Që në momentin që ka një ose me shumë kandidatë që përfolen, ata duhet të shpallin hapur ambiciet e tyre. Nëse duan të jenë “baba” apo “nëna” të vendit, pse duhet të kenë “frikë” ta shprehin këtë. Dhe në këtë proces, apo qoftë edhe “garë”, të dalin hapur me vizione e qëndrime që i lejon kushtetuta e të japin një impuls të presidencës së tyre të mundshme
Nga Nazim RASHIDI
Nga një numër i personazheve të skenën politike amerikane, kandidatura e Bernie Sanders, po tërheq vëmendje më të madhe. Ish kandidat në Partinë Demokratike, i cili humbi në garën partiake nga Hillary Clinton, aktualisht senator, sërish dëshiron të marrë besimin e partisë së tij. Dihet se kandidaturat për president në garat partiake në SHBA dalin më herët, pra dy vjet para zgjedhjeve presidenciale dhe çdo krahasimi direkt me këtë proces do ishte i padrejtë me ne. Aq më shumë që sistemi politik në SHBA është presidencial ku roli i tij është kyç në ndërtimin e politikave. Por sërish, nga këto procese mund të mësohet dhe ajo që dua të theksoj janë qëndrimet, janë parimet mbi të cilat kandidatët mbështeten për të marrë një herë mbështetjen partiake, e pastaj edhe të votave të vendit.
Po te ne si po shkon ky proces? Në fakt çdo gjë është kalkulim. Edhe pse mbase është ngushtuar rrethi i personave që mund të jenë kandidatë në garë, sërish, sa dimë ne realisht për vizionet e tyre si presidentë? Pse e shtroj këtë pyetje. Meqë përmenda Bernie Sanders, që për shumë vetë në SHBA e jashtë saj, ishte zhgënjyes fakti se pse ai nuk ishte kandidati për president i Partisë Demokratike, dhe si rrjedhojë do të qe edhe Presidenti i SHBA-ve në vend të Donald Trump, ja çfarë qëndrimesh ka dhe me çfarë vizioni dëshiron të fitojë:
E para është ndërtimi i një sistemi shëndetësor për të gjithë “Madicare for all”. Tjera është masa për ndalimin e katastrofës nga ndryshimet klimatike. Propozon paga minimale për orë të jetë 15 dollarë për të gjithë në SHBA. Universitete pa pagesë. Ilaçe më të lira ku shteti do të ndërhynte. Ligje të reja pune ku do të nxiteshin sindikatat. Pushime mjekësore dhe vjetore të paguara. Zvogëlimin e pagesave nga korporatat për zgjedhje. Barazi gjinore në pagesa. Zmadhim i ndihmës për të moshuarit dhe personat në nevojë, etj. Pra që në ngjizje të kandidaturës janë të qartë qëndrimet, parimet dhe oferta politike. Tani edhe një herë do përsëris, krahasimet direkte nuk bëhen dot se presidenti në SHBA ka rol ekzekutiv, por sërish janë legjitime pyetjet se çfarë vizionesh kanë kandidatët për president te ne?
Sipas kushtetutës presidenti i Maqedonisë së Veriut, ka rol relativisht ceremonial, por siç e pamë mund të dëmtojë procese dhe mund të ndikojë zhvillime, apo dhe mund të nxisë tensione. Si rrjedhojë deri më tani ajo që të gjithë e dinë, opinioni i gjerë, është se çfarë presidenti nuk duam. Por a duhet të zgjidhet një president mbi bazën e asaj se si nuk duhet të jetë?
Në kontekstin e partive shqiptare çështja duhet të sqarohet, (dhe po shkohet në këtë drejtim) nëse do të ketë kandidat shqiptar për të treguar forcën politike të një subjekti apo grup subjektesh. Që si veprim është legjitim. Apo do të ketë një analizë të qartë se çfarë kandidati, kush do të mund të ishte, çfarë politikash do të mbështeste që pse jo edhe të mund të ishte i zgjedhshëm nga të gjithë.
Një vizion të tillë nuk po shoh. Ka pragmatizëm këtu dhe e kuptoj. Një, mbase duhet një sipërmarrje tejet e madhe për të mobilizuar elektoratin që një shqiptar të zgjidhej për president për çka nuk ka as forcë e as resurse dhe dy, mbase është dhe e qartë se elektorati maqedonas vështirë se do të votojë një kandidat shqiptar për president, duke marrë parasysh gjithë kontekstin aktual. Shumë do të thonë se nuk është e pamundur, por shumë gjithashtu do të thonë se mund të jetë një moment i hershëm. Duke pasur parasysh mbeten opsionet, të garohet me kandidat shqiptar ose të përzgjidhet një i përbashkët që në start, ai që quhet “konsensual”.
Si po qëndrojnë gjërat aktualisht duket se kjo do të ndodhë. Opozita maqedonase e saktësoi kandidaten e saj. Ajo shqiptare me gjasë do të dalë me të vetin. Kurse të tjerët po përpiqen të gjejnë një “mbi partiak”. OK.
Por si po përzgjidhet ky kandidat mbi partiak? Sërish në sytë e opinionit mbetet përshtypja se kandidati do të jetë rrjedhojë e kalkulimeve se sa proces i qëndrimeve dhe parimeve që ka. Çështja është a bëhet dot përzgjedhja mbi politika e vizione që mund të kenë? Kandidatja e opozitës po i shtron ato. Gurëthemel i fushatës së saj do të jetë kundërshtimi i ndryshimit të emrit. Ai shqiptari i opozitës, nëse do të dalë, nuk dihet ende, kështu që as qëndrimet dhe vizionin që do të ketë nuk mund as ta qëllojmë. Ky “konsensuali” është e qartë, edhe duke marrë parasysh profilet dhe proveniencën nga e cila do të mbështetet, retorikën do ta ketë tek integrimet, NATO, meqë do të jetë dhe Komandant i ushtrisë dhe përcjelljen e frymës pro Marrëveshjes së Prespës.
Por a mjafton kjo? JO. Një JO e madhe. Që në momentin që ka një ose me shumë kandidatë që përfolen, ata duhet të shpallin hapur ambiciet e tyre. Nëse duan të jenë “baba” apo “nëna” të vendit, pse duhet të kenë “frikë” ta shprehin këtë. Dhe në këtë proces, apo qoftë edhe “garë”, të dalin hapur me vizione e qëndrime, që i lejon kushtetuta e të japin një impuls të presidencës së tyre të mundshme.
Kjo për gjithë subjektet politike që duan të mbështesin konceptin e “presidentit konsensual”, por edhe të vetë elektoratit të këtyre subjekteve. A nuk do të matej pulsi më mirë nëse dëgjonin/dëgjonim oferta në gara para presidenciale. Një përzgjedhje e tillë e kandidatit jo vetëm që do të jepte një ndjesi për transparencë më të madhe, por edhe do të krijonte një moment të ri edhe në retorikën politike. Aktualisht i gjithë vlerësimi që po bëhet mbi emrat që propozohen ka të bëjë me të kaluarën e tyre, me veprimet e një veprimi tejet politik e kontekstual. Sigurisht që kjo ka rëndësi. Madje shumë, sepse të jep një pasqyrë të ideologjisë dhe veprimit të kandidatëve, por sërish nga ana tjetër, para përzgjedhjes së kandidatit, a nuk do të duhej të dëgjoheshin vizionet e postit të ri.
Pse e them këtë? Sepse në esencë, Presidenti me gjithë ceremonialitetin e vet, do të duhet të ketë integritet dhe mbi të gjitha qëndrime që në rrethana specifike politike, t’i reflektojë ato gjatë ushtrimit të detyrës. Ose me fjalë të tjera të jetë një president që të marrë parasysh interesat e të gjithë atyre që e kanë mbështetur. Por këtë proces nuk e shohim. Shohim vetëm konkurrencë, mespartiake, ndërpartiake, mbipartiake, por jo dhe ofertë. Si rrjedhojë e gjithë oferta politike e kandidatëve do të mbesë veç gjatë fushatës. Ose pak para saj. Asnjë ndikim, ose fare pak do të kihet në përzgjedhjen e tyre. Dhe sërish do të votohet me parimin se çfarë presidenti nuk do duhet të kemi.
Në fakt nuk do doja edhe një president që si përket të gjithëve!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)