Notari italian Filippo Magnini, 4 herë kampion bote në në stilin e lirë dhe stafetë, është pezulluar për 4 vjet nga të gjitha aktivitetet për shkak të dopingut. Në fakt, kërkesa e prokurorisë italiane antidoping ishte për 8 vjet pezullim, por gjykata antidoping vendosi për një pezullim 4-vjeçar. Notari kishte deklaruar disa herë se është i pafajshëm dhe e kishte treguar këtë gjë edhe gjatë hetimeve.
Madje për një periudhë kohe kjo çështje u arkivua nga gjykata, por prokuroria nuk hoqi dori dhe sot erdhi vendimi. Notari “azzurr” ka deklaruar se do ta apelojë çështjen, fillimisht në Itali dhe më pas, nëse do të jetë e nevojshme edhe pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS).
“Unë kam thënë gjithnjë të vërtetën, ndaj jam i qetë. Nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje “, tha Magnini, që është tërhequr nga sporti një vit më parë, Bashkë me të, po 4 vjet, u pezullua edhe Michele Santucci. Gjatë karrierës së tij, Magnini nuk ka rezultuar asnjëherë pozitiv, por emri i tij ishte i lidhur me atë të Guido Porcellini, nutricionist, që është pezulluar 30 vjet.