Përderisa banorët e Kapishtecit po përgatiten për të riorganizuar dhe tubuar nxënës nga lagje tjera që shkolla e tyre të funksionojë deri në klasën e nëntë, shqiptarët e Komunës së Çairit dhe rrethinës për shkak të mungesës së klasave në shkollat fillore, vite me radhë vuajnë se ku ti regjistrojnë fëmijët e tyre
Omer XHAFERI
Shkup, 3 nëntor – Shkolla e re fillore në lagjen Kapishtec të Shkupit, e cila përflitet se do të jetë njëra prej institucioneve arsimore më moderne në vend, sipas gjitha gjasave, procesin edukativo-arsimore pritet ta zhvillojë deri në klasën e tretë.
Vendimi që nxënësit të ndjekin mësimin deri në klasë të tretë, e më pas në objekte tjera shkollore, tashmë është miratuar nga Komuna Qendër pas konstatimit se në këtë lagje, nuk ka nxënës të mjaftueshëm për një ndërtesë prej 12 mijë metra katror dhe hapësirë për 500 nxënës.
Në kuadër të kësaj shkolle, e cila është në ndërtim e sipër dhe që pritet të lëshohet në përdorim vitin shkollor 2019/2020, pritet të funksionojë edhe një pishinë, kopsht botanik, parking dhe ngrohje moderne e dyshemesë.
Prindërit dhe banorët e lagjes së Kapishtecit, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, kanë thënë se nuk do të dorëhiqen për grumbullimin e më shumë fëmijëve.
“Tash neve na mbetet që të fillojmë një mision për grumbullimin e nënshkrime për peticion përmes të cilit do të kërkojmë që kjo shkollë të funksionojë me kapacitet të plotë. Si shembull mund të marrim numrin e madh të nxënësve që mësojnë në shkollën fillore ‘Johan Hajnrih Pestalloci’, gjegjësisht pse mos të riorganizohemi ne si prindër dhe fëmijët tanë ti transferojmë në shkollën e re. Kësisoj, klasat do të lirohen dhe hapësira e shkollës së re do të shfrytëzohet maksimum”, kanë thënë banorët e lagjes Kapishtec.
Raportet e kohëpaskohshme të Entit Shtetëror të Statistikës thonë se numri i nxënësve në vend për zvogëlohet, ndërsa më së miri këtë e sqaron gjendja në këtë pjesë të Shkupit. Megjithatë, përderisa banorët e Kapishtecit po përgatiten për të riorganizuar dhe tubuar nxënës nga lagje tjera që shkolla e tyre të funksionojë deri në klasën e nëntë, shqiptarët e Komunës së Çairit dhe rrethinës për shkak të mungesës së klasave në shkollat fillore, vite me radhë vuajnë se ku ti regjistrojnë fëmijët e tyre. Krahas shkollës fillore “Ismail Qemali” dhe “Jashar Bej Shkupi” që vite me radhë përballen me probleme të mungesës së klasave, në Çair me mungesën e hapësirave të përshtatshme për të zhvilluar procesin arsimor ballafaqohet edhe shkolla fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Shkup-Veri.
Numri i madh i nxënësve të regjistruar në këtë shkollë ka ndikuar që drejtoria e kësaj shkolle, katër paralele të klasës së parë ti transferoj në godinën e çerdhes që gjendet në afërsi të saj. Për zgjidhjen e këtij problemi, autoritet komunale të Çairit dhe Butelit kanë premtuar se gjatë periudhës që vijon do të zgjerohen disa shkolla fillore, duke filluar nga “Penko”, “Ismail Qemali”, “Liria” e kështu me radhë.
Ndryshe, përveç rinovimit dhe rindërtimit të shkollave ekzistues në pjesën e vjetër të Shkupit, gjegjësisht në Komunën e Çairit, për 50 vite të plota nuk është themeluar shkolla fillore e re. (koha.mk)