Athinë, 17 korrik – Do të bëj gjithçka që kjo marrëveshje të mos vijë në Parlament. Por, nëse marrëveshja vjen në Parlament, atëherë nuk kam zgjidhje tjetër, thotë Panos Kamenos duke e përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Grekë të Pavarur do ta tërheqin besimin për Qeverinë përderisa marrëveshja e Prespës vjen për ratifikim para deputetëve grekë.
Në intervistë për emisionin informativ të mëngjesit “Mirëdita Greqi” në televizionin grek Antena, partneri i koalicionit në Qeverinë greke sqaroi se ai mund t’i tërheqë të gjithë ministrat nga Qeveria dhe besimin para se marrëveshja të vijë në Parlament, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Unë tashmë kohë të gjatë u obligova për një punë dhe kjo nuk është ndërruar dhe as që do të ndërrohet. Ne nuk do të marrim pjesë në qeverinë që do ta sjellë në parlament këtë marrëveshje, që do të thotë se do ta tërheqim besimin e dhënë për Qeverinë”, tha Kamenos dhe sqaroi se në këtë rast, para se marrëveshja të vijë në votim, do të duhet partitë e tjera politike të obligohen para presidentit grek se do të hyjnë në Qeveri si partnerë të koalicionit.
Kamenos përsëriti se Grekë të Pavarur “kanë sqaruar se as nuk e pranojnë marrëveshjen, as termin “Maqedonia e Veriut”.
Lideri i Grekë të Pavarur e akuzoi Maqedoninë se e ka shkelur marrëveshjen dhe ka komentuar se pala greke do të duhet të shikojë a vlen ende marrëveshja edhe tani, por edhe më vonë përderisa kalon në referendum dhe përfundojnë ndryshimet kushtetuese.
“Kemi shkelje të marrëveshjes nga ana e Shkupit. Zotëri Zaev tashmë e shkel marrëveshjen. E shkel marrëveshjen duke thënë gjëra të cilat nuk ekzistojnë në këtë marrëveshje”, tha lideri i Grekë të Pavarur dhe shtoi se pikërisht për këtë Cipras në telefon, javën e kaluar ka biseduar me Zaevin.
Partneri i koalicionit në qeverinë greke dhe ministër i Mbrojtjes së Greqisë, në intervistë për TV Antena edhe njëherë e përsëriti atë që e tha edhe në konferencën për shtyp në Selanik javën e kaluar se senatorëve amerikanë me të cilët është takuar u ka sqaruar se Maqedonia ka qenë pjesë e planit të Titos dhe Jugosllavisë për dalje në det dhe ka shtuar se në rajon “është derdhur gjak”.
“Dhe tani vijnë t’u tregojnë fituesve se do të duhet të kalojë qëndrimi i të mposhturve. Dhe në fund të fundit presin 25 vite të zgjidhet çështja, le të presin edhe 35. Dhe le ta kuptojnë shkupjanët, të cilët edhe çka janë? Ata janë bullgarë-sllovenë të cilët e kanë formuar VMRO-në, shqiptarë të cilët mundohen të marrin edhe ata një pjesë të Shkupit dhe flasin për Shqipëri të Madhe dhe disa serbë”, tha Kamenos, transmetoi MIA.