Lojtarë “alergjikë” nga idea e futbollit të Luis Enrique-s, Lionel Messi larg rinovimit. Atmosfera në dhomat e zhveshjes së Barcelona-s është e nderë, veçanërisht pas humbjes tronditëse 4-0 në Paris, në Champions. Siç raporton “Repubblica” tekniku asturian nuk gëzon simpatinë e skuadrës. Kjo gjë u vu re edhe mëngjesin e të mërkurës në përplasjen mes “senatorëve” dhe trajnerit që konfirmoi çarjet mes tyre.
“Kjo punë është e rëndë, edhe pse stërvis më të mirët në botë. Nëse e ardhmja ime nuk do të jetë këtu, nuk ka për të qenë askund tjetër”, kështu është shprehur “Lucho” për televizionin e klubit. Një deklaratë që paralajmëron dorëheqjen pas një viti të vështirë. Në vjeshtë kanë ardhur shenjat e para, kur Barça nisi të humbte terren në kampioant dhe të ofronte një futboll më pak spektakolar se zakonisht. Të martën ndaj PSG në “Parc des Princes” u provua se midis skuadrës dhe drejtuesit të saj raportet janë problematike. Ndërkohë kanë nisur të përfliten emrat e pasuesve të mundshëm. Favoritit është Ernesto Valverde që e ngriti Athletic Bilbao-n në nivele të larta. Fare pak pas tij vjen Ronald Koeman, ish-blaugrana aktualisht në drejtimin e Everton-it.
Po Messi? “Pleshti” nuk po zgjat kontratën e tij e cila skadon në 2018-ën, koha kalon dhe shqetësimi rritet. Leo kërkon 50 milionë euro bruto në sezon, por palët duken larg njëra-tjetrës dhe pas 18 muajsh argjentinasi mund të jetë lojtar i lirë . Tashmë mund të thuhet se stuhia te Barcelona ka nisur…