deklaruar se ai është me origjinë serbe dhe se pikërisht për këtë fakt kishte vuajtur burgun në Shqipëri dhe se mbiemri i tij tashmë ishte Resulbegoviq(në fakt, këtë mbiemër e ka pasur edhe kur është dënuar si nacionalist shqiptar në Maqedoni), porse në atë intervistën e Vest-it, na del me mbiemrin Bureviq, me rrënjë identitare malazeze! Iu pata drejtuar gazetarit të Vestit: “Hajt Vitomir, mirë e ke bërë punën, por si duket nuk ke ditur se kë po interviston. Ka një film amerikan, “Nën dyshim të përhershëm” (me Kevin Spejsin, Stefan Bolduinin…), i cili përfundon me citatin: “Dreqi e mashtroi botën kur e bindi se dreqi nuk ekziston!”. Sepse ky citat më duket se më së miri e portreton Kapllan Resulin. Kjo thënie do t’i shkonte si porosi edhe Evtovit, por mbi të gjitha, publikut maqedonas, pjesë e të cilit i ka marrë si të mirëqena tezat e një Kapllani që as vetë nuk e di në është shqiptar, malazez apo serb, ose është njëri prej tyre varësisht se ku flet ose shkruan, dhe që rreh gjoks për kompetencë shkencore me tituj të rrejshëm akademikë! Një të tilli nuk mund t’i besosh madje edhe sikur ta fliste të vërtetën. Për të tillë ka institucione të caktuara.
Prandaj, prezantimi i Kapllan (kësaj radhe) Bureviqit në emisionin e Evtovit, si “shkrimtar shqiptar i shekullit”(nuk e dimë kush e ka shpallur si të tillë me vetëm një vepër letrare!), si akademik nga akademia inekzistente e Stambollit, “albanologu më i madh në botë”(kush e ka shpallur si të tillë kur ai as që mund të jetë një albanolog kompetent), janë në funksion të dimensionimit të tezave të tij si të sakta dhe të mirëqena, të gjitha mohuese për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Këta dy, në një orë jo të plotë, arritën “ta rrëfejnë” gjithë historinë shqiptare duke përzier origjinën e tyre me lituanezë, rumunë, bullgarë e albanojë, me një lehtësi sa mund ta bëjnë vetëm njerëzit me fantazi të pakufishme të SF-literaturës!
P.S. Nga ajo intervista e famshme në gazetën Vest, pas disa vitesh, autori Vitomir Dolinski kishte bërë libër, duke shtuar edhe gjëra të reja, ndër to, Kapllan Bureviqi më kishte bërë nder duke më përmendur mua dhe reagimin tim kundër tij, duke më futur në grupin e atyre që i paskan bërë “hajkë” me instruksionet e Sigurimit, e ndërkohë në një vepër tjetër, më kishte avancuar në spiun të dyfishtë, çfarë as vetë nuk e kisha ditur. Ky pra është Kapllan Resuli, Resulbegoviqi, Kallushi e Bureviqi, ndaras dhe bashkë, i cili u shërben qarqeve antishqiptare për mohimin e gjithçkaje shqiptare. (fund)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)