Krahasimi i të dhënave lidhur me arsimin e përjetshëm tregon se me 2.2 për qind të popullatës ngecim pesë herë në raport me mesataren evropiane prej 10.8 për qind të popullatës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 janar – Maqedonia me nivelin e përdorimit të internetit (76 për qind e popullatës) shumë pak ngec në raport me mesataren evropiane prej 85 për qind të popullatës në 28 shtetet e Bashkimit Evropian. Bile si shtet me përqindjen e popullatës që përdor internetin jemi edhe para Italisë me 73 për qind, Kroacisë me 69 për qind, Bullgarisë me 66 për qind, Greqisë dhe Rumanisë me nga 70 për qind. Kampion të Evropës në përdorimin e internetit janë Suedia me 97 për qind, Finlanda me 94 për qind dhe Britania e madhe me 95 për qind, shkruan gazeta KOHA.
Krahasimi i të dhënave lidhur me arsimin e përjetshëm tregon se me 2.2 për qind të popullatës ngecim pesë herë në raport me mesataren evropiane prej 10.8 për qind të popullatës.
Kjo me fjalë të tjera do të thotë se për shkaqe objektive apo subjektive, popullata në Maqedoni shumë pak është e interesuar që të merr një certifikatë me të cilën do të vërtetojë aftësitë e saja, apo se pak është e interesuar të avancohet në punë. Në Evropë në vendin e parë lidhur me mësimin gjatë tërë jetës është Suedia me 30.4 për qind ,e pasuar nga Finlanda me 27.4 për qind dhe Danimarka me 26.8 për qind, si shtete që dallohen me fuqi punëtorë mirë të paguar, standard të mirë të jetesës, ekonomi më shumë se të suksesshme si dhe me standarde shumë të larta demokratike edhe në raport me një mesatare evropiane.
Nga ana tjetër, në Evropë nivel më të ulët të arsimit të përjetshëm kanë Kroacia dhe Bullgaria me nga 2.3 për qind, Greqia me 4.5 për qind dhe Sllovakia me 3.4 për qind. Përqindje më të ulët bile edhe se Maqedonia të këtij treguesi të arsimit tregon Rumania me vetëm 1.1 për qind të popullatës të interesuar për arsim të përjetshëm.
Në vitin 2017 në Maqedoni kanë qenë të punësuar 740.648 punëtorë, ndërsa prej kësaj shifre gjysma janë të angazhuar në sektorin prodhues apo që ndërton diçka. Analizat e Entit të Statistikës tregojnë se në vë vitin 2017 në Maqedoni në industrinë përpunuese kanë qenë të punësuar 143.253 punëtorë, në bujqësi kanë qenë të punësuar 120.311 punëtorë dhe në ndërtimtari kanë qenë të punësuar 53.391 punëtorë. Nga ana tjetër, në tregti kanë qenë të punësuar 108.869 punëtorë, në arsim kanë punuar 43.973 punëtorë, ndërsa në sektorët dhe veprimtaritë e tjera kanë qenë të angazhuar 270.851 punëtorë, shkruan KOHA.
Nga ana tjetër, analiza krahasuese e të dhënave më tej tregon se për një vit shkollor në Maqedoni shënohet ulje e nxënësve dhe studentëve të regjistruar.
Në vitin shkollor 2016-2017 në vend kanë qenë të regjistruar 76.394 nxënës, ndërsa në vitin 2017-2018 kanë qenë të regjistruar 71.458 nxënës. Ulje për një vit shënon edhe numri i studentëve të regjistruar nga 61.488 në 60.010 studentë nga 2016-ta në 2017-ën.
Kjo do të thotë se për një vit janë regjistruar në shkollat e mesme 4 936 nxënës më pak si dhe 1477 studentë më pak. Nga ana tjetër 59 për qind e nxënëseve regjistrohen në shkollat e mesme profesionale. Në këtë dominon me 23 për qind , drejtimi i shëndetësisë, me 22 për qind drejtimi ekonomik-juridik, dhe ai elektroteknik me 14 për qind. Në vitin shkollor 2017-2018 në shkollat private janë regjistruar 355 nxënës më pak se në vitin shkollor 2016-2017, ndërsa në raport me vitin shkollor 2007-2008 janë regjistruar 922 nxënës më pak.
Në vitin 2017 kanë diplomuar 10.731 studentë, prej të çilëve 5971 të shkencave shoqërore, 1657 të shkencave teknike, 1657 të shkencave tekniko-teknologjike, 1332 të shkencave humane, 498 të shkencave natyrore-matematikore, 900 të shkencave mjekësore dhe 373 të shkencave bioteknike. Ndryshe, në vitin 2017 në raport me një vit më parë është rritur sasia e mbeturinave komunale prej 379 në 384 kilogram për kokë banori. Njëherazi është ulur konsumi i prodhimeve të naftës për 5.1 për qind. (koha.mk)