Kanceri në Shqipëri po kthehet ne epidemi. 6 mije raste te reja diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje. Sipas mjekëve, kanceri më i shpeshtë dhe me vdekshmërinë më të lartë është ai i mushkërive. 700 persona konstatohen çdo vit me tumor të pulmoneve ku humbjet e jetës janë afërsisht sa edhe rastet.
Pas një studimi të kryer specialistët e shëndetit publik thonë se dy shkaktaret kryesore të shtimit të rasteve janë ndotja e ajrit dhe duhanpirja.
Në prag të muajit nëntor i cili i është kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e mushkërive, mjekët bëjnë apel për diagnostikim të hershëm. Referuar studimeve në vend, numrin më të madh të pacienteve me kancer të pulmonit e zënë ata nga Elbasani, Fieri e më pas Tirana, qytete ku ndotja e ajrit për shkak edhe të industrive të rënda është e lartë.
Ndërsa me uljen e moshës së duhanpirësve, kanceri i mushkërive po shfaqet edhe tek moshat e reja tek te dy gjinitë.
Kolla e vazhdueshme për më shumë se një muaj është shenja e parë që duhet t’u alarmojë për t’iu drejtuar mjekut. Kanceri i mushkërive është më i shpeshtë tek meshkujt, ndërsa tek femrat më i përhapur është ai i gjirit.