Përderisa autoritet e Komunës së Sarajit janë në pritje të vendimit të Qeverisë, që Liqeni i Treska të shpallet Zonë e Lirë Turistikë, qytetarët të cilët i posedojnë kamp shtëpizat në këtë vend për rekreacion kanë filluar t’i largojnë. Një pjesë e tyre në pamundësi për të gjetur lokacion të ngjashëm kamp shtëpizat e tyre i kanë nxjerrë në treg për shitje
Omer XHAFERI
Shkup, 8 janar – Vendimi për dislokimin e kamp shtëpizave nga Liqeni i Treskës, ka ndikuar që shumë qytetar të njëjtat t’i nxjerrin në shpallje publike për shitje. Kryesisht nëpër faqet e internetit ku bëhet shitblerja e ndryshme e mallrave ditëve të fundit mund të vërehen ofertat për shitjen e kamp shtëpizave nga ky lokacion për rekreacion. Çmimet për një kamp shtëpizë lëvizin nga 400 euro e përpjetë, varësisht prej madhësisë. Në kuadër të kompleksit të Liqenit Treska, po ashtu figurojnë edhe një varg objektesh tjera të cilët me vite janë jo funksionale, e të cilat sipas vendimit të Komunës së Sarajit, po ashtu do të largohen. I gjithë ky proces i pastrimit të hapësirës së Liqenit Treska, është pjesë e procedurës që brenda këtij viti kjo hapësirë për rekreacion të shpallët Zonë e Lirë Turistike e Komunës së Sarajit. Miratimi i një vendimi të tillë i cili duhet të bëhet me pëlqimin e Ministrisë së Ekonomisë, do të krijonte kushte që në Liqenin e Treskës të mund të investohet kapital i huaj.
“Plani Detaj Urbanistik jashtë vendbanimit siç e kemi quajtura ne planin për Liqenin Treska, parasheh ruajtjen e karakterit të zonës që ka qenë më herët për sport dhe rekreacion, ku do të ketë edhe objekte përcjellëse, hotelerike, aqua parqe, stadiume dhe trim shtigje. Aty janë të ndara në katër parcela ndërtimore. Karakteri i Liqenit të Treskës do të mbetet i njëjti dhe do të ketë një objekt hotelerik me kapacitet pak më të madh, dhe tjerat do të jenë objekte përcjellëse që do t’i takojnë sportit dhe rekreacionit. Marrëveshja ishte që fillimisht të miratohet PDL nga ana e komunës, pastaj Qeveria ta sjellë vendimin që kjo të shpallët Zonë Turistike Zhvillimore”, thonë nga Komuna e Sarajit, për gazetën KOHA.
Nga ana tjetër një pjesë e pronarëve të kamp shtëpizave të cilët rregullisht e kanë vizituar Liqenin e Treskës, e që kanë kryer investime dhe i kanë mirëmbajtur pronat e tyre kanë paralajmëruar protesta para Qeverisë për vendimin për dislokim. Sipas vendimit të Komunës së Sarajit, ata kanë afat prej 60 ditësh që t’i largojnë kamp shtëpizat e tyre. Ndryshe, një gjë të tillë do ta bëjnë autoritet e kësaj komune. Arsye shtesë për miratimin e vendimit për largimin e kamp shtëpizave ka qenë edhe uzurpimi i hapësirave përreth kampeve dhe vërejtjet të cilat i ka dhënë inspektorati i mjedisit pranë Komunës së Sarajit. Ndryshe, kompleksi i Liqenit Treska, është i ndërtuar 40 vite më parë me kontribut të banorëve të Shkupit. Hapësira prej 130 mijë m2 kulminacionin e vizitave e kishte arritur gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta. Gjatë kësaj kohë ajo është vizituar edhe nga krerët më të lartë të ish-Jugosllavisë, përfshi edhe Josip Broz Titon. Mirëpo, prej më tepër se 20 vite ky kompleks zyrtarisht është jashtë funksionot, respektivisht për shkak të ndotjes së ujit nuk lejohet noti. Megjithatë, hapësirat përreth në vazhdimësi janë shfrytëzuar për pushime, sidomos gjatë vikendeve. (koha.mk)