Komuna e Tetovës, siç ka thënë Teuta Arifi, ka ndarë 5 milionë denarë për projektimin dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik për trajtimin e ujërave të zeza, por vetëm për projektin në letër. Megjithatë, ajo nuk ka dhënë detaje se kur do të fillojë të realizohet i njëjti
Urim HASIPI
Tetovë, 3 janar – Një pjesë e fshatrave të Malësisë së Tetovës vazhdojnë të kenë mungesë së kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndërkohë që pjesa me kanalizimin fekal apo ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në lumin Shkumbin dhe ndot të njëjtin përgjatë rrjedhës. Edhe pse banorët e këtyre fshatrave disa herë kanë kërkuar të rregullohet ky problem, deri më tash nuk ka asnjë informacion zyrtar se kur do të fillojë të realizohet, përveçse projektit ideor, shkruan gazeta KOHA.
Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se janë ndarë 5 milionë denarë për projektimin dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik për trajtimin e ujërave të zeza. Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në fjalimin e saj të fundvitit. Sipas saj, janë ndarë 5 milionë denarë, por vetëm për projektin në letër, megjithëse nuk ka dhënë detaje se kur do të fillojë të realizohet i njëjti.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nënshkruam kontratën për ndarje të mjeteve financiare në lartësi prej 5 milionë denarësh, me të cilat do të bëhet projektimi dhe përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtim të sistemit të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në fshatrat e Malësisë së Tetovës”, deklaroi Arifi. Megjithatë, deri më tash nuk ka asnjë informacion zyrtar se kur do të fillojë të realizohet në terren ky projekt dhe se a janë siguruar mjete. Po ashtu nuk dihet se kush do të financojë realizimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik në këto fshatra.
Pikërisht, rregullimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik, do të ndikonte që të mos ndotet edhe uji i lumit Shkumbin. Autoritetet shëndetësore që merren me analizën e cilësisë së ujit në rajonin e Tetovës, thonë se një nga shkaktarët e ndotjes është edhe ujërat që derdhen nga fshatrat e Malësisë. Sipas analizave të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë të bëra për cilësinë e ujit të lumit Shkumbin, rezultatet kanë nxjerrë rezultate mesatare për ujin në këtë lum, por i njëjti është i ndaluar për larje për qytetarët gjatë periudhës së verës.
Nga kjo qendër thonë se masa e ndotjes së lumit Shkumbin është në kategorinë e tretë. “Krahas ndotjes që i bëhet ujit gjatë rrjedhës në qytet nga hedhurina të ndryshme, po ashtu i njëjti ndotet nga kanalizimi fekal që derdhin disa fshatra të Malësisë së Sharrit, të cilët nuk e kanë rregulluar çështjen e kanalizimit. Nuk i cek emrat e fshatrave, të cilët lëshojnë kanalizimin në këtë lum, por sipas analizave tona, uji është ndotur deri në masën tre, pra që nuk bëhet fjalë për ndonjë ndotje të madhe, por ndotje të pjesërishme”, thonë nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë.
Kësisoj, më shumë se 5000 banorë të fshatrave Llacë, Sellcë e Vicë të Malësisë së Tetovës, për çdo ditë përballen me papastërti dhe aromë të keqe që shkaktohet nga kanalizimi i ujërave të zeza, por ajo që është më e problematike, është se ky ujë tashmë derdhet në lumin që kalon përmes qytetit të Tetovës. Pikërisht vite me parë, autoritetet vendore kanë vendosur shenjën që ndalon notin në këtë lum, ngase në të kaluarën fëmijët e shfrytëzonin dhe ekzistonte rreziku për përhapje të ndonjë epidemie. (koha.mk)