Dispozitat e reja ligjore për Kanjonin e Matkës pritet të vendosin rend dhe disiplinë në mbarëvajtjen e turizmit në këtë pjesë të Shkupit. Autoritet e Qytetit si nismëtarë të miratimit të një ligji të ri për Matkën, theksojnë se ideja e përpilimit të draftit ligjor kryesisht lidhet me vendosjen e standardeve bashkëkohore sa i përket çështjes së rurizimit. Në mesin e shumë turistëve të huaj që e vizitojnë Maktën dhe bukuritë e saj natyrore, më të numërt janë ata kosovarë
Omer XHAFERI
Shkup, 4 janar – Parregullsitë e shumta që ekzistojnë në hapësirën e Kanjonit të Matkës, pritet të rregullohen me Ligj të posaçëm i cili deri më tani ka munguar. Zërat për përgatitjen e një drafti ligjor i cili pritet ta zgjidh kaosin në këtë zonë turistike, vijnë nga Qyteti i Shkupit, sipas të cilave bashkërisht me institucionet tjera shtetërore po diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate të sfidave me të cilat ballafaqohet ky kompleks turistik, shkruan gazeta KOHA. Kompetencat aktuale për Kanjonin e Matkës janë të ndara mes Ndërmarrjes publike “Jasen” dhe Komunës së Sarajit, megjithatë me vite gjendja në terren mbetet e njëjtë. Përmes miratimit dhe përpilimit të një Ligji për Matkën, autoritet e Qytetit të Shkupit synojnë vendosjen e standardeve bashkëkohor sa i përket turizmit në këtë vend.
Në mesin e shumë problemeve me të cilat aktualisht ballafaqohet Matka (pjesa e poshtme), pa dyshim më të theksuara janë mungesa e vendeve për parkim dhe prezenca çdo ditë e më e madhe e mbeturinave. Për momentin në rajonin e Matkës funksionon vetëm një parking i cili mund të përfshijë maksimum deri në 40 vetura. Por jo edhe autobusë, minibusë e automjete tjera. Përderisa mungesa e pastërtisë është vërejtje gati e çdo vizitori.
“Ideja e Ligjit për Matkën është që kjo zonë turistike ta fiton statusin që e meriton, duke filluar me ndryshimin e hyrje-daljes nga Matka. Vlerësojmë se rruga aktuale që të shpie në Matkë përmes fshatit Gllumovë është e stërngarkuar dhe e njëjta duhet të lirohet. Qëllimi është që itinerari i ri drejtë këtij vendi turistik të nisë nga rruga e vjetër për Shkup-Tetovë, mbi fshatin Gllumovë e deri te hyrje të Matkës”, thonë për KOHA nga Qyteti i Shkupit.
Paralelisht me hapjen e një rruge të re drejtë Matkës, drejtuesit e Qytetit të Shkupit mendojnë ta zgjidhin edhe problemin me vendet për parkim.
“Një hapësirë e konsiderueshme e ushtrisë në këtë pjesë nuk është e shfrytëzuar. Kështu që vlerësojmë se e njëjta do të ishte më mirë të shfrytëzohet për vendparkim të automjeteve, por edhe të autobusëve që paraqesin ngarkesë të madhe për vizitorët vendas dhe të huaj. Besojmë se ecja për një kilometër deri të Kanjoni i Matkës, përgjatë atij gjelbërimi nuk do të paraqet për askënd problem, por kënaqësi. Njëkohësisht mendohet të vendoset një taksë më e madhe për autobusët që vijnë nga jashtë”, theksojnë nga Qyteti i Shkupit. Për ta realizuar të gjithë këtë projekt nga Qyteti i Shkupit nuk e përjashtojnë mundësinë që të kërkojnë kompetencat e plota mbi këtë lokacion turistik.
Ndryshe, statistikat zyrtare të institucioneve vendore, thonë se pas qytetit të Ohrit, vendi më i vizituar në Maqedoni është Kanjoni i Matkës. Pavarësisht se nuk dihet numri i saktë i vizitorëve, një gjë është e sigurt se çdo kush që niset drejtë Matkës me veturë apo me autobusë gjatë fundjavës, ngelë i bllokuar në trafik. Në mesin e shumë turistëve të huaj që e vizitojnë Maktën dhe bukuritë e saj natyrore, sipas shoferëve të taksive dhe qytetarëve që ofrojnë shërbime në këtë vend, më të numërt janë ata kosovarë. (koha.mk)