Më së shpeshti keqpërdorimet e parave evropiane kanë të bëjnë me themelimin e firmave të rrejshme, fshehjen e transaksioneve të falsifikuara të biznesit, mashtrimet në promovimin e prodhimeve bujqësore, si dhe ikja e pagesës së doganës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 shtator – Hulumtimet e OLAF, organizata që hulumton shfrytëzimin e drejtë të mjeteve nga fondet e përbashkëta evropiane dhe zbulon keqpërdorimet në financimin e projekteve të financuara në fusha të ndryshme si hulumtime, bujqësi, dhe çështje sociale, tregojnë se në vitin 2018 janë keqpërdorur 371 milionë euro nga buxheti evropian, shkruan gazeta KOHA.
Kjo organizatë ka shpallur 167 hetime dhe ka lëshuar 256 rekomandime për trupat nacionale dhe evropiane, që duhet të kthejnë në arkën e Brukselit afër 400 milionW euro. “Rezultate e OLAF-it tregojnë rëndësinë e punës sonë. Ne mbrojmë jo vetëm interesat financiare të BE-së, por edhe të mirën e qytetarëve të Evropës”, thotë sekretari i OLAF, Vile Itala. Ish shtetet e bllokut komunist, dhe tani anëtare të reja të BE-së si Hungaria, Sllovakia dhe Rumunia, prijnë në renditjen e shteteve ku OLAF në vitin e kaluar ka gjetur mangësi dhe parregullsi në shfrytëzimin e fondeve të ndryshme evropiane.
Në renditjen e vitit të kaluar, OLAF ka përfunduar nëntë raste në Hungari, ndërsa në shtatë raste janë gjetur keqpërdorime. Në katër vite janë realizuar 52 hetime për keqpërdorimin e mjeteve në Hungari, ndërsa i ka rekomanduar Komisionit Evropian që të kthejë afër 4 për qind të pagesave të realizuara në kuadër të fondeve strukturore dhe bujqësore. Qeveria hungareze që nga viti 2017 gjendet nën një kontroll të rreptë për shkak të dyshimeve në parregullsitë me menaxhimin e fondeve evropiane.
Në vendin e dytë për kah shuma e mjeteve që duhet të kthehen në arkën e Brukselit është Sllovakia, e cila është obliguar se do të kthejë 2.3 për qind të mjeteve për shkak se parregullsitë në financime që janë konstatuar në bile 14 hetime të realizuara. Në Poloni janë hetuar tetë raste, dhe janë rekomanduar 3 hetime. Në Rumuni janë realizuar gjithashtu një numër i madh i hetimeve apo 66, por nga OLAF thonë se megjithatë ky shtet është i obliguar të kthejë 0.4 për qind nga të hollat e paguara. Në Greqi janë realizuar tetë hetime dhe janë gjetur gjashtë raste ku janë regjistruar anomali, ndërsa në Poloni janë realizuar gjashtë gjashtë hetime, por vetëm në tre janë gjetur parregullsi të ndryshme.
Në Bullgari dhe Itali janë hetuar nga katër raste, ndërsa janë rekomanduar për hetime nga dy raste. Siç përshkruhet në raportin e vitit të kaluar, për shembull, OLAF ka hetuar mashtrimin e dyshuar që përfshin të aplikimet e palejueshme për subvencione bujqësore të BE-së në Itali. Kjo
u bë e njohur si rasti “Fermerë të rremë”, ku mashtruesit kishin paraqitur kërkesa për ndihmë nën emrat e personat e vdekur, me kontrata qiraje të rreme dhe përdorimin e tokës që nuk ishte e përshtatshme për subvencione bujqësore. Në këtë rast, OLAF dhe autoritetet italiane
zbuluan, jo vetëm një skemë të hollësishme dhe të gjerë mashtrimi, por edhe lidhje të mundshme me organizatat mafioze. Nga frika se mund të ishte përdorur i njëjti model i mashtrimit nga kriminelët në vendet e tjera të Evropës, hetuesit kanë shikuar kudo në Evropë. Instinktet e tyre kishin të drejtë, pasi u bë e qartë se kjo skemë “fermerë të rremë” është eksportuar edhe përtej kufijve të Italisë.
