Kamikazët dhe arma e fundit

Pilotët kamikazë të Japonisë si dhe sulmet e tyre vetëvrasës kundër anijeve luftarake amerikane në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore mbeten një prej kujtimeve më terrorizues të kësaj lufte. Sot, shtatë vjet pasi pilotë kamikazë (këtë herë terroristë islamikë) vranë me mijëra vetë në Nju Jork dhe në Uashington, dhe teksa terroristët kamikazë vrasin me mijëra civilë të pafajshëm në të gjithë botën, është e rëndësishme të theksohet se historia e tregon qartë që, ata të cilët përdorën në mënyrë sistematike mjetet vetëvrasës të luftës, në fund të fundit e humbën luftën. Kamikazët, që do të thotë “Erë hyjnore” ishin përpjekja e fundit e Japonisë për të ekuilibruar disi avantazhin teknologjik dhe material gjithnjë në rritje që forcat amerikane kishin teksa përparonin drejt Japonisë. Taktika e sulmeve të kamikazëve u sugjerua në 19 tetor të vitit 1944, nga zëvendës admirali Onishi i Marinës Japoneze, në kohën kur ai u ngarkua që të komandonte sulmet nga ajri kundër flotës së madhe pushtuese amerikane të Filipineve. Pasi mori detyrën, Onishi kuptoi se kishte në dispozicion më pak se 100 avionë në gjendje pune për ta përmbushur atë. Nuk ekzistonte asnjë mënyrë për të fundosur, apo qoftë edhe për të dëmtuar rëndë flotën amerikane sipas taktikave tradicionale, kështu që admirali kish nevojë për një shumëfishues forcash, një mënyrë për të arritur një fuqi sulmuese shumë herë më të madhe, nga ajo forcë që kish në dispozicion.

Zgjidhja ishte e qartë. Armët e komanduara ofrojnë një saktësi dhe rrezikshmëri shumë herë më të madhe se sa armët e pakomanduara, duke prodhuar kështu një dëm shumë më të madh për njësi armatimi dhe për sulm. Armë të tilla tashmë ekzistonin dhe ato kishin më shumë se një vit që ishin vënë në veprim, por jo në Japoni. Forca Ajrore Gjermane po përdorte me sukses bombat Fritz-X të komanduara me rreze lazer kundër anijeve luftarake dhe aeroplanmbajtëseve që nga shtatori i vitit 1943, por Japonia nuk e dispononte një armë të tillë, dhe kështu admirali Onishi propozoi që pilotë vullnetarë të pilotonin avionët e tyre të pajisur me bomba përgjatë të gjithë rrugës deri në një përplasje shpërthyese me anijet luftarake në shënjestër. Ata do të shërbenin si një sistem drejtimi njerëzor, duke u kthyer kështu në “bomba inteligjente”. Në kuptimin e drejtpërdrejtë që ka kjo fjalë… Taktika e re u përshtat në mënyrë të menjëhershme. Një numër i madh pilotësh, fillimisht të kualifikuar dhe pilotë me eksperiencë dhe më vonë edhe kadetët e tyre me një stërvitje minimale u thirrën për të dalë vullnetarë. Ata u caktuan të bëhen pjesë e grupit të “Sulmit Special”, emri zyrtar i njësive të pilotëve kamikazë. Qëllimi dhe motoja e tyre ishte: “Një pilot – një anije”.

Për të rritur mundësitë që pilotët kamikazë të penetronin me sukses në perimetrin e ngjeshur të mbrojtjes së Marinës Amerikane të përbërë nga avionë gjuajtës dhe anije me kundërajrorë, dhe për të arritur në anijet kryesore që ndodheshin në qendër, mundësisht tek aeroplanmbajtësit, japonezët përqendruan shumicën e sulmeve të kamikazëve gjatë betejës së Okinavës në dhjetë valë sulmesh. Në këto valë sulmesh pati një përzierje të sulmeve me kamikazë me ata tradicionalë, në një përpjekje për të bombarduar rëndë mbrojtjen amerikane. Këto valë të mëdha sulmesh, që u pagëzuan me emrin Kikosui (Krizantema pluskuese) ishin gjithashtu të koordinuar me operacionet japonezë të marinës dhe ata në terren gjatë betejës së Okinavës, e cila ishte edhe beteja e fundit e madhe. Në të parën e këtyre valëve të sulmeve kamikazë, 355 pilotë kamikazë sulmuan flotën amerikane pranë Okinavës, bashkë me 341 avionë jokamikazë dhe në bashkëpunim me një sulm detar i cili përfshiu edhe superanijen luftarake Jamato. Rezultati këtij sulmi masiv nga ajri ishte gjashtë anije të fundosura dhe dhjetë të dëmtuara rëndë. Kur Japonisë i mbaruan avionët e zakonshëm për pilotët kamikazë, u përdorën avionë më të ngadaltë stërvitorë. Një tjetër avion që u përdor ishte Okha (lule qershie), arma më e fundit e Japonisë. Okha ishte e projejtuar në mënyrë të veçantë si një raketë kamikaze. Ishte një avion i vogël-raketë me një mbushje rakete prej 1200 kg tek hunda, i cili transportohej nga një avion bombardues dhe lëshohej 20-30 milje larg nga shënjestra, aty ku piloti kamikaz ndizte predhën e raketës dhe e drejtonte atë nga shënjestra. Në pikiatën e vet përfundimtare, Okha arrinte një shpejtësi prej 576 milje në orë, shumë më e shpejtë se çdo lloj avioni tjetër, por shumica e tyre u qëlluan dhe eliminuan nga avionët gjuajtës amerikanë, madje që përpara se të lëshoheshin nga avionët bombardues. Në total u lëshuan afro 5000 pilotë kamikazë, shumica në betejën e Okinavës, e cila konsumoi pjesën më të madhe të burimeve njerëzore dhe materiale të fuqisë ajrore japoneze. Rezultati i këtyre përpjekjeve të tyre ishin 36 anije amerikane të fundosura dhe 368 të dëmtuara. Mizoria dhe egërsia që përjetonin tek shihnin njëra pas tjetrës valët e sulmeve të pilotëve kamikazë që afroheshin vetëtimthi në mesin e një breshëri predhash kundërajrore, si dhe shpërthimet e mëdhenj që pësonin i terrorizoi amerikanët, por fushata e kamikazëve nuk e arriti qëllimin e vet strategjik të ndalimit të përparimit të amerikanëve. Sulmet ajrorë të amerikanëve u përqendruan tashmë kundër bazave ajrore të kamikazëve në jug të Japonisë, me qëllim reduktimin e numrit të tyre. Japonia e humbi betejën e saj të fundit, pavarësisht sakrificës së madhe të luftëtarëve të vet fanatikë, dhe e humbi luftën.

 

TË TJERËT

Shpresa e dëshpëruar e japonezëve se lufta vetëvrasëse ishte mënyra e duhur për të shmangur humbjen, bëri që ushtria dhe marina japoneze të përshtatnin taktika dhe armë të tjera të luftës vetëvrasëse. Në terma ushtarakë, ideja ishte e ngjashme në shumicën e rasteve, përdorimi i qenieve njerëzore për të drejtuar në mënyrë precize një armë të fuqishme shpërthyese deri tek shënjestra, me qëllim që të realizohet një goditje e drejtpërdrejtë vdekjeprurëse. Duke bërë këtë, ata synonin ta shndërronin një armë të thjeshtë në një “bombë inteligjente” të komanduar. Japonezët përdorën edhe këto armë e taktika vetëvrasëse, të gjitha me më pak sukses se sa sulmet e avionëve të drejtuar nga kamikazët:

MOTOBARKAT ME EKSPLOZIVË. Një përshtatje japoneze e motobarkave origjinale italiane me eksplozivë. Ndërkohë që komandot detarë italianë përdornin motobarkat me eksplozivë të pajisura me sedilje të posaçme të cilat hidheshin jashtë në rast sulmi, japonezët i përdornin ato si armë vetëvrasëse. U prodhuan mijëra të tilla, por shumica u ruajtën për pushtimin e pritshëm të Japonisë. Ato fundosën tetë anije amerikane. Kjo armë u përdor shumë herë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si me sedilje që nxirreshin jashtë, ashtu edhe si armë vetëvrasëse. Hera e fundit që janë përdorur ishte kur në 12 tetor 2000, terroristë kamikazë të al-Kaedës përdorën një të tillë për të sulmuar dhe dëmtuar rëndë destrojerin amerikan USS Cole në Aden, Jemen.

SILURËT VETËVRASËS. Kjo armë në fakt u parapriu sulmeve me avionë të komanduar nga kamikazë. Të quajtur “Katen”, këta ishin silura të zmadhuara, të përshtatura me një kabinë të vogël si dhe një periskop për atë që i komandonte, si dhe me karburant dhe oksigjen shtesë dhe një kokë rakete me 1530 kilogramë mbushje. Ato lëshoheshin nga një nëndetëse apo anije e modifikuar. U prodhuan qindra të tilla, por ato arritën të fundosin vetëm dy anije amerikane.

NËNDETËSE TË SHKURTRA VETËVRASËSE. Me një normë shumë të lartë humbjeje gjatë përdorimit të tyre fillestar, më vonë u prodhua një model vetëvrasës, që mbante eksplozivë në vend të silurave.

ZHYTËS KAMIKAZË QË MBANIN EKSPLOZIVË. Nuk para u përdorën shumë dhe dëmtuan vetëm një aeroplanmbajtëse.

KËMBËSORË KAMIKAZË QË MBANIN MINA ANTITANK. Arma vetëvrasëse e ushtrisë japoneze. Qëllimi dhe motoja e tyre ishte “Një ushtar – një tank”.

NË PËRGJIGJE TË ZBARKIMIT TË AMERIKANËVE NË OKINAVA, që pritej të ishte hapi i fundit përpara një pushtimi të potë të Japonisë, Komanda e Lartë e Japonisë urdhëroi në 6 prill 1945 që taktikat e luftës kamikaze të zbatoheshin nga të gjithë degët dhe njësitë e forcave të armatosura japoneze. Ditën tjetër, pas kësaj komande, superanija japoneze e luftës, Yamato, anija më e madhe luftarake e ndërtuar ndonjëherë dhe e pajisur me armën më të madhe që ishte prodhuar deri atëherë, u dërgua në një mision vetëvrasës vetëm vajtje në Okinava. Qëllimi i saj ishte jo vetëm të shkatërronte sa më shumë anije amerikane që të ishte e mundur, por edhe të haste qëllimisht në tokë në Okinava me qëllim që fundosja e saj të ishte e pamundur, kështu që do të ishte në gjendje të vazhdonte të luftonte deri kur të shkatërrohej plotësisht. Plani dështoi kur madhështorja Yamato u pikas dhe më pas u fundos nga një sulm masiv nga ajri, përpara se të mbërrinte në Okinava.

NJË TJETËR TAKTIKË VETËVRASËSE e përdorur në këtë frymë ishte me avionë gjuajtës që përplaseshin me bombarduesit e rëndë amerikanë, në vend që të hapnin zjarr kundër tyre. Gjermania naziste stërviti gjithashtu dhe vuri në përdorim pilotë kamikazë pak përpara dorëzimit. Njësia e parë kamikaze japoneze, Skuadroni Leonidha, u krijua si një skuadron vullnetarësh brenda degës së misioneve specialë ajrorë të Luftwaffes. Arma e saj ishte një version i komanduar nga njeriu i raketës gjermane V-1.

Njësia u stërvit dhe arriti statusin operacional, por miratimi për ta përdorur atë në luftime nuk u dha asnjëherë, kryesisht për shkak se në dispozicion kishte armë të tjera të përparuar gjermane ajër-tokë, që e bënte operacionin një humbje të panevojshme të jetëve të pilotëve. Arsenali gjerman i armëve të përparuara ajër-tokë përfshinte bomba të radiokomanduara, raketa të radiokomanduara, si dhe Mistelin, një bombardues mesatar pa pilot me një mbushje të madhe bërthamore që pilotohej nga një pilot i ulur në kabinën e një avioni gjuajtës i montuar mbi bombarduesin pa pilot. Pasi komandonte bombarduesin drejt shënjestrës finale, piloti shkëpuste gjuajtësin dhe rikthehej në bazë, ndërkohë që bombarduesi pa pilot përplasej dhe shpërthente kur ndeshte shënjestrën. Në kontrast të thellë me pilotët kamikazë që kishin kryer stërvitje minimale, këta bombardues pa pilot komandoheshin nga pilotë me shumë eksperiencë, të cilët arritën vërtetë një përqindje të lartë suksesi, duke fundosur anije dhe shkatërruar ura strategjike. Njësia tjetër kamikaze gjermane, e cila mori pjesë në fakt në luftime ishte gjuajtësi 300 i Luftwaffes (JG300), i cili u porosit pak përpara fundit të luftës për të përdorur taktikën goditëse kundër bombarduesve të rëndë të aleatëve. Kjo taktikë u përdor vetëm disa herë dhe nuk ishte shumë e suksesshme.

 

SHPJEGIMI USHTARAK DHE KULTUROR

Arsyetimi ushtarak për përdorimin e mjeteve vetëvrasës të luftës, të të gjithë llojeve, si historikisht ashtu edhe sot është i thjeshtë. Kur planifikojnë sulme kundër atyre që konsiderohen shënjestra armike me vlerë të madhe, planifikuesve ushtarakë shpesh herë u mungojnë burimet e përshtatshme ushtarake që nevojiten për të patur sukses. Kjo mungesë normalisht plotësohet me shkathtësi dhe talent ushtarak, si dhe nga një sakrificë më e madhe prej ushtarëve. Por në rastet ekstremë, dhe nëse misioni nuk anulohet për shkak të mungesës së burimeve, kërkohen veprime ekstremë, masa që nuk do të përdoreshin nëse do të ekzistonin alternativa më të mira. Kjo është e vërtetë si për një planifikues që planifikon të sulmojë një shënjestër ushtarake, ashtu edhe për një udhëheqës terrorist që planifikon të kryejë vrasje në masë ndaj civilëve. Sa kohë që kishin forca ushtarake relativisht të shumta, qoftë edhe të papërshtatshme, japonezët nuk përdorën taktikat vetëvrasëse. Sakrifica po, por jo vetëvrasje. Ata nisën të përdorin kamikazët vetëm atëherë kur disavantazhi i tyre u bë kaq i dukshëm e rëndues, saqë edhe sakrifica e ushtarëve të zakonshëm nuk mjaftonte, dhe një armë e re radikale do të ishte thelbësore. Në mungesë të saj, ata përdorën pilotët kamikazë. I njëjti lloj arsyetimi vlen për terroristët vetëvrasës. Në sulmin e parë të al Kaedës në Qendrën Botërore të Tregtisë, atentatorët përdorën një autobombë dhe jo shoferë kamikazë. Duke qenë se ai atentat nuk arriti dot qëllimin e misionit, i cili më vonë edhe u zgjerua madje, dhe përderisa arsenali i al Kaedës nuk përmban ndonjë raketë apo avion bombardues, mënyra e tyre e vetme për të shkatërruar Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin me burimet që kishin, ishte të shndërronin avionët e mëdhenj civilë në raketa gjigande të komanduara nga pilotë kamikazë. Ideja që masa të tilla ekstreme përdoren vetëm kur planifikuesit ushtarakë vlerësojnë se kjo është alternativa e tyre e vetme, dhe jo thjeshtë një çuarje dëm e ushtarëve të motivuar demonstrohet qartë nga përdorimi selektiv i taktikave kamikaze nga ana e atyre që e bëjnë, apo që e kanë bërë në të kaluarën. Dy shembuj:

– Ndonëse gjermanët stërvitën pilotë kamikazë dhe i përgatitën për përdorim armët e tyre, ndonëse përdorën pilotë kamikazë kundër bombarduesve të rëndë, gjermanët praktikisht e braktisën këtë armë në favor të Mistelit, një alternativë më premtuese dhe në fakt më e suksesshme.

– Pasi tronditën botën e lirë me një seri sulmesh kamikazë anembanë botës, terroristët e al Kaedës demonstruan qartë, përmes një serie sulmesh jokamikazë se ndonëse janë të prirur të hidhen në erë, e bëjnë këtë vetëm kur e konsiderojnë të domosdoshme.

Elementi tjetër i rëndësishëm i luftës kamikazë është arsyetimi kulturor. Lufta kamikaze përdoret vetëm nga shoqëri njerëzore të cilat përballen me një rrezik të menjëhershëm që ata e perceptojnë si kaq të madh, saqë besojnë se mund të shkaktojë shfarosjen e tyre, qoftë kulturore ose fizike, apo një shkatërrim të ngjashëm masiv. Në një situatë të tillë, dorëzimi, apo qoftë edhe një kompromis me armikun thjeshtë nuk është një opsion. Dhe nëse situata ushtarake është e tillë që nevojitet lufta kamikaze, atëherë shumë ushtarë që besojnë se ata ose familjet e tyre janë gjithsesi të dënuar, dalin vullnetarë për misione vetëvrasës. Nuk është marrëzi, është një sjellje normale dhe e arsyeshme në një situatë ekstreme, e cila ose është demonstruar, ose pranuar teorikisht nga të gjithë kulturat njerëzore. Mbani mend aktorin Bruce Willis dhe Harry Stamper në filmin “Armageddon”? – një njeri që shpërthen një bombë dhe bashkë me të hedh në erë veten për të shpëtuar njerëzit që do dhe njerëzimin nga shfarosja, në mungesë të alternativave të tjera. Është një shembull i përsosur i një ushtari vetëvrasës amerikan.

Pjesa më e rrezikshme dhe tragjike në këtë arsyetim të taktikave kamikaze të luftës është se rreziku që i shtyn shoqëritë njerëzore të përdorin taktikat vetëvrasëse është i perceptuar, dhe perceptimi mund të jetë fals, dhe mund të jetë i influencuar. Publikut japonez iu shpëla truri për vite të tërë nga liderët e vet fanatikë, që të besonte se një humbje, e para në historinë e gjatë japoneze të izolimit, do të shkaktonte shfarosjen e popullit japonez. Numri i madh i viktimave mes pilotëve japonezë kundër një force shumë të madhe të armikut, që gjithashtu vrau një numër shumë të madh miqsh dhe të afërmish të tyre ne shtëpi, bindi edhe më tej shumë pilotë japonezë se ky rrezik ishte real. E një perceptim të tillë të situatës së tyre, preferenca që të vdesin pak më herët si pilotë kamikazë me qëllim që të shpëtonin shumë të tjerë ishte një zgjidhje e kollajshme për shumë prej tyre. Rreziku nuk është e thënë të jetë ushtarak. Për terroristët fanatikë të al Kaedës dhe popullsisë që i mbështet ata, me një kulturë që është jo vetëm dhunshëm jotolerante por edhe disi ksenofobe, siç ishin japonezët, prania e huaj në tokën e trye, qoftë edhe e civilëve dhe penetrimi i muzikës së huaj, modës, letërsisë, medias dhe sidomos ideve të huaja moderne, të gjitha perceptohen si një rrezik kulturor i patolerueshëm e madje edhe si sulm i qëllimshëm. Kështu ata kryejnë një Luftë Botërore kundër atyre që i perceptojnë si armiq, dhe në mungesë të armëve të përparuara që kanë armiqtë e tyre ata nuk hezitojnë aspak të përdorin taktikat vetëvrasëse të luftës aty ku e konsiderojnë të domosdoshme, për të vrarë civilë si dhe për të blerë bileta avioni drejt shënjestrave të tyre, si një zëvendësues i volitshëm i armëve me rreze të gjatë veprimi. Duhet të kujtojmë se historia tregon se, të gjithë ata që kanë përdorur taktika vetëvrasëse në mënyrë sistematike dhe të përsëritur e kanë humbur luftën e tyre, dhe shpjegimi për këtë është i thjeshtë. Ata i kanë përdorur sepse ishin shumë më të dobët se armiqtë e tyre, teknologjikisht, ekonomikisht e si rrjedhojë edhe ushtarakisht, përndryshe nuk do t’u duhej të luftonin në këtë mënyrë. (History Net)