Shkup, 15 nëntor- Biznismeni Orce Kamçev të premten në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur padi penale kundër ish-shefes së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva, birit të saj Lazar Janev dhe prokuroes Lila Stefanova, raporton KOHA. Kamçev e akuzon Janevën se ka krijuar grup në të cilin pjesëtarë ka qenë edhe biri i saj dhe prokurorja Stevanova, ndërsa qëllimi ka qëllimi ka qenë që të shantazhin dhe dëmtojnë atë duke përfituar nga ai të mira materiale dhe para.
“E paditura e parë Katica Janeva në cilësinë e personit zyrtar-kryeprokurore e PSP-së pasi që në vitin 2018 në Shkup ka krijuar një grup të përbërë nga më shumë persona me qëllim që të kryej vepra penale për të cilat mund të shqiptohet dënim me tre vite burg ose dënim më i rëndë. Pasi kishte përgatitur planin për mënyrën e veprimit të grupit dhe rolin e secilit anëtarë të grupit, në të cilën pjesëmarrës kanë qenë edhe e paditura e dytë Lile Stefanova në cilësinë e personit zyrtar – Prokurore publike për ndjekje penale të lëndëve që lidhen dhe dalin nga përmbajtja e komunikimeve të paligjshme të cilat lëndë ia ka caktuar e paditura e parë Katica Janeva, dhe ka punuar sipas urdhrave të saj dhe udhëzimeve të Lazar Janevit i cili është i biri i të paditurës së parë, Katica Janeva. Të paditurit kanë ndërmarrë disa herë veprime me qëllim të një përfitimi të konsiderueshëm material. Si rezultat i veprimeve të këtilla të dëmtuarit Jordan Kamçev dhe personit juridik KARA SH.A Shkup i është shkaktuar dëm i madh material në para dhe gjë sende tjera”, shkruan mes tjerash në padinë penale të cilën e ka publikuar “Fokus”, përcjellë KOHA.
Prokurorja Stefanova e udhëheq lëndën “Imperija” në të cilën një nga të akuzuarit është edhe biznismeni Kamçev. Edhe sipas kalendarit të PSP-së, prokurori publik Lubomir Jovevski e ka autorizuar Stefanovën që të vazhdojë me hetimin për këtë rast. Ndërkohë, Janeva së bashku me Bojan Jovanovskin dhe Zoran Mileskin Kiçec nga 3 dhjetori në seancë gjyqësore do të sqarojnë se si i kanë marrë 1.5 milionë euro nga Kamçev. (koha.mk)