Kandidatët për presidentë janë fokusuar në programet e tyre përtej caqeve të pozitës kushtetuese të Presidentit në republikën parlamentare, andaj edhe ajo mund të quhet si vazhdim i antagonizmave politike maqedonase rreth Marrëveshjes së Prespës, të mbyllur tashmë kushtetueshmërisht në rrafshin parlamentar
Destan JONUZI
Shkup, 15 mars – Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet parlamentar, ndërkohë në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, kandidatët ofrojnë zgjidhje për çështje të cilat nuk janë në kompetenca të presidentit. Gordana Siljanovska, kandidate për presidente nga radhët e VMRO-së ka thënë se motoja e gjithë fushatës së saj do të përqendrohet në gabimet e Qeverisë së tanishme, tradhtia apo siç është shprehur ajo, “heqja dorë nga identiteti përmes Marrëveshjes së Prespës”.
“Së pari do të hap çështjen për ndryshimin e Kushtetutës. Akti më i lartë juridik tek ne, nuk mundëson shtet demokratik funksional. Unë nuk e kam pranuar dhe nuk ta pranojë asnjëherë Marrëveshjen e Prespës dhe për mua emri ‘Maqedonia e Veriut’ nuk ekziston. Asnjëherë, në asnjë komunikim nuk do ta përdor këtë emër, pasi për mua emri i vetëm është dhe do të jetë Republika e Maqedonisë”, ka deklaruar Siljanovska. Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, kandidat për president i partive në pushtet, ka premtuar realizimin e plotë të Marrëveshjes me Greqinë edhe pse ky dokument, apo zbatimi i tij është në kompetencë të Qeverisë. “Ne objektivisht do të zgjedhim mes asaj nëse Maqedonia do të vazhdojë të ecë rrugës që po bënë këto dy vitet fundit, apo do të kthehemi në errësirë, aty ku kishin shtetin e robëruar. Të kontestosh Marrëveshjen e Prespës, të kontestosh anëtarësimin e vendit në NATO, të kontestosh Ligjin për gjuhët, i cili besoj se i ndihmon bashkësisë etnike shqiptare që ta ndjejë këtë shtetit të vetin, faktikisht dëshmon qartë se ti dëshiron kthimin e vendit aty ky ishte, në izolim dhe në paperspektivë”, ka deklaruar Pendarovski. Ai gjithashtu ka theksuar se do të angazhohet “Për jetë për të gjithë”, një slogan i njohur i LSDM-së për ngritjen e cilësisë së jetës, zhvillimin ekonomik, sundimin e së drejtës e çështje tjera që janë premtime të Qeverisë.
Analisti Nijazi Muhamedi në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se fushata për presidentin ka nisur të zhvillohet përtej caqeve të pozitës Kushtetuese të presidentit në republikën parlamentare, dhe si e tillë, ajo mund të quhet si vazhdim i antagonizmave politike maqedonase rreth Marrëveshjes së Prespës, të mbyllur tashmë kushtetutshmërisht në rrafshin parlamentar, aty ku manifestohet e konkretizohet vullneti i përgjithshëm politik i sovranit.
“Ringritja, riaktualizimi e kësaj teme në fushatën për president e sposton fushatën nga rrafshi i vet normal e të pritshëm e të personalizuar të kandidatëve, në një rrafsh të polarizimeve politiko-partiake të debateve dhe antagonizmave, dhe kjo e bënë fushatën të përngjashme me fushatën e zgjedhjeve parlamentare. Meqë realisht presidenti fare nuk mund të ndikojë kushtetutshmërisht në vizionin e ligjvënësve, përveç mundësisë formale dhe pak korrektuese të projekteve të miratuara ligjore përmes mosdekretimit të ndonjë ligji apo marrëveshjeje ndërkombëtare dhe kthimin e tyre për rishikim parlamentar, kjo fushatë mund të mbetet të zhvillohet në rrafshin e boshësisë teorike akademike, pak e lidhur me vullnetin politik që duhet të mobilizojë elektoratin për të bërë zgjedhjen e ndriçuar të kandidatit”, deklaron Muhamedi.
Ai potencon se presidenti i Republikës edhe pse do zgjidhet nga vota e vullnetit të përgjithshëm, rolin e tyre Kushtetues të presidentit, pretendojnë ta luajnë nën hatrin e partive që i kanë kandituar apo mbështetur, pra dalin kontrovers në atë që pretendojnë dhe në pamundësitë kushtetuese për të vepruar sipas atij pretendimi. “Ka çështje që mund të problematizohen eventualisht në rrafsh kushtetues rreth kohabitimit në rast se kandidati i zgjedhur është i palës që nuk i takon shumicës parlamentare, që nuk ndan vizionin e asaj shumice, por kjo nuk vlen aq për presidentin në republikën parlamentare se sa në republikat gjysmëpresidenticiale, sikundër është Franca, etj dhe zgjidhja i konfliktit të moskohabitimit është rregulluar me Kushtetutë. Në rastin tonë konkret, problem mund të dalë në politikën e jashtme, në të cilën presidenti luan një rol zbatues të saj dhe në rast mospërputhjesh në vizionin e politikës së jashtme të qeverisë dhe presidentit, mund të ndodhë ndonjë veprim kontrovers që mund të relativizojë rolin e shtetit në raportet e tij me jashtë, pra mund t, i ndodhë ndonjë izolim i lehtë që në fakt i ka ndodhur edhe këtij të tashmit”, thekson Muhamedi.
