Patriot LUMANI
Strugë, 8 shkurt – Edhe pse është paralajmëruar prej dy vjetësh që punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Frëngovë, do të fillonin në teren akoma nuk ka asnjë lëvizje, ankohen banorët lokal të këtij vendbanimi të Strugës, shkruan gazeta KOHA. Ata shprehin dyshues se me shumë gjasë ky investim për të cilin është siguruar financimi, do të prolongohet në një kohë tjetër si në shumë vendbanime të tjera të Strugës ku janë dashur vite të tërë për jetësimin e projekteve të kësaj natyre. Në lidhje me këtë shqetësim të banorëve të këtij vendbanimi, nga Komuna e Strugës, sigurojnë se investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat të Strugës, është punë e kryer dhe të vetmet pengesa të momentit janë procedurat ligjore pronësoro-juridike që po mbajnë peng realizimin e projektit. Vendorët pohojnë se tashmë si nga aspekti procedural dhe ai i përpilimit të projektit gjithçka është gati, përveç faktit që akoma pronarët e parcelave ku kalon gjurma e rrjetit të kanalizimit nuk kanë dhënë pëlqimin për eksproprijimin e përkohshëm të pronës. Krenar Lloga, sekretar i Komunës së Strugës thotë për KOHA se pavarësisht faktit që granti është i siguruar, do ishte praktike që edhe kjo pengesë të tejkalohet në mënyrë që investimi të kryhet dhe ato mjete të shfrytëzohen. Lloga shpreson se në bashkëpunim edhe me Bashkësinë Lokale të Frëngovës kjo problematikë të tejkalohet në mënyrë që ky investim kaq i domosdoshëm të jetësohet.
Ndërkohë Zyber Musai, kryetar i BL-së, së Frëngovës në një deklarim të mëhershëm sqaroi se në këtë drejtim BL-ja e Frëngovës në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar që ky fshat të përfitojë këtë investim, i cili në masë do të ndikojë për përmirësimin e predispozitave higjienike të këtij vendbanim në rast se realizohet. “Jemi informuar që Frëngova është përzgjedhur për këtë iunvestim dhe presim që i njëjti në një kohë të afërme edhe të jetësohet .Ne si lokalitet në këto vite kemi kërkuar me ngulm këtë investim por edhe ndërhyrje të tjera në funksion të përmirësimit të kushteve për 2 mijë banorët e fshatit tonë”, përfundon ai. Në lidhje me këtë shqetësim të banorëve të këtij vendbanimi, nga Komuna e Strugës, sigurojnë se investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat të Strugës është punë e kryer dhe të vetmet pengesa të momentit janë procedurat ligjore të cilat marrin kohën e tyre. (koha.mk)