Në ndërkohë, analiza e rasteve të mashtrimeve të OLAF, tregon se më së shpeshti keqpërdorimet e parave evropiane kanë të bëjnë me themelimin e firmave të rrejshme , fshehjen e transaksioneve të falsifikuara të biznesit, mashtrimet në promovimin e prodhimeve bujqësore, si dhe ikjen e pagesës së doganës në rastet e kriminalitetit ndërkombëtar. Pas përcaktimit të parregullsive, OLAF vepron si ndërmjetësues ndërmjet shteteve shfrytëzuese të parave evropiane dhe Komisionit Evropian, që atëherë ndërmerr masa për kthimin e të hollave të keqpërdorura. Njëherësh ky trup mund të ofrojë edhe rekomandime juridike ndaj trupave nacionale për hetimin e rasteve të caktuara, megjithatë autoritetet vendore janë ato që sjellin vendim për ngritjen dhe hetimin eventual të rasteve të keqpërdorimit të parave evropiane. Në vitet e kaluara hetimet e OLAF kanë gjetur parregullsi në kompanitë që ndërtojnë autostradën në korridorin dhjetë , ndërsa hetime janë realizuar në Maqedoni dhe Greqi.
“OLAF realizoi hetim lidhur me Aktor dhe operatorët e tjerë ekonomik të përfshirë në projektin ndërtimor korridori 10, që u përfunduar në shtator të vitit 2016. Hetimet kanë gjetur dyshime për mashtrime dhe parregullsi, andaj rekomandimi gjyqësor është dërguar deri tek prokuroritë nacionale në Maqedoni dhe Greqi si dhe tek prokurori kryesor në Maqedoni dhe prokurori antikorrupsion grek”, deklaruan kohë më parë nga zyra e OLAF. Ky rast nga OLAF arriti deri tek Prokuroria Speciale në Shkup, pasi paraprakisht për këtë para hetim udhëhiqej nga Prokuroria e Shtetit. Në vitin e kaluar edhe Prokuroria greke hapi hetim për rastin Aktor për larjen e parave dhe mashtrim me vlerë prej 50 milion euro.
Në mars të vitit 2018, Prokuroria Speciale Publike publikoi tre hetime të reja kundër 25 personave fizikë dhe katër personave juridikë për vepra penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe larje parash. Rasti i tretë është quajtur “Aktor” dhe ka të bëjë për favorizimin e kompanisë greke “Aktor” për ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvicë edhe pse, ofertë më të mirë ka pasur kompania italiane “Toto”. Në vitin 2018, sipas raportit, në Maqedoninë e Veriut, janë shpallur dy hetime, dhe është rekomanduar hetimi i një rasti.
KUSH ËSHTË OLAF?
Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik e themeluar më 1999 si një entitet i pavarur hetimor brenda Komisionit Europian njihet shkurtimisht si OLAF nisur nga emërtimi në frëngjisht (Office de Lutte Anti-Fraude). Që nga themelimi i kësaj zyre mbi 3 mijë e 500 hetime lidhur me krimet ekonomike, mashtrimet, keqpërdorimet e fondeve dhe korrupsionin në Bashkimin Europian janë realizuar. Tre janë fushat kryesore të veprimtarisë së zyrës :
1) Mbrojtje e interesit financiar të BE-së duke hulumtuar veprimtaritë e paligjshme ekonomike
2) Hetim dhe identifikim i rasteve të shpërdorimit të detyrës nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së
3) Mbështetje institucioneve të BE-së për zbatim sa më të mirë të legjislacionit kundër mashtrimit ekonomik.
Për sa i përket strukturës, ka në përbërje ekspertë në dy nivele: a) hetues të brendshëm që ndodhen në çdo institucion të BE-së dhe b) hetues të jashtëm në nivel kombëtar, në ato institucione të çdo shteti anëtar ku mund të rrezikohet buxheti i BE-së. Qëllimi kryesor i zyrës mbetet mirëmenaxhimi i fondeve të BE-së duke parandaluar të gjitha llojet e mashtrimeve ekonomike, zbulimi dhe dënimi i duhur për llojet e ndryshme të krimeve si dhe rikuperimi i humbjeve financiare në buxhetin e BE-së. (koha.mk)