Shkup, 7 shkurt – Policia e ka kapur plaçkitësin tridhjetë e katërvjeçar Ç.D. nga fshati Livadhi i Strugës, i cili kreu gjashtë plaçkitje në banka dhe kazino në Ohër, Strugë dhe Kërçovë, me ç’rast ka përfituar dobi pronësore prej rreth 1.200.000 denarësh.
Siç kumtoi MPB-ja, dje rreth orës 14:00 nga ana e një personi me kërcënim me pistoletë është kryer plaçkitje në një ekspoziturë të bankës “Shparkase” në rrugën “Janko Mihajlloski” në Kërçovë. Nëpunës policorë kanë dalë në terren dhe pas masave të ndërmarra për kohë të shkurtër është gjetur dhe është arrestuar Ç.D. (34) nga fshati Livadhi i Strugës. Ç.D. është kapur me thes të zi celofani me të holla në duar, syze të zeza, doreza dhe një pistoletë.
Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra dhe bisedës së realizuar me të dyshuarin, është konfirmuar se ai është kryerës i gjashtë veprave penale “plaçkitje”, dy të realizuara më 12.12.2017 dhe 06.02.2018 në bankën “Shparkase” në Kërçovë, më 25.11 dhe 06.12.2017 në ekspoziturat e bankës “TTK” në Strugë, plaçkitje e realizuar më 05.12.2017 në kazinonë “Astra”, si dhe plaçkitjen në bankën “Sillk Roud” në Ohër të realizuar më 30.11.2017.
Sektori i Punëve të Brendshme Ohër, dorëzoi tre kallëzime penale kundër Ç.D. për shkak të dyshimit themelor se është autor i gjashtë veprave penale “plaçkitje”.
Kallëzimet penale i dorëzuan zyrat e jashtme për punë kriminale pranë stacioneve policore në Ohër, Strugë dhe Kërçovë për tre vepra të kryera penale “plaçkitje” në Strugë, një në Ohër dhe dy në Kërçovë.