Delvina KËRLUKU
Alush Kamberi lindi në Strimnicë. Gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua gazetarisë shqiptare në Maqedoni. Doajeni i gazetarisë, i cili këtij profesioni nuk iu nda për pesë dekada me radhë. Hapat e parë në gazetari i filloi që nga viti 1967, ose më drejtë, që nga emisioni i parë televiziv në gjuhën shqipe, në Redaksinë e TV Shkupit. Ky ishte emisioni i parë në gjuhën shqipe, në të gjitha hapësirat shqiptare. Në vitin 1967, për herë të parë u themelua Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe, e cila në prill të këtij viti, do të shënojë edhe 50 vjetorin e themelimit. Alush Kamberin e njohim edhe nga qindra reportazhe e dokumentarë televizive, por edhe nga shumë shkrime të ndryshme gazetareske e publicistike, si dhe nga disa vepra letrare. Portrete, reportazhe, biseda, kronika, etj, i botoi në gazetat e atëhershme “Flaka e vëllazërimit”; ,,Rilindja”; “Zëri i Rinisë” etj. Alush Kamberi gjatë punës së tij në Televizionin e Maqedonisë ka realizuar mbi 400 dokumentar. Ai është edhe autor i filmit kushtuar ardhjes së parë të Nënë Terezës në Shkup. Me pas, ai ka realizuar edhe 3 dokumentar të tjerë kushtuar nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Ai është nderuar për Vepër jetësore që ndan Drejtoria e RTVM -së, pastaj dy shpërblime të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe disa mirënjohje ndërkombëtare: ajo në Festivalin e Monte Karlos, për Filmin dokumentar për Nënë Terezën, në Festivalin e filmit dokumentar në Namyr të Belgjikës, për dokumentarin “Biri”, në Portorozh të Sllovenisë për filmin “Dashuria për 100 vjet”, pastaj në Bratisllavë për filmin dokumentar “Tunduesi i ujit”, etj. Kontributi i tij në gazetari nderohet me çmimin shtetëror ‘Mito Haxhi Vasilev Jasmin’. Gazetarit të TVM2, ky çmim i ndahet për punën e palodhshme në gazetari, e sidomos në lëmin e dokumentaristikës, duke trajtuar tema dhe sfera të ndryshme shoqërore pa lënë anash edhe diasporën shqiptare në Evropë, Amerikë dhe Australi. Sot edhe pse është i pensionuar, ai vazhdon të punojë, me dëshirë, ku edhe ka dorëzuar për emetim në TVM2, ciklin e Serialit dokumentar për Shqiptarët e Rumanisë (version i ri), ndërkaq, gjatë marsit, do të qëndroj në Zvicër, për ta realizuar ciklin tjetër dokumentar “Të jetosh me nostalgji”, të cilin do ta realizoj me shqiptarët e Zvicrës.
KOHA: Z.Kamberi, opusi juaj shumëvjeçar gazetaresk, rezultoi me Çmimin Shtetëror për arritje gazetareske dhe publicistike në Maqedoni. A është gjithçka ky Çmim për punën tuaj shumëvjeçare?
KAMBERI: Jo! Nuk është gjithçka! Mirënjohja ime më e madhe është kur njerëzit, miqtë e mi, por edhe ata që nuk i njoh fare, më kërkojnë në telefon dhe më përgëzojnë për reportazhet dhe dokumentarët që i kanë parë në Televizion! Por, edhe më tepër më gëzojnë, kur më ndalin rrugës, ma shtrëngojnë dorën dhe më urojnë për dokumentarët që i kanë parë! Kjo është Mirënjohja më e madhe e imja! Kjo më jep forcë, më jep moral, më motivon për të vazhduar deri në frymën e fundit, të mos i ndahem Dokumentarit! Kam pasur edhe disa mirënjohje tjera, si ajo për Vepër jetësore që ma ndau Drejtoria e RTVM -së, pastaj,dy shpërblime të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe disa mirënjohje ndërkombëtare:ajo në Festivalin e Monte Karlos për Filmin dokumentar për Nënë Terezën,në Festivalin e filmit dokumentar në Namyr të Belgjikës,për dokumentarin “Biri,” ,në Portorozh të Sllovenisë për filmin ,,Dashuria për 100 vjet” ,pastaj në Bratisllavë për Filmin dokumentar ,,Tunduesi i ujit” etj. E vërteta është se unë asnjëherë nuk jam lakmuar që të marr shpërblime nëpër festivale, prandaj edhe nuk kam konkurruar, edhe pse nga opusi im krijues, kam pasur shumë filma dokumentarë, të cilët, nuk dyshoj se do të mirëpriteshin…!
