N’golo Kante ka një kontratë që e lidh me Chelsean deri në verën e 2023-shit, por situata është komplikuar ndjeshëm muajt e fundit dhe po shkohet drejt një divorci në fund të këtij sezoni.
Lajmin e jep e përditshmja britanike, “The Sun”, e cila raporton se marrëdhëniet mes mesfushorit francez dhe trajnerit Maurizio Sarri, janë thjesht formale, sepse palët nuk kanë aspak simpati për njëri-tjetrin.
Pikërisht për këtë arsye, është klubi i Paris Saint Germain që po monitoron me vëmendje situatën dhe është gati të bëjë një ofertë në muajin qershor, për të marrë mesfushorin në Francë.
Klubi i PSG-së ka nevojë për përforcime në mesin e fushës, pasi do të përballet edhe me largimin e Adrien Rabiot në verë, ndërsa Kante do të ishte një alternativë fantastike, që do të kënaqte edhe trajnerin Tuchel.