Strugë, 12 shtator – Kanceri është sëmundje shëruese. Pas betejës së vështirë, jeta vazhdon më tej, vetëm pozitivisht dhe me mendime pozitive duhet të kalohet ajo periudhë e vështirë, porositën sot pjesëmarrësit e konferencës së parë rajonale “E kam një dëshirë” që mbahet në Strugë në organizim të shoqatës SANO.
Në konferencë marrin pjesë 40-të nxënës prej vendeve të ish-Jugosllavisë të cilët e kanë mposhtur kancerin dhe përvojat e tyre pozitive ua transmetojnë atyre të cilëve u nevojitet më së shumti për momentin, fëmijëve të sëmurë dhe prindërve të tyre.
Të pranishmit i përshëndetën ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, zëvendësi i tij Asim Musa, kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe kryetarja e shoqatës SANO, Marija Tasev.
Pacientëve të prekur nga kanceri, sipas ministrit Filipçe, u nevojitet mbështetje shumë e fuqishme, si gjatë mjekimit ashtu edhe pas mjekimit. Pikërisht pjesëmarrësit e konferencës u japin mbështetje pacientëve të tjerë që t’i tejkalojnë ditët e vështira. Paralajmëroi se Klinika për pediatri filloi projekt për mbështetjen psikologjike të pacientëve më të rinj por edhe familjeve të tyre.
“Në bashkëpunim me Institutin për psikologji këtë projekt planifikojmë ta zbatojmë edhe në klinika të tjera ku mjekohen pacientët me sëmundje onkologjike. Vlerësojmë se kjo mjaft pozitivisht mund të ndikojë në mjekimin e pacientëve. Kjo ka hyrë në shumë protokolle dhe në mënyrë serioze merremi me atë pjesë. Vlerësojmë se për një kohë të shkurtër me mbështetjen e madhe të psikologëve prej Katedrës së psikologjisë do të bashkohen dhe ky projekt do të funksionojë në klinikat tona”, theksoi Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë, shtoi, për momentin është duke punuar në përcaktimin e buxheteve për vitin e ardhshëm për sjelljen e ilaçeve, para së gjithash ilaçeve të shtrenjta të cilat kanë të bëjnë me pacientët e onkologjisë.
Për fëmijët të cilët e kanë mposhtur kancerin, kryetarja e SANO thotë se janë heronj, të cilët kanë arritur ta fitojnë një betejë shumë të madhe në jetë dhe sot janë shembull se si duhet jetuar me vlera të vërteta.
Kushtet për mjekim në spitalet e Maqedonisë, sipas saj, nuk janë gjithmonë të mira ndërsa prindërit e fëmijëve krahas sëmundjes ballafaqohen edhe me probleme të tjera. Veçanërisht ata me status më të ulët social kanë probleme me barëra, pizhame, çarçafë, të qëndrojnë në spital…