Populli grek duhet të vendosë për Marrëveshjen e Prespës, përmes zgjedhjeve ose referendumit, në rast se nuk ratifikohet me 180 deputetë në Parlament, tha Panos Kamenos, ministri i Mbrojtjes të Greqisë, kryetar i Grekëve të Pavarur dhe partner koalicioni në Qeverinë greke.
Siç informon korrespondentja e MIA-s nga Athina, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Ministrinë e Mbrojtjes, Kamenos tha se marrëveshja është e keqe, ai personalisht nuk e pranon dhe do të përpiqet ta bllokojë.
“Nuk ka shans të miratohet Marrëveshja e ratifikimit pa qëndrim të popullit grek. Populli grek do të vendosë. Përveç nëse nuk miratohet me 180 deputetë, ndërsa Demokracia e Re dhe PASOK i ndryshojnë qëndrimet e tyre. Në këtë rast, nuk do të mundemi të bëjmë asgjë. Por nuk do ta lejojmë pa miratimin e popullit grek, që mund të bëhet në dy mënyra, qoftë me referendum apo në zgjedhje, të ecë përpara Marrëveshja”, tha Kamenos, duke theksuar se si kryetar i Grekëve të Pavarur, parti e partnerit të koalicionit, e ndërmerr përgjegjësinë për qëndrimin e konkret.
Ministri grek i Mbrojtjes tha se “Shkupi nuk ka kurrfarë të ardhme në NATO nëse nuk ratifikohet marrëveshja”, ndërsa në lidhje me Greqinë, e përsëriti qëndrimin e tij se ai do të kujdeset të mos ketë ratifikim pa miratim të popullit grek, në të kundërtën do të tërhiqet nga Qeveria.
“Nëse Marrëveshja vjen për ratifikim me 151 deputetë, do të tërhiqem nga Qeveria, do të shkoj te presidenti i shtetit dhe unë do t’i them se e tërheq mbështetjen time për qeverinë, vendi nuk shkon në zgjedhje, që të vendos populli grek”, tha kreu i Grekëve të Pavarur.
Kamenos sqaroi se Marrëveshja e Prespës “nuk ka asnjë peshë dhe asnjë detyrim për Greqinë” derisa të ratifikohet nga Parlamenti, shtoi se ratifikimi në Parlamentin e Maqedonisë nuk është i vlefshëm, sepse nuk ka nënshkrim nga presidenti dhe theksoi se procesi i anëtarësimit në NATO nuk do të fillojë, nëse Maqedonia nuk i përmbush të gjitha obligimet.
Në Samitin e NATO-s javën e ardhshme, siç tha Kamenos, do të marrin pjesë personalisht, ai, dhe kryeministri grek, Cipras dhe ministri i Punëve të Jashtme Koxias.