KOHA: Pesëdhjetë vjet të jetës suaj, i jeni përkushtuar Televizionit (TVM2). Reportazhi pasqyron punën apo veprimtarinë e një personazhi apo të një ngjarje nga jeta e përditshme. Si do ta realizonit ju një dokumentar për jetën tuaj?
KAMBERI: Sigurisht që dokumentarin për jetën time, do ta filloja nga sfida që përjetova në moshën më të re, sa e kisha mbaruar Shkollën Normale në Shkup: të vazhdoj studimet e Mjekësisë në Beograd (që ma sugjeronin të afërmit e mi, e që unë nuk e doja),apo të nisë hapat e parë në gazetari, në këtë profesion që ma donte zemra?! Si u bë kjo? Si ndodhi që unë të futem në botën e gazetarisë? Unë mendoj se gazetaria për mua ka qenë një përcaktim jetësor, një dashuri, të cilës, nuk iu ndava as për një çast! Pse e them këtë? E them, sepse, të shkruarit, mendoj se e kam pasur një dhunti nga Perëndia! Prandaj, nuk është e rastit që aq tepër e kam dashur këtë profesion, aq shumë kam qenë i përkushtuar për të! Unë kam filluar të shkruaj që nga mosha fëmijërore, me vjersha dhe skica të ndryshme, në mënyrë që, në periudhën e shkollimit të mesëm, në Normalen e Shkupit, unë, t’i intensifikojë me të madhe shkrimet e mia të gjinive të ndryshme (portrete, reportazhe, biseda, kronika, etj), duke i botuar ato në gazetat e atëhershme ,,Flaka e vëllazërimit” , ,,Rilindja” , “Zëri i Rinisë” etj. Duke i lexuar shkrimet e mia në gazeta, shkrimtari Murat Isaku, i cili posa ishte emëruar redaktor i Redaksisë televizive në gjuhën shqipe pranë TV Shkupit, një ditë do të vij në fshatin tim, në Strimnicë që të takohet me mua! Dhe, pasi biseduam gjerë e gjatë, duke pirë kafenë që e përgatiti motra ime, zoti Murati do të më ofrojë që të jem gazetari i parë i kësaj Redaksie. Unë, asnjëherë në jetën time nuk isha takuar me zotin Muratin, përveç që e njihja nga veprat e tija..!
KOHA: Dhe Ju ishit të aftë të merrni shpejt e në kohën e duhur një vendim të këtillë dhe që do ta zbatoni atë deri në fund pa u trembur nga vështirësitë e pengesat, që ka gazetaria?
