Athinë, 13 janar – Nëse i japim një votë besimi Qeverisë, është njëjtë sikur e mbështesim Marrëveshjen e Prespës, tha kryetari i Grekëve të Pavarur, i cili në konferencën për shtyp menjëherë pas takimit me Aleksis Cipras tha se ata nuk do të votojnë për mbështetjen e Qeverisë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Lideri i Grekëve të Pavarur sërish e përsëriti qëndrimin e tij se ata nuk mund të mbështesin dhe nuk pajtohen me zgjidhjen që e përmban termin Maqedonia, por përsëri e përmendi edhe propozimin e tij edhe në Greqi të mbahet referendum, ose për shembull, tha, së bashku me zgjedhjet të ketë një kuti votimi edhe për Marrëveshjen e Prespës.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Kamenos tha se nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje preliminare, e cila është antikushtetuese, sepse nuk është e nënshkruar nga presidenti.
Në pyetjen e korrespondentes nga Athina, se cili është vlerësimi i tij nëse Marrëveshja e Prespës do të kalojë në Parlamentin grek, Kamenos nuk dha një përgjigje të qartë, ndërsa për atë nëse Grekët e Pavarur do ta mbështesin protokollin për anëtarësimin tonë në NATO, shkurtë dhe në mënyrë kategorike u përgjigj me “jo”.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në një hotel në qendër të Athinës, ishin të pranishëm katër deputetë të Grekëve të Pavarur, ndërsa munguan ministrja e turizmit Elena Kundura dhe zëvendësministri i Bujqësisë Vasilis Kokalis.