Kastriot Dervishi, ish drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, ka publikuar informacione në lidhje me një kamp pune për të internuarit në Valias të Tiranës. Studiuesi shkruan në një shënim në “Facebook”, se ky kamp i regjimit komunist ka përndjekur kryesisht shqiptarë nga jugu i vendit dhe pjesëtarë të minoritetit grek. Aty internoheshin edhe fëmijë, tregon historiani.
Ja shkrimi i plotë i tij:
Kampi tela me gjemba nr.3 (në fund nr.5), në Valias, Cërrik dhe Tiranë, në vitet 1948-1953
Një prej kampeve tela me gjemba më të panjohur është ai që njihet me numrin 3 e më pas atë 5. Ky kamp ka përndjekur kryesisht shqiptarë nga jugu i vendit dhe pjesëtarë të minoritetit grek. Kampi është çelur në vitin 1948 pranë fermës “Ylli i Kuq” në Valias nëpër çadra e stalla, shtëpi të vjetra. Këtu janë mbajtur për punë të detyruar të internuar dhe të burgosur. Në fillim, kampi shërbeu si vend për grumbullimin e “monarko – fashistëve grekë”, por edhe robërve gjermanë. Të internuarit punonin në bujqësi. Sipas raportit të datës 13.8.1948 në punë dilnin 89 të internuar, përfshi edhe fëmijët për 3 orë në ditë. Në janar – maj 1950 punuan këtu rreth 200 robër gjermanë, të cilët regjimi “nuk i edukoi dot politikisht”.
Sipas të dhënave të vitit 1950 në Valias ishte kjo dinamikë vjetore e të internuarve:
– Gjithsej: 475 – 820 veta.
– Burra 70 – 152
– Gra 164 – 130
– Fëmijë 500 – 800
Në vitin 1951 në kamp mesatarisht sipas gjithë muajve të vitit ishin:
– Gjithsej: 741 (janar) – 872 (shtator)
– Burra 161 – 193
– Gra 284 – 325
– Fëmijë 296 – 350
Në vitin 1952 në kamp mesatarisht sipas gjithë muajve të vitit ishin:
– Gjithsej: mesatarisht deri 400 të internuar.
– Burra rreth 120
– Gra rreth 190
– Fëmijë rreth 90
Në vitin 1952 kampi zhvendoset në Cërrik. Në dokumentet që kemi trashëguar (gusht 1952) të komisionit të internimeve fillojnë të duken vendimet për dëbime në “kampin e Cërrikut”. Kampi ka funksionuar deri në fund të vitit 1952. Këtu kanë punuar në ndërtimin e uzinës së naftës. Të internuarit janë shpërngulur dhe vendosur në kampin Tiranës (fabrika e tullave) i cili mori numrin 3. Te fabrika e tullave u sollën edhe të internuarit e shëndoshë që rrinin në Tepelenë. Puna këtu ishte me turne, çdo turn e kishte normë të prodhonte 20.000 tulla, për të ndërtuar shumë pallate në Tiranë. Pasi kampi i Cërrikut është mbyllur, numrin 3 e merr kampi i Kamzës. Por numrin e nuk e mbajti më shumë se disa muaj. Pasi kampi i të burgosurve 5 (më vonë reparti 305) mori numrin 3, kampi i të internuarve Kamëz mori përfundimisht numrin 5. U mbyll në vitin 1953 me mbylljen e kampeve tela me gjemba. Bashkëlidhur statistikat e internimeve të vitit 1952.