Kandidatët për kryetar, Reka dhe Siljanovska reaguan ndaj sulmeve në Zelandë të Re

Shkup, 15 mars – Dy kandidatët për kryetar, Blerim Reka dhe Gordana Siljanovska dolën me reagimet e tyre pas sulmit terrorist ndaj besimtarëve në dy xhami në Zelandë të Re, transmeton koha.mk.

“Terrorizmi nuk njeh kufij, as fe. Fundamentalizmi anti-islamik mori 49 jetë. Lutjet tona për ata dhe familjet e tyre”, është porosia në gjuhën shqipe dhe maqedonase që e dërgoi kandidati për kryetar i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, Blerim Reka.

“Për fat të keq, edhe njëherë u tregua se terrorizmi nuk njeh kufij. Sulmi ndaj dy xhamive në Zelandë të Re, është sulm ndaj të gjithë neve, pa dallim përkatësisë fetare dhe etnike. Radikalizmi i çfarëdo lloji, në të cilin sot vdiqën së paku 49 besimtarë mysliman duhet të ndërpresë. Këtë betejë mund ta fitojmë vetëm nëse në vijën e mbrojtjes dalim të gjithë së bashku, të krishterë, myslimanë, hebrenj dhe të gjithë të feve tjera, popuj, shtete, organizata dhe intelektualë. Sot është Zelanda e Re, nesër mund të jetë Maqedonia”, ka shkruar kandidatja për kryetare të shtetit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska në profilin e saj në Fejsbuk.