Dermatologu Agron Starova thotë se fillet e kësaj sëmundje vijnë nga djegia e diellit dhe është një ndër shkaktarët kryesorë të melanomës, por nuk përjashton faktin se ajo mund të jetë edhe trashëguese
Delvina KËRLUKU
Shkup, 4 qershor – Në Maqedoni vazhdon të rritet numri i pacientëve me kancer të lëkurës. Vetëm këtë vit raportohen 480 pacientë të diagnostifikuar me “melanoma malinje”, ndërkohqë që pacienti më i ri që vitin e kaluar ndërroi jetë pikërisht nga ky lloj i kancerit ishte 23 vjeç, shkruan gazeta KOHA. Specialistët alarmojnë se rastet e personave të prekur nga kjo sëmundje po vijnë gjithnjë e në rritje. Ata thonë se kanceri i lëkurës po prek edhe të rinjtë. Edhe pse askush nuk është i mbrojtur nga melanoma, mjekët thonë se ajo mund të parandalohet duke filluar me një vetëkontroll.
Dermatologu Agron Starova thotë se fillet e kësaj sëmundje vijnë nga djegia e diellit dhe është një ndër shkaktarët kryesorë të melanomës, por nuk përjashton faktin se ajo mund të jetë edhe trashëguese.
Por nëse diagnostikohet me kohë, shanset e shërimit janë të suksesshme. Kjo është arsyeja pse mjekët bëjnë thirrje për vizitë mjekësore nëse pacientët shohin edhe ndryshimin më të vogël në lëkurë, apo edhe paraqitjen e gungave.
“Shkaqet janë në një bazë gjenetike, dhe e dyta – vjen si rezultat i rrezeve të diellit, shkak ky që është edhe arsyeja kryesore për paraqitjen e karcinomit të lëkurës”, thotë për gazetën KOHA, doktor Starova. Nga djegia e diellit ka pësuar edhe Atdheu, 48-vjeçar, i cili sot bën shumë kujdes për trupin e tij.
“Kam probleme me lëkurën, sa dal në diell, kam reaksione. Vitet e para të adoleshencës nuk jam kujdesur nga rrezet e diellit. Një herë jam djegur gjatë rrezitjes në plazh aq shumë dhe mu bë trupi me puçrra. Jam vizituar te mjeku dhe tashmë bëj kujdes të vazhdueshëm. Kur dal të në pazar, vë kapele, syze dhe nga brezi e lart vishem me këmishë me mëngë të gjata. Ndërsa kur shkoj në det, tërë kohën rri nën çadër. Përdor vitamina dhe kremin mbrojtës”, thotë Atdheu.
Dr.Starova thotë se diagnoza identifikohet në pasqyrën klinike edhe me metodat si demorskopi, me të cilën me shumë siguri mund ta vërtetojmë është apo jo karcinom. “Nëse është karcinom, mjekimi është në bazë kirurgjike vetëm me operacion. Por ne duhet ta konstatojmë sa më herët se është karcinom, që rezultatet nga mjekimi të jenë më efikase, atëherë kur karcinomi ka madhësi më të vogël. Ne kemi rastin e melanomit që është një prej karcinomeve, dhe mjekimi është qind për qind i suksesshëm nëse është me madhësi deri në 6 milimetra. Edhe kur e kemi këtë madhësi dhe e bëjmë operacion, rezultatet dhe prognoza janë shumë më të mira. Nëse karcinomi është më i madh, shanset janë që të përhapet edhe në organet e tjera, posaçërisht në tru, në mushkëri dhe në mëlçi, Këto janë pjesë që përthithin më shumë metastaza”, sqaron doktor Starova.
Por, ai shton se personat duhet të jenë të kujdesshëm në rast se paraqitet ndonjë shqetësim në lëkurë dhe duhet të paraqitet te mjeku.
“Mentaliteti i shoqërisë tonë është i vakët për t’u vizituar te mjeku. Kur të paraqitet një shenjë në trup që gjatë kohë nuk shërohet, në vendet ku ekspozohet si në fytyrë, dorë, këmbë, te femrat posaçërisht te këmbët dhe nuk është e qartë se çfarë është, patjetër që duhet vizitë te mjeku dhe nuk duhet të humbim kohë. Sepse, nëse vizitohemi më shpejtë – shanset janë që të konstatojmë se çfarë është dhe mundësitë për mjekim janë më të mëdha. Duhet kontroll që të dihet çfarë ka pacienti dhe në bazë të diagnozave që i kemi, të jepet terapia. Nëse nuk zhduket vetvetiu shenja për shtatë ditë, katërmbëdhjetë ditë ose për tre javë, patjetër vizitë te mjeku”, tha Starova.
Edhe për kirurgen Sofija Pejkova, personat me shqetësime në lëkurë kanë përherë kohë të shërohen nëse vizitohen në mjek apo spitale. “Shumë shpesh te pacientët ka një mendim se nëse ka një ndryshim në lëkurë, ka kohë. Por është një humbje kohe vetëm të mendosh. Çdo ditë e humbur merr kohën për trajtim. Për çdo ndryshim duhet të bëjmë një konsultim me një ekspert”, thotë Sofja Sofja Pejkova.
Dr.Statova sugjeron që pacientët me lëkurë të ndjeshme t’i shmangen diellit nga ora 11 deri në ora 16, sidomos ata që shkojnë në plazhe, të shmangin të njëjtat në këtë orë kur rrezet e diellit janë shumë të rrezikshme. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit zbulohen rreth 232.000 raste të reja të kancerit të lëkurës, ndërsa 55.000 njerëz vdesin çdo vit nga sëmundja e lëkurës. (koha.mk)