Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg gjyqtarin e Fierit Roland Hysi dhe psikologen e kësaj gjykate, Elona Meçani.
Roland Hysi dhe Elona Meçani u arrestuan pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan. Gjyqtari Hysi i kërkonte para dhe favore seksuale një nëne të divorcuar në proces gjyqësor për kujdestarinë e fëmijës. Kurse psikologia Elona Meçani ishte në rolin e sekseres.
Ata u arrestuan më 9 Janar pas vendimit të dhënë në mungesë nga Krimet e Rënda, ndërsa sot kjo Gjykatë u komunikoi atyre masën e sigurisë. Hysi dhe Meçani u filmuan nga kamera e fshehtë e “Stop” duke marrë 500 Euro ryshfet, ndërsa gjyqtari shkon më tej duke kërkuar favore seksuale.
Gjyqtari dhe psikologia akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtesisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.