Drita e Gjilanit me mision historik në Varshavë, aty ku do të përballet me Legian në raundin e tretë kualifikues të Europa League-s! Skuadra kampione e Kosovës para një mundësie të jashtëzakonshme për të arritur atë që klubet e Kosovës e kanë ende një ëndërr: kualifikimin në play off e pse jo edhe në grupe. Shorti nuk u tregua aspak bujar me “intelektualët” e Gjilanit, pasi Legia e Varshavës është një skuadër shumë e fortë, 14 herë kampione e Polonisë dhe vetëm pak vite më parë ishte në grupet e Championsit, përballë Real Madridit, megjithatë, “lufta” nuk mund të quhet e humbur pa derdhur edhe pikën e fundit të djersës në fushën e blertë.
Skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu i duhet një mrekulli, nga ato që ndodhin rrallë, por ndoshta ky është momenti që futbolli kosovar në rang klubesh të ndriçojë në Europë, ashtu siç po ndriçojnë dardanët e Challandes.
“Kosova po përparon shumë në futboll dhe ne si kampion kemi ambiciet tona në ndeshjen ndaj Legias, pra nuk do të dalim në fushë për të humbur. Po ashtu ne kemi një përparësi të vogël për shkak se e njohim më mirë Legian. Mbi të gjitha është vetëm një ndeshje dhe ne kemi gjasa, në të kundërtën po të ishin dy ndeshje atëherë gjasat do të ishin minimale. Në një ndeshje është gjithçka e mundur, përkundër që është vështirë”, ka thënë Nuhiu.
“Ne i kemi shikuar disa ndeshje të Legias dhe mendoj se e njohim mjaft mirë pasi i kemi parasysh pikat e dobëta dhe të forta. Pra, kemi një plus për këtë ndeshje dhe besoj në një paraqitje të mirë”, ka shtuar Nuhiu.
Cekim, Drita mbërriti në rundin e tretë të Europa League-s pasi eliminoi Silekesin e Maqedonisë së Veriut, një sukses morali edhe për përfaqësuesen e Kosovës, që pikërisht përballë Maqedonisë së Veriut do të luajë shansin historik për t’u kualifikuar në Europian. Duhet kujtuar se u nxor me pa të drejtë nga Championsi, për një rast Koronavirusi, pa mundur të zbresë në fushë ndaj Linfieldit.
Drita e ka përgatitur me shumë përgjegjësi këtë sfidë në kompleksin “tropikal” në Durrës, e izoluar dhe e motivuar në maksimum për këtë përballje me historinë. Sytë dhe zemrat e tifozëve shqiptarë do të jenë me “intelektualët”, për të përjetuar çdo emocion që do të dhurojnë kampionët e Kosovës.
Takimi Legia e Varshavës – Drita do të transmetohet drejtpërdrejt në SuperSport, në orën 20:30.