Spostimi i ndeshjes Shqipëri- Izrael nga Shkodra në Elbasan ka sjellë një kaos, sa i takon problemit të biletave. Ndonëse mbrëmë Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi tifozët, që kishin blerë bileta, për mënyrën si do t’i konvertonin ato nga bileta të “Loro Boriçit” në ato për në “Elbasan Arena”, kjo gjë nuk po ndodh në realitet. Po ashtu, bëhet e ditur se edhe ata që nuk dëshironin të shkonin të shtunën në Elbasan mund të kthenin mbrapsht biletën dhe të merrni paratë e shpenzuara. Por, në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Të paktën deri në mesditë, në sportelin pranë stadiumit “Loro Boriçi” nuk është kryer asnjë veprim.
Tifozë në numër të konsiderueshëm, me bileta në duar, kanë kërkuar të merrnin një përgjigje, se çfarë do të bëhej me to. Nga përfaqësuesit e firmës, që merret me shitjen e biletave, nuk kanë marrë asnjë përgjigje, sepse edhe vetë ata ishin në pritje të udhëzimeve që do t’u vinin nga kryeqyteti. Një situatë e tillë ka krijuar kaos në ambientet pranë stadiumit. Shumica e tyre, duke folur për “telesport.al”, kanë shprehur zemërimin e tyre për një situatë të tillë. Një pjesë e konsiderueshme kanë dashur të kthejnë biletat e blera dhe të marrin paratë në dorë, sepse, sipas tyre, nuk i kanë mundësitë financiare për të udhëtuar drejt Elbasanit.
Të tjerë e quanin spostimin e kësaj ndeshje nga Shkodra si një sulm me dashje, që i bëhet këtij qyteti demokrat. “Nuk mund të presësh gjë tjetër nga ky kryeministër pas atyre deklaratave që bëri kohë më parë për stadiumin,” – thotë njëri nga tifozët, me pesë bileta në dorë, dhe që pret një përgjigje për kthimin e tyre. Shumica e tifozëve janë shprehur se një spostim i tillë i ndeshjes nuk ka të bëjë aspak me mungesën e sigurisë, por me atë të ndonjë problemi tjetër për të anashkaluar këtë qytet. Megjithatë, më shumë sesa për këto deklarata, ata shprehnin mllefin e tyre në lidhje me mosmarrjen e një përgjigjeje për kthimin e biletave të blera.
(Telesport)