Ardhja masive e mërgimtarëve për të votuar në të dy komunat ka qenë prezente edhe në ciklet e fundit zgjedhore, ku kanë ardhur mbi 1500 votues nga Italia. Partitë thonë se ardhjen e mërgimtarëve e sigurojnë shtabet zgjedhore si dhe biznesmenë afër partive, me qëllim që të sigurohet censusi dhe zgjedhjet të mos dështojnë
Vjollca SADIKU
Dibër, 14 tetor – Komunat në pjesën perëndimore të vendit, vite me radhë ballafaqohen me problemin e emigrimit masiv. Dy dekadat e fundit në Dibër e sidomos në komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë ka një ulje drastike të numrit të votuesve. Komuna Dibër tani për tani vlerësohet se edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë problemin me sigurimin e censusit që është 1/3 e votuesve, por komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë me siguri do të kenë problem në këtë drejtim. Sipas autoriteteve lokale në Qendër Zhupë, mbi 75 për qind e popullatës ka emigruar në Itali, kurse nga komuna Mavrovë-Rostushë afro 70 për qind.
Kjo tregon se censusi për sigurimin e 33 për qind për të zgjedhur kryetarët e ri është i pamundur pa ardhjen e mërgimtarëve kur dihet se në komunën Qendër Zhupë në listat ka mbi 7 mijë votues, kurse në Mavrovë Rostushë, mbi 10 mijë. Shtabet të partive politike në komunën Qendër Zhupë ku jetojnë edhe shqiptarë, informuan se të dy kandidatët për kryetarë Arjan Ibraim nga Partija Demokraike Turke dhe Shahin Shakir nga Lëvizja për unitet të Turqve kanë realizuar fushatë në Itali në qytetet Basano, Krespano, Trevizo, Meshtre, etj, ne veri të Italisë ku jetojnë mërgimtarët nga kjo komunë. Sipas burimeve të njëjta, pritet ardhja e një numri të madh të mërgimtarëve për të votuar më 17 tetor për zgjedhjet lokale. Aktivitete të ngjashme kanë patur në Itali edhe përfaqësues të partive të dy kandidatëve për kryetar në Mavrov -Rostush.
Sipas të dhënave të shoqatave të mërgimtarëve nga Reka në Itali e sidomos në qytetin Vidor ku jeton pjesa dërmuese e mërgimtarëve, janë realizuar takime me mërgimtarët nga ana e përfaqësuesve të partive LSDM dhe BDI-së, si dhe të VMRO DPMNE. Në shtabet zgjedhore të kandidatëve Medat Kurtovski dhe Memed Xhaferit janë të bindur se për zgjedhjet edhe sivjet priten të vijnë shumë mërgimtar për të votuar. Ardhja masive e mërgimtarëve për të votuar në të dy komunat ka qenë prezente edhe në zgjedhjet e parafundit dhe të fundit, ku kanë ardhur mbi 1500 votues nga Italia. Partitë thonë se ardhjen e mërgimtarëve e sigurojnë shtabet zgjedhore si dhe biznesmenë afër partive, me qëllim që të sigurohet censusi dhe zgjedhjet të mos dështojnë. (koha.mk)