Parlamenti kanadez ka iniciuar të enjten një peticion elektronik, me të cilin do të përcaktoheshin bazat ligjore që do ta bënin të ndëshkueshëm përbrenda kufijve të këtij shteti mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Peticioni elektronik, i publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit kanadez, është iniciuar nga ana e drejtorit të Institutit të Kanadasë për hulumtimin e gjenocidit, Emir Ramiq, transmeton Koha.net. Ky peticion është i hapur për nënshkrim deri më 10 janar të 2019-s dhe në mënyrë që të jetë i suksesshëm dhe i lexuar në Parlament nevojiten të paktën 500 nënshkrime. Ndërkaq, iniciatori Ramiq ka bërë të ditur se tanimë janë mbledhur më shumë se 650 nënshkrime.
Pas nënshkrimit dhe nxjerrjes së peticionit për miratim në Parlament, dokumenti do t’i dërgohet Qeverisë kanadeze, e cila duhet të japë përgjigje brenda një afati kohor prej 45 ditësh. Ramiq ka bërë të ditur se baza ligjore për sanksionimin e mohuesve të gjenocidit të kryer në Srebrenicë mbështetet në vendimin e plotfuqishëm të gjykatës ndërkombëtare në Hagë, rezolutave detyruese të parlamenteve të më se 30 shteteve të botës si dhe, në veçanti, dy rezolutave rreth gjenocidit në Srebrenicë të miratuara në Parlamentin kanadez.
Me miratimin e një ligji për ndalimin e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, Kanadaja do t’i kontribuonte të vërtetës dhe drejtësisë dhe do të hidhte një hap të madh drejt parandalimit të gjenocideve të tjera nëpër botë. (koha.net)