Leopoldo Luque, ish-lojtar i Rosario, Racing, River dhe kampion bote me Argjentinën në vitin 1978, foli për mikrofonat e programit “Súper Deportivo” të “Radio Villa Trinidad”. Aty analizoi Albiceleste, që e nisi në mënyrën më të keqe “Copa America”, duke u mundur 2-0 në ndeshjen e parë. Kritikat ndaj Leo Messit me shokë, pas disfatës me Kolumbinë, kanë qenë të shumta. Diego Maradona i quajti “bij kur…sh” lojtarët e kombëtares, duke thënë se po turpërojnë historinë e fanellës që mbajnë veshur.
Luque e përqendroi kritikën e tij ndaj Ángel Di Maria: “Unë nuk e di nëse e ka marrë me qira, apo e ka blerë vendin në ekipin kombëtar. Krejt ekipi nuk zhvilloi një ndeshje jo të mirë ndaj Kolumbisë, por ai ishte në gjendjen më të keqe”.
Ai, gjithashtu, foli për Leo Messin dhe qëndrimin e tij në fushë. Kampioni i botës në vitin 1978 nuk mund t’i shmangte dot krahasimet e yllit të Barcelonës me Diego Armando Maradona:
“A është gjithçka në rregull me të? Më lë të habitur, kur bën lëvizje të caktuara dhe gola spektakolarë, por ka raste, që gjërat nuk shkojnë si duhet me të, sidomos në kombëtare. Messi nuk imponohet dot me çdo gjë që di. Kur Maradona e merrte topin në këmbë, kundërshtarët dribloheshin si birila prej tij. Historia ishte e ditur. Ai kishte më shumë karakter”.