Shkup, 29 janar – Nuk ishin të nevojshme vetëm 27 vjet që të zgjidhet çështja, por edhe një vullnet i madh politik, guxim dhe vendosmëri që t’i ndihmohet edhe shtetit tonë edhe rajonit dhe të gjendet zgjidhje që është akt i vërtetë i patriotizmit dhe mbrojtjes së interesave shtetërore dhe interesave të qytetarëve, theksoi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në konferencën e sotme të përbashkët me zëvendëskryeministrin e Eurointegrimeve, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, raporton gazeta KOHA.
Duke u dërguar urime në emër të Qeverisë së Maqedonisë deputetëve në Parlamentin grek për votimin e Marrëveshjes së Prespës, Shekerinska potencoi se me vendimin e tyre kanë treguar se, siç tha, deputetët tanë nuk janë të vetmuar në vizionin për një Ballkan më ndryshe, në vizionin i cili promovon politikë në shekullin 21. Përkujtoi se edhe në Shkup edhe në Athinë ka pasur një sërë kritikash për Marrëveshjen e Prespës.
“Sot jemi shtet i cili vendosi që të mos shikojë mbrapa, por të shikojë drejt realizimit të qëllimeve të veta strategjike ndërsa ajo është t’i bashkohemi aleancës më të fuqishme politike të sigurisë në botë dhe të sigurojmë rritje ekonomike, të bazuara edhe në anëtarësimin në NATO dhe në fillimin e negociatave me BE-në”, tha midis tjerash Shekerinska. Ajo porositi se Qeveria nuk i ka harruar të gjitha obligimet të cilat i ka dhënë para qytetarëve, por nënvizoi, pa siguri dhe stabilitet nuk është e mundur rritja ekonomike.
Sipas zëvendëskryeministrit Osmani, Maqedonia po bëhet narrativ i mbështetësve të idesë evropiane kudo nëpër Evropë, i çarmaton euroskeptikët në tentimin e tyre për ta prishur konceptin evropian.
“Marrëveshja e Prespës është çudi diplomatike, e cila jo vetëm se do të na e hap perspektivën euroatlantike, do ta inkurajojë rajonin të vazhdojë me qasjen e ngjashme dhe kështu në mënyrë evropiane i zgjidh kontestet ballkanike dhe i gjithë rajoni të hyjë në ujëra stabile”, deklaroi zëvendëskryeministri Bujar Osmani. Paralajmëroi se pret që gjatë kryesimit kroat me BE-në të hapet kapitulli i parë i negociatave për anëtarësim në BE. Osmani informoi se në seancën e sotme qeveritare ka pasur mundësi të drejtohet në gjuhën shqipe në pajtim me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski theksoi se prioritet është lufta kundër korrupsionit dhe pamundësimi i çfarëdo shkeljeje të të drejtave të njeriut. Maqedonia, potencoi sot është vend iliri i cili ka qeveri transparente.
“Prej një shteti në të cilin MPB ishte shndërruar në shtab partie dhe qendër përgjimi, u bëmë shtet i cili është në proces të reformave serioze të shërbimeve të sigurisë dhe nuk ka përgjim ilegal. E kompletuam edhe kornizën ligjore për kontroll të jashtëm efikas ndaj punës së policisë së Maqedonisë, në përgatitje është zbatimi i procesit të të a.q. veting në MPB, foli ministri Spasovski, në drejtim të proceseve reformuese të cilat zbatohen. Duke paralajmëruar se vazhdon lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, Spasovski u përqendrua edhe në zgjedhjen gjegjësisht emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, për përforcimin e kapaciteteve, kompetencave dhe ingerencave të komisionit, në mesin e së cilave i përmendi edhe ligjshmërinë e financimit të partive politike, fushatat parazgjedhore, lidhshmërinë me bankat…
“Praktikisht e zhvendosëm malin”, tha në konferencën për shtyp ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, duke shtuar se kanë treguar se në rajon të gjithë e dimë se sa është i pasur në pikëpamje të historisë por edhe se mund të krijojmë të ardhme.
“Gjetëm mënyrë se si dy fqinjë evropianë të kuptohemi se e drejta e vetëpërcaktimit është e pakontestueshme dhe se identiteti ynë i Maqedonisë nuk duhet të jetë në kundërshtim, por mund të jetë komplementar me identitetin maqedonas grek që është neni shtatë në Marrëveshje. Jemi të bindur si Qeveri se me politikë të matur dhe me vullnet të mirë të zbatimit të marrëveshjes edhe kundërshtarët më të ashpër për një kohë, do të pyeten se pse duhej kaq kohë të kalonte”, theksoi Dimitrov.
Dimitrov informoi se është formuar trup koordinues midis resoreve i cili do të fillojë me përgatitjen për implementimin e obligimeve të Marrëveshjes së Prespës. Paralajmëroi midis tjerash se duhet të ngrihet niveli i përfaqësimit diplomatik në Greqi nga Zyra për lidhje në ambasadë.(koha.mk)