Nga ana tjetër, profesoresha universitare Besa Kadriu thekson se sistemet e brishta të demokracive jo të mirëfilltë, jo pak herë, janë të fokusuar kryesisht në tema të cilat janë më pak apo për të mos thënë aspak në kuadër të kompetencave që definon korniza kushtetuese rreth kompetencave të presidentit të vendit. “Në një situatë si kjo, nënkuptohet fakti që në vend që këta njerëz të jenë të çliruar nga politika ditore dhe të ofrojnë një program, i cili do të paraqes elemente të një figure të mirëfilltë, të çliruar nga konceptet e politikës ditore, të përafrojnë qytetarët dhe të ngrisin vlerat e demokracisë së mirëfilltë e cila nuk bën dallime, politike, sociale, etnike e aq më pak edhe fetare e racore. Në të shumtë e rasteve në Maqedoni, edhe nëse ka pasur një figurë që do ishte simbolika e të gjitha këtyre vlerave, janë vetë maqedonasit të ngarkuar nga nacionalizma që i kanë zhdukur këto virtyte të cilat kanë pasur të vetmin qëllim, dominimin e një figure të presidentit të shtetit i cili nuk do bëjë balancin për të përndritur këto vlera, pro do të jetë shërbëtor i një subjekti të elitës politike që ka pushtetin në udhëheqësin e radhës”, thekson profesoresha Kadriu.
Sipas saj, fatkeqësisht, sado që pretendohet se ka tendenca për të qenë një shoqëri e hapur dhe demokratike, janë ende shumë hendikepet të cilat duhet të tejkalohen për të arritur deri tek një ambient i përshtatshëm dhe klimë e butë politike e cila do të zbus sadopak këtë përvojë jo të mirë e të hidhur që kanë krijuar përvojat e politikëbërjes tek ne.
“Figura e presidentit të shtetit duhet të jetë një autoritet që ka dëshmuar që nuk ka urrejtje etnike, nivel të lartë të civilizimit, pos asaj që konsiderohet edhe përvoja e tij për të qenë i gatshëm që ta konsiderojë diversitetin e shoqërisë, si vlerë shtesë të shoqërisë së tij/saj, të cilën pretendon ta udhëheq. Shqiptarët në Maqedoni, gjithnjë e më tepër kanë dëshmuar se janë popull që dinë të jenë konstruktiv dhe këtë e kanë dasmuar në shumë raste në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson Besa Kadriu, profesoreshë universitare. Ajo vlerëson se gara presidenciale në Republikën e Maqedonisë është një mundësi që shqiptarët të tregohet se kur është në pyetje interesi shqiptarë janë të unifikuar. “Opozita shqiptare përkrah një figurë e cila pos përvojës akademike dhe asaj në diplomaci, del në mbrojtje të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve, figura e prof.dr. Blerim Rekës dëshmon edhe njëherë se, subjektet politike në raste të caktuara, cilindo rol dhe pozitë që kanë, janë apo nuk janë pjesë e pushtetit, autoriteti i presidentit është ai që duhet ti bashkojë”, nënvizon Kadriu. Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 1 prill dhe do të zgjas 20 ditë. Nëse në rrethin e parë asnjëri nga kandidatët nuk fiton mbi 50 për qind të votave, atëherë në rrethin e dytë më 5 maj garojnë dy kandidatët me shumicë votash, ndërsa pragu zgjedhor i daljes së qytetarëve në votime ulet në 40 për qind.
BLERIM REKA ME TRE SHTABE ZGJEDHORE
Kandidati i pavarur shqiptarë për president, Blerim Reka, fushatën e tij elektorale do e drejtojë nga shtabi i tij të cilin tanimë e ka formuar, ndërsa në kuadër të tij do të ketë edhe dy anëtarë nga shtabet e partive opozitare shqiptare ASH dhe Lëvizja BESA, parti këto që mbështesin kandidaturën e Blerim Rekës për president. “Po do kemi tre shtabe, një është shtabi i profesorë Rekës, dhe dy shtabet e partive opozitare. Që të tre shtabet kanë kryetarët e tyre, ndërsa të shtabi i profesor Rekës janë edhe dy anëtarë të shtabeve tona. Të gjitha aktivitetet do të koordinohen, ndërsa janë planifikuar edhe tubime qendrore në të cilat do të marrin pjesë edhe liderët partiak”, thonë për gazetën KOHA nga partitë opozitare shqiptare ASH dhe Lëvizja BESA. (koha.mk)