Problemi i ujërave të zeza nuk është evident vetëm në fshatrat e Komunës së Zhelinës, por edhe në shumë fshatra tjera të komunave të Pollogut
Urim HASIPI
Tetovë, 24 shtator – Përmbyllet faza e fundit e kanalizimit fekal për Lagjen e re në fshatin Zhelinë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, duke nënvizuar se bëhet fjalë për kanalizim në gjatësi prej 985 metra. I gjithë ky projekt ka kushtuar 6.8 milion denarë, tha kryetari Sejdiu. “Bëhet fjalë për një kolektor fekal, kurse mjetet janë marrë nga ana e Ministrisë së Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Jemi në përfundim e sipër të rrugës në këtë lagje ku është vendosur rrjeti i kanalizimit fekal. Me këtë ne përmbyllim kanalizimin fekal në këtë fshat dhe do të vazhdojmë edhe në fshatrat tjerë”, tha Sjediu.
Ai nënvizoi se në të ardhmen do të angazhohet që asnjë fshat në këtë territor të mos mbetet pa rrjet të kanalizimit fekal. “Angazhimi ynë që nga fillimi i mandatit ka qenë që të përmirësohet infrastruktura në vendbanimet e fshatrave që gravitojnë në Komunën e Zhelinës. Synimi ynë është që këto vendbanime të kenë rrjet të kanalizimit fekal dhe shpresojmë se me projektet e radhës do të arrijmë edhe këtë qëllim”, pohon Sejdiu.
Kreu i Komunës së Zhelinës sqaron se projektet e këtilla kanë për qëllim që të përmirësohet infrastruktura në këto vendbanime. “Pikat e reja të kanalizimeve do të zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemin e ujërave të zeza në shumicën e lagjeve dhe vendbanimeve. Falë këtyre investimeve dhe menaxhimit të mirë, jemi duke investuar në infrastrukturën e çdo vendbanimi të Komunës së Zhelinës” deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Ai është shprehur se kur ka vullnet të mirë në mes pushtetit lokal dhe atij qendror nuk mungojnë edhe projektet që janë në të mirë të qytetarëve. “Zakonisht si administratë e Komunës jemi angazhuar që të kemi një bashkëpunim më të mirë me pushtetin qendror. Dihet se projektet infrastrukturore për t’u realizuar kërkojnë mjete që komunat realisht nuk mund t`i sigurojnë. Kur ka një vullnet të mirë mes dy pushteteve, atëherë edhe realizimi i projekteve në terren nuk mungon. Angazhimi ynë në këtë drejtim do të jetë edhe më tej që të punojmë për të mirën e qytetarëve”, u shpreh Sejdiu.
Problemi i ujërave të zeza nuk është evident vetëm në fshatrat e Komunës së Zhelinës, por edhe në shumë fshatra tjera të komunave të Pollogut. Zakonisht ky problem shfaqet gjatë reshjeve të shiut, kur ujërat e zezë dalin në sipërfaqe dhe vërshojnë rrugët. (koha.mk)