KAMBERI: Po, fillimisht u vura përpara një sfide të madhe : t’i vazhdoj studimet në Beograd (siç kisha vendosur), apo t’ia plotësojë dëshirën zoti Muratit, por me një doze frike, se, vallë, a do të mundem ta arsyetoj besimin që shkrimtari i mirënjohur Murat Isaku e shprehu ndaj meje me këtë ofertë?! E fillova punën, por me përkushtim e me ambicie shumë të madhe që shkrimet e mia të vlerësohen pozitivisht, edhe nga redaktori, por edhe nga opinioni! Atëherë, në Redaksi ishim të punësuar vetëm katër persona: Murat Isaku – redaktor, Suzana Kaba – spikere, Skender Kuli – realizator dhe unë si gazetar. Pra, këta katër persona, ishin themeluesit e Redaksisë shqipe të TV Shkupit, në prill të vitit 1967! Unë si gazetar i vetëm i kësaj Redaksie, më është dashur të merrem me të gjitha zhanret e gazetarisë, duke filluar që nga informata e deri te reportazhi i shkurtër. Fillimisht, unë dhe Skender Kuli, vazhdimisht kemi qenë në terren, duke përfshirë të gjitha mjediset shqiptare në Maqedoni. Shkonim në terren, xhironim materialet e nevojshme, i sillnim në Redaksi për t’i montuar dhe sërish niseshim në terren…
KOHA: Gazetaria kërkon përpjekje e mund shumë për të bërë diçka a për dikë, harxhon fuqitë për t’ia arritur diçkaje. Kjo ka qenë punë e lodhshme edhe për Ju?
KAMBERI: Po,është e vërtetë, por ne kishim motiv të madh! Na kënaqte puna që bënim por, në mënyrë të veçantë, interesimi i madh i shikuesve që ta përcillnin emisionin e atëhershëm, “Kronika Televizive”! Punonim me entuziazëm të madh, të jashtëzakonshëm, por edhe me sakrifica të mëdha…Unë, në mënyrë të veçantë, doja ta arsyetoja besimin që ma dha redaktori im Murat Isaku! Këshillat dhe vërejtjet e tija, vazhdimisht i kisha parasysh dhe nuk ndodhte asnjëherë, që një gabim që e bëja, ta përsërisë dy herë!
KOHA: Po, cilët janë kolegët dhe bashkëpunëtorët tuaj në rrjedhën e viteve, ata që e kanë pasuruar në mënyrë të veçantë jetën tuaj? Miqtë tuaj më të mirë në gazetari?
KAMBERI: Para së gjithash dhe mbi të gjitha, miku im më i mirë ka qenë Murat Isaku! Ai për mua ka qenë redaktor, edukator, edhe mentor, por edhe mik i madh! Ai ishte shkolla ime edhe në gazetari, edhe në jetë! Deri në frymën e fundit, ishte dhe mbeti miku im më i madh! Pastaj, do ta veçoja mikun tim, Rexhep Zllatkun, një reportazhist që nuk zëvendësohet! Çdo gazetar, do ta kishte lakmi stilin e tij dhe artin e të shkruarit në gazetari! Nijazi Muhamedi është një estet i rrallë i gjuhës dhe shprehjes! I ndjeri Sefer Musliu, kishte një nuhatje të veçantë për tema…! Skender Raufi, ka veçantinë e vet të shkrimit, me doze humori e sarkazme…! Daut Dauti, një gazetar që di të ta thotë të vërtetën, pa e mbyllur qepallën e syrit! Dhe, shumë miq e kolegë të tjerë që nuk i përmenda…!
KOHA: Gazetari i djeshëm dhe gazetari sot, ku takohen dhe cilat janë dallimet?
KAMBERI: Një gjë dua ta them. Në fillim, në kohën tonë, kemi qenë shumë pak gazetarë. Mund të numëroheshim me gishtërinjtë e duarve. Por, punonim me vullnet e përkushtim të madh dhe ndihmoheshim e solidarizoheshim mes vetes. Çdo gjë që shkruanim ne, ishte burimore, e shikuar dhe vërtetuar në vend të ngjarjes! Kishim edhe guxim të madh dhe nganjëherë shkruanim pa droje edhe për tema që i mbante “të paprekura” pushteti! Jemi futur në shumë beteja, si gazetarët e “Flakës” , ashtu edhe ata të Radios dhe Televizionit (flas për rrethanat në Maqedoni)! Kemi pasur dhe kemi përballuar sfida të mëdha! Ndërkaq, sot, më vjen mirë që numri i gazetarëve shqiptarë është aq i madh, por, nga ky brumë, shpresoj që të dalin emra që do të bëjnë famë! Megjithë që, gazetarët e sotëm i bën “pasiv” interneti dhe mendoj se gazetaria e sotme zhvillohet paralel me internetin! Shumë gazetarë, shfrytëzojnë shkrime të ndryshme për qytete, monumente, personalitete etj nga interneti, e kjo gjë zvogëlon forcën kreative të gazetarit, zvogëlon forcën e të menduarit dhe meditimit, forcën e të shprehurit autentik…! Gjithashtu, mendoj se gazetar nuk mund të bëhet çdokush, ashtu siç nuk mund të bëhet çdokush piktor, kompozitor, poet, artist..! Jo! Po nuk pate talent dhe dhunti për ta lartësuar talentin tënd për gazetar, nuk mund të arrijh dot…Gazetaria, vazhdimisht të mban në ankth, sepse, gazetari i mirëfilltë, duhet të jetë gjithë jetën në kërkim! Vazhdimisht të gjurmojë ngjarje dhe fate njerëzish! Gazetari është ai që vë në lëvizje ndodhitë e jetës me të gjitha fenomenet e saja…!
KOHA: Keni realizuar mbi 400 reportazhe e dokumentarë televizive. Çfarë temash keni realizuar dhe a mund të veçoni ndonjë?
KAMBERI: Po. Në arkivin e Programeve të realizuara në TVM2, por edhe në Televizione dhe Produksione të pavarura, sigurisht se mund të ketë mbi 400 reportazhe e dokumentarë që i kam realizuar unë. Ato emitohen dhe reprizohen edhe sot. Ndodh që në Program të shikoni edhe ndonjë dokumentar që e kam realizuar edhe përpara 20 vitesh! Kjo ndodh, sepse, unë, në këta dokumentarë kam trajtuar tema të ndryshme për fate njerëzish, për drama të ndryshme njerëzore, për vepra dhe ngjarje që nuk vjetrohen! Pra, kam punuar tema që çdo here janë interesante dhe zgjojnë kureshtje…E tani, më thoni që të veçojë diçka!? Çka më parë? Janë vërtetë të shumtë, sa që, e kam vështirë edhe unë të përcaktohem…! Është interesant p.sh., filmi i parë dokumentar që unë e kam bërë për Nënë Terezën në vitin 1978, që atëherë, rrallë kush e dinte veprën e saj! Këtë film e kam punuar me Skender Kulin dhe në Festivalin e filmit dokumentar në Monte Karllo, fitoi Diplomën speciale. Me këtë rast, më duhet ta përmend një intuitë të çuditshme! Duke biseduar me të, më ka ardhur rrufeshëm pyetja (që as që e kisha menduar) se si do të ndjeheni nëse e merrni Çmimin Nobël për humanizëm? Dhe, ajo, sakaq, do të më thotë: Dhashtë Zoti të ndodh kjo, sepse, vendi i parave që do t’i merrja, dihet se ku do të përfundonin: do të ndërtoja një spital për t’i vendosur varfanjakët dhe të sëmurët e mi, për të cilët, kujdesem unë dhe motrat e mia misionare… Është gjithashtu interesante edhe vizita ime e parë në fshatin shqiptar Mandricë të Bullgarisë. Kjo ka qenë ngjarje e veçantë, sepse, deri atëherë, nuk dihej se ekziston fshat shqiptar në Bullgari! Mandrica paraqet një fenomen në Diasporën shqiptare! Ata, edhe pas katër shekujve nga ngujimi i tyre në Bullgari, edhe sot e kësaj dite, edhe fëmijëve të posalindur, u flasin shqip! Të mos flasim për krenarinë e tyre kombëtare, sepse, që të gjithë, edhe sot e kësaj dite, deklarohen se janë shqiptarë! Ka qenë interesant edhe seriali dokumentar për shqiptarët e Rumanisë dhe unë mendoj se veprimtarët e Rilindjes kombëtare në këtë vend, paraqesin shtyllën e Kombit! Pastaj, do ta veçoja serialin dokumentar prej dhjetë epizodash “Gjaku ynë në Anadoll” , Seriali “Me arbëreshët e Kalabrisë” , dokumentari “Njeriu i ardhmërisë”, kushtuar nobelistit Ferid Muratit, por ngjarje e veçantë ka qenë edhe dokumentari “Mallkim gjaku”, kushtuar shqiptarit të parë ortodoks, Branko Manailovit, me të cilin jam shoqëruar 10 vjet të plota në Kiçinicën e tij, derisa nuk më tha: “Vëlla, Alush, e vendosa ta bëjmë dokumentarin”! Do ta veçoja gjithashtu edhe serialin dokumentar “Ah,Australia”, dokumentarin e dytë për Nënë Terezën “Amaneti i Nënës Terezë”, etj. Realizimi i këtij të fundit për Nënë Terezën, ka qenë shumë interesant! Këtë film e kam realizuar në Vatikan, së bashku me Muharrem Idrizin. Rasti qëlloi që të udhëtojmë me të njëjtin aeroplan, së bashku me udhëheqësit më të lartë maqedonas, me ish kryetarin e shtetit B.Trajkovskin dhe kryepeshkopin e KOM-së. Ata udhëtonin me shumë optimizëm, sepse Papa do ta shpallte Nënë Terezën si bijë maqedonase, sepse ata kishin zhvilluar një propagandë shumë të fuqishme paraprake! Unë dhe kolegu im ishim shumë të brengosur për këtë! Në çdo moment pritej befasia! Por, kësaj radhe, edhe Zoti ishte në krahë të shqiptarëve! Duke pritur këtë sihariq përpara mijëra njerëzish nga mbarë bota, sakaq, do të dalin vullnetarët e Vatikanit, me kutia në dorë dhe do ta shpërndajnë gratis një libër! Unë, mezi pritja të më vij në dorë. E marr dhe e shfletoj. Është i botuar në pesë gjuhë të huaja, pra, edhe në shqip. Dhe libri fillon me fjalët e Nënës Terezë, me amanetin e saj: “Me gjak jam shqiptare, me përkatësi fetare, jam murgeshë katolike, me nënshtetësi, jam indiane, si njeri, i takoj tërë njerëzimit” !U përqafuam me kolegun tim dhe gëzimi nuk kishte kufij. Fjalët e Nënës Terezë, do t’i lexojë edhe Papa në Ceremoninë e lumturimit të Nënës Terezë, ndërkaq, mua më lindi ideja që dokumentarin ta titullojë “Amaneti i Nënës Terezë”!
KOHA: Ne shqiptarët e Maqedonisë kemi ecur nëpër labirinte, duke u përpjekur për lulëzimin e shkollave shqipe,për të folur gjuhën tonë amtare. Sa ka qenë prezent gjuha shqipe dje dhe sa jemi të lire ta flasim sot në territorin e Maqedonisë?
KAMBERI: Për ta shpaluar realitetin, unë do të ndalem në periudhën më të egër antishqiptare gjatë Komunizmit. Kjo ka qenë periudha prej vitit 1981- 1990. Në këtë kohë, shqiptarët, jo vetëm që kaluan nëpër labirinte, por kaluan nëpër “rrathët e Purgatorit” të Dantes! Shqiptarët në këtë kohë, ishin të mbështetur për muri! Njerëzit dënoheshin me burg për një fjalë goje! Vetëm nëse dikush thoshte se, ne kemi nevojë edhe për një paralele gjimnazi, largohej nga puna dhe përfundonte në burg! Ndodhnin gjëra që nuk i arsyeton logjika e shëndoshë e njeriut!U sollën vