Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në deklaratë për gazetën KOHA ka thënë se para se ti firmos dekretet e kandidatëve të propozuar për ambasadorë, do të verifikojë zyrtarisht të gjithë, dhe në rast se pretendimet për shtetësi të dyfishtë për ndonjërin janë të bazuar ai nuk do ta nënshkruaj dekretin. Ndërkohë opozita maqedonase kërkon që Qeveria të tërheq dy kandidatët për ambasadorë për të cilët pretendohet se posedojnë shtetësi të dyfishtë
Destan JONUZI
Shkup, 25 dhjetor – Duke u thirrur në burime mirë të informuara, gazeta KOHA ditë më parë shkroi se Misho Dokmanoviq, ambasadori i emëruar nga Qeveria në Tel Aviv të Izraelit, nuk i plotëson kushtet për ta përfaqësuar vendin si diplomat, për shkak të shtetësisë së tij të dyfishtë. Përveç, Dokmanoviqit, ka edhe të tjetë kandidatë për ambasadorë me shtetësi të dyfishtë.
Sipas Ligjit për Punë të Jashtme, Nenit 36, një person që posedon shtetësi të dyfishtë nuk mund të emërohet si diplomat/ambasador.
Nga Ministria e Jashtme për gazetën KOHA deklaruan se në këtë fazë të emërimit të ambasadorëve nuk janë në gjendje të japin asnjë deklaratë, as për rastin konkret, mirëpo as për emrat e kandidatëve të cilat gjenden në listën e propozuar nga Qeveria.
Ndërkohë që profesori Dokmanoviq nuk dha kurrfarë hollësie rreth kësaj çështjeje , duke deklaruar për KOHA, se: “Nuk jap asnjë deklaratë për këtë çështje”.
Për të saktësuar këtë problematikë, Qeveria në platformën elektronike qeveritare ka publikuar propozimet dhe plotësime të Ligjit për punë të jashtme, me të cilin synon të gjejë zgjidhje për këtë problem. Por, Presidenti Pendarovski për gazetën KOHA shprehet i qartë se nuk do të nënshkruaj dekretin, nëse informacionet e publikuara për këta kandidatët për ambasador rezultojnë të sakta.
“Do t’i kthejë sigurisht! Ligj i ri për Punë të Jashtme është në hartim e sipër, i njëjti është publikuar edhe në ENER. Ambiciet e Ministrisë së Jashtme ishin që ai të votohet deri në mbajtjen e zgjedhjeve në Parlament. Unë dua që kjo të ketë sukses. Në Ligjin e ri parashihen disa nene ndryshe, lidhur me shtetësinë e dyfishtë. Megjithatë Ligji aktual për Punë të Jashtme, thotë se vetëm shtetas i Maqedonisë së Veriut mund të emërohet për ambasador. Nuk lejon që persona me shtetësi të dyfishtë të jenë ambasadorë të Maqedonisë së Veriut. Unë i ndjek këto informacione në media. Kërkova që edhe para se të vjen tek unë për nënshkrim përfundimtar të gjitha propozimet edhe formalisht, nëpërmjet institucioneve të verifikohen, dhe nëse ka edhe një të vetëm nuk do të nënshkruaj dekretin për ambasadorë. Nuk do ta dërgojë për ambasadorë për arsye se në këtë mënyrë unë e shkeli ligjin”, deklaroi për KOHA, Stevo Pendarovski, Presidenti i Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, deputeti aktual dhe ish-ministër i Jashtëm, Antonio Milloshovski thotë se zgjidhja më e mirë për këtë çështje është që Qeveria ti tërheq këto dy propozime, në vend se të mundohet të gjejë zbrazëtira me plotësime në ligj. “Sido që të jetë, ligji i ri është vetëm se propozim. Me vet faktin që është vetëm se propozim nuk është në fuqi. Ne nuk dimë se a do të miratohet apo jo, kur do të miratohet etj. Kështu që në këtë moment Ministri i Punëve të Jashtme nuk ka të drejtë as që ti propozojë. Sipas normave aktuale ligjore kandidatët me shtetësi të dyfishtë nuk është dashur në asnjë mënyrë të propozohen, nëse e respektojmë ligjin. Siç lëvizin punët shumë ngadalë shkon puna me ligjin e ri, kështu që shoh se ka shumë kontradikta. Ndërsa në Parlament ka shumë rrëmujë nga çështjet që janë të vijim e sipër, shumë shpejt do të shpërbehet edhe Parlamenti dhe nuk besoj se gjatë këtij mandati do të kemi Ligj të ri për punë të jashtme”, deklaroi për KOHA, Milloshovski. Sipas tij, këta dy kandidatë do të jetë mirë për Qeverinë që ti tërheq, për shkak se do ta shkelin ligjin nëse vazhdojnë me procedurën e mëtejme.
Ndryshe, vendi jonë gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një përvojë të hidhur me shkelje ligjore gjatë emërimit të ambasadorëve në vendet e huaja. Një rast i ngjashëm, kur edhe është tërhequr nga lista e propozimeve, ka qenë ai me kandidatin për ambasador në Tiranë në vitin 2009. (koha.mk)