Shkup, 9 prill – Kandidatët presidencialë edhe sot në takime me qytetarët, në tribuna dhe në mitingje e vazhdojnë fushatën me prezantimin e programeve dhe koncepteve të tyre.
Kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova sot është në mitingje në Tetovë dhe në Gostivar.
Karvani i koalicionit “Bashkë përpara!” dhe kandidati presidencial Stevo Pendarovski sot do të ketë takim me qytetarët në Gradsko, Rosoman, Demir Kapi, Negotinë dhe Kavadar. Pendarovski do të marrë pjesë në tribuna qytetare në Shtëpinë e Kulturës “Kërste Petkov Misirkov” në Gradsko , në Shtëpinë e Pensionistëve në Rosoman, në sallë sportive në Demir Kapi dhe në Shtëpinë e Kulturës “Aco Gjorçev” në Negotinë . Ngjarja qendrore është në Kavadar ku në shtëpinë e e kulturës “Ivan Mazov Klime”, do të mbahen trubina dhe janë paraparë fjalimet e Pendarovskit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev.
Kandidati presidencial Blerim Reka i cili ka përkrahjen e BESË-s dhe Aleancës së Shqiptarëve, për sot nuk ka paralajmëruar evenimente.
Në fushatën e deritanishme midis temave kryesore të kandidatëve ishin qëndrimet për Marrëveshjen e Prespës, problemin me emigrimin e të rinjve, perspektivat për anëtarësim të vendit në NATO dhe në BER, por edhe tema politike ditore.
Sipas paralajmërimeve nga shtabet zgjedhore, Siljanovska Davkova do të paraqitet në tubimin qendror në Shkup fundjavën e ardhshme më 13 prill, ndërsa një ditë më vonë, më 14 prill, tubim qendror do të ketë edhe Pendarovski. Reka do të ketë konventën përmbyllëse në datën 18 të këtij muaji.
Fushata zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill pas çka vijon heshtje zgjedhore 24 orëshe para ditës së votimit më 21 prill. (koha.mk)