Bruksel, 15 maj – Kandidatët kryesorë për zgjedhjet në Parlamentit Europian, që do të zhvillohen këtë muaj, do të përballen në një debat të transmetuar nga legjislativi i BE të mërkurën, e vetmja ngjarje që bashkon të gjashtë grupimet politike kundër njëri-tjetrit, transmeton atsh raportimet.
Deputeti gjerman, Manfred Weber konsiderohet si favorit, pasi partia e tij konservatore Partia Popullore Europiane (EPP) kryeson sondazhet për zgjedhjet e BE që do zhvillohen gjatë datave 23-26 maj.
Kundërshtari kryesor i tij është Frans Timmermans nga socialistët dhe demokratët, ish- ministër i Jashtëm i Holandës dhe zëvendëspresident i Komisionit Europian.
Që të dy kanë marrë pjesë në disa debate parazgjedhor duke u përballur për tema si ndryshimi klimatik, terrorizmi, taksat dhe politika sociale.
Atyre do t’u bashkohet komisionerja e BE-së, Margrethe Vestager nga Danimarka, e cila konkurron për grupin liberal ALDE, dhe Ska Keller, deputetja gjermane që përfaqëson partinë europiane ”Green Party”.
Deputeti çek i BE Jan Zahradil do të marrë pjesë si kandidati kryesor i bllokut të qendrës së djathtë, duke përfshirë Partinë Konservatore në pushtet të Britanisë dhe atë ”Ligj dhe Drejtësi” e Polonisë, ndërsa Nico Cue, një unionist në pension, do të përfaqësojë grupin e majtë europian.
Shumica e grupeve politike në të gjithë BE kanë zgjedhur të ashtuquajturin sistem Spitzenkandidaten, ose kandidatët kryesorë, të paraqitur në vitin 2014 në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen e votuesve.
Sipas sistemit, Spitzenkandidati i grupit politik që fiton më shumë vota duhet të emërohet president i komisionit të BE, një nga pozicionet më të fuqishme në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon liderëve kombëtarë të bllokut, të cilët nuk kanë detyrim ligjor për të ndjekur sistemin Spitzenkandidat./ DPA.