Otavë, 17 tetor – Kanadaja nga sot u bë vendi i dytë, pas Uruguait, e cila legalizon posedimin dhe përdorimin rekreativ të kanabisit.
Kanadezëve nga sot u është lejuar të kultivojnë, posedojnë dhe konsumojnë kanabis për qëllime rekreative.
Derivatet e kanabisit, siç janë ushqimi, kozmetika ose cigaret elektronike me marijuanë, do të lejohen nga viti 2019, ndërsa sipërmarrësit kanadezë tanimë kanë filluar përgatitjet që të zënë vend në tregun i cili premton.
Pasi kryeministri liberal Xhastin Trudo u zgjodh nga fundi i vitit 2015, tregjet financiare hyrën në biznes të ri dhe prodhuesit kanadezë të kanabisit tanimë po përfitojnë miliarda. Tre kompanitë më të mëdha të renditura në Bursën në Toronto tanimë kanë akumuluar më shumë se 30 miliardë dollarë kanadezë (19,9 miliardë euro).
Legalizimi do të duhet ta stimulojë ekonominë kanadeze dhe të prodhojë midis 816 milionë dhe 1,1 miliardë dollarë të ardhura të reja në kuartalin e katërt nga viti vijues. Këtu nuk është llogaritur tregu ilegal i cili prodhon një të katërtën nga të gjithë “xhointët” e pirë në Kanada, tregojnë të dhënat e Byrosë statistikore kanadeze.
Byroja statistikore vlerëson se 5,4 milionë kanadezë, ose 15 për qind e popullatës, deri në fund të vitit 2018 do të blejnë kanabis në dyqane të autorizuara.
Jashtë shtetit me vëmendje do të ndiqet përvoja kanadeze, deklaroi që në maj kryeministri Trudo.
“Aleatët me të cilët bisedova dëshirojnë të shohin se si do të shkojnë gjërat tek ne…para se edhe vetë të hynë në këtë. Nëse gjërat funksionojnë mirë, ndërsa unë pres që kështu të jetë, besoj se edhe vendet e tjera do të na ndjekin”, tha Trudo.
Përgatitjet tanimë janë në vijim në disa rajone dhe vendbanime, ndërsa autoritetet lokale dhe firmat do të duhet të harmonizohen me ligjin e ri.
Parlamenti federal në pranverë e votoi legalizimin e kanabisit i cili në Kanada ishte i ndaluar në vitin 1923, por reformën do ta zbatojnë dhjetë krahina federale dhe tre territore. Disa tanimë paralajmëruan se tërësisht nuk do ta zbatojnë ligjin e ri.
Për shembull, me ligjin e ri federal çdo amvisëri do të mund të kultivojë deri në katër fidanë kanabis, por krahina qendrore kanadeze Manitoba dhe krahina lindore Kuebek u prononcuan se do ta ndalojnë kultivim, edhe pse për këtë fjalën e fundit e ka Gjykata Supreme.
Njëjtë si edhe për prodhimtarinë dhe shpërndarjen e alkoolit dhe duhanit, krahinat vetë do të vendosin për kufirin e moshës. Në shumicën kufiri është 19 vjeç, por në Alberta është 18, ndërsa Kuebeku dëshiron ta rrisë kufirin në 21 vjeç.
Lidhur me komercializimin, disa nga krahinat, midis të cilave edhe Kuebeku, dëshirojnë të kenë monopol, ndërsa të tjera si Ontario ose Skocia e Re vendosën që këtë biznes do t’ia lënë sektorit privat.
Më ndryshe do të jenë rregullat edhe për pjesëtarët e policisë federale. Të punësuarit në policinë federale do të mund të përmbahen nga përdorimi i kanabisit 28 ditë para pune, ndërsa rregullativë e tillë do të zbatohet edhe në Toronto. Në Montreal nga nëpunësit policorë vetëm kërkohet që të kthjellët të shkojnë në punë.
Kanabisi nuk do të mund të përdoret gjithkund. Në disa qytete, si për shembull Montreal, për përdorim të kanabisit do të vlejnë të njëjtat rregulla si për cigaret. Në disa qytete të tjera, pirja e “xhointit” do të jetë e lejuar vetëm në shtëpi.