Tiranë, 14 gusht – Kolona kilometrike të automjeteve dhe autobusëve me shtetas shqiptarë prej dje pasdite janë para vendkalimit Kakavijë në kufirin shqiptaro-grek.
Bëhet fjalë për emigrantë shqiptarë të cilët gjatë pushimit veror vendosën të vijnë në vendlindje, por pas paralajmërimit se nuk do të lejohet hyrja pa test negativ PCR, shpejtuan të kthehen prapa në Greqi.
Lidhur me situatën e këtillë reagoi presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili kërkoi nga Qeveria urgjentisht të ndërmarrë masa të domosdoshme.
“Jam thellësisht i shqetësuar për gjendjen e qytetarëve shqiptarë të cilët vazhdojnë të qëndrojnë ngujuar me orë në vendkalimin kufitar të Kakavijës, seriozisht të ekspozuar ndaj rrezikut nga përhapja e pandemisë së Kovid-19. I bëj thirrje Qeverisë dhe Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme urgjentisht të vendosin kontakte me palën greke, t’i ndërmarrin të gjitha masat për ta lehtësuar dhe garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve përmes kufirit. Zgjidhja duhet të jetë menjëherë!”, qëndron në reagimin e Metës.
Ndërkohë pjesëtarët e nëpunësve policorë nga Gjirokastra, njësia speciale “Shqiponja” dhe policia rrugore qytetarëve të ngujaur po u ndajnë shishe me ujë.