Përvoja ka tregu se pas çdo refuzimi të idesë për konsensualitet, neve na është imponuar një kandidat (partiak) maqedonas, të cilin tërthorazi apo drejtpërdrejt e kemi zgjedhur edhe ne
Nga Emin AZEMI
Para se të gjendet një kandidat konsensual, duhet pastruar një dilemë që ka të bëjë me vetë termin. Konsensualiteti, sikundër dihet, ka ardhur në demokraci si rezultat i betejave (mospajtuese) të gjata politike dhe si i tillë ka prodhuar në finale një prej trajtave më komplekse, por më gjithëpërfshirëse, të vendimmarrjes politike. Konsensualiteti nuk është patjetër të përfshijë gjithçka që paraprakisht ka qenë objekt debatesh kundërthënëse. Konsensualiteti mund të jetë për tema të caktuara dhe për ngjarje të caktuara. Nëse gjithçka vendoset me konsensualitet, atëherë i humb kuptimi debatit parlamentar, i cili në fakt – nuk mbyllet asnjëherë pa qenë i sigurt se ka nxitur paraprakisht shumë dilema e pikëpamje pro e kundër.
Por, konsensualiteti në shoqëritë shumëkombëshe, megjithatë, është një instrument mjaft efikas që parandalon majorizimin, apo mbivendosjen në baza etnike. Në rrethanat tona, në të cilat u zhvillua demokracia, konsensualiteti nuk pati ndonjë përvojë gjithaq të lavdishme, përpos në disa raste kur vendimmarrja është bërë me parimin e Badenterit.
Tani po kërkohet një kandidat presidencial konsensual, ide kjo që është kundërshtuar vazhdimisht nga subjektet politike maqedonase. Këto të fundit, ose nuk kanë dashur ta kuptojnë thelbin e idesë, ose e kanë refuzuar atë duke dashur në këtë mënyrë t’u japin përparësi zgjidhjeve të tyre partiake.
Konsensualiteti te ne ende kuptohet si një autostradë njëkahëshe, apo frikë që duhesh të japësh diçka nga vetvetja. Ose, ai tjetri mund të përfitojë nga konsensualieti më tepër se sa që e meriton. Me një fjalë, është një formulë që në kushtet tona nuk shkon, edhe atë për disa arsye.
E para, për të qenë vendimmarrja konsensuale, duhet paraprakisht të tejkalohen shumë dilema që e bëjnë politikën arenë konfliktualiteti.
E dyta, te ne nuk ka konsensualiteti brendaetnik dhe e kotë është ta kërkosh atë me të tjerët.
E treta, nuk mundet të kërkohet parim konsensualiteti vetëm tek një figurë siç është Presidenti, ndërkohë që të gjitha funksionet tjera zhvillohen (kryeministri, kryeparlamentari) sipas një formati politik, ose në rrethanat ku gjithçka në jetën institucionale është e partizuar.
E katërta, konsensualiteti a nënkupton një interaksion vetëm brenda elitave politike, apo do të duhej të ketë një bazë edhe më të gjerë, duke filluar nga Parlamenti e deri te shoqëria e gjerë?
Nisur nga këto dhe arsyet tjera, mund të thuhet se politika shqiptare këtu te ne nuk duhet hequr dorë asnjëherë nga parimi i konsensualitetit në vendimmarrje, mirëpo në anën tjetër – nuk ka sens të kërkohet ky parim me çdo kusht dhe në pakufishmëri dhe në dëm të kohezionit brendapolitik e brendaetnik. Arsyetimi se partitë maqedonase nuk do ta votonin një kandidat shqiptar, nuk duhet përdorur në pakufishmëri si adut për të mos kaluar në një metodologji tjetër të përzgjedhjes së kandidatit presidencial. Përvoja ka tregu se pas çdo refuzimi të idesë për konsensualitet, neve na është imponuar një kandidat (partiak) maqedonas, të cilin tërthorazi apo drejtpërdrejt e kemi zgjedhur edhe ne.
Pasojat e mbylljes me preferenca më tepër partiake se sa profesionale, mungesa e sensit për të qenë të hapur ndaj prurjeve, me individ që jodomsdoshmërisht duhet të jenë partizan të një partie politike, janë pikërisht ato pengesa që e pamundësojnë konsensualitetin, i cili duhet të fillojë nga brenda dhe të përfundojë jashtë. (koha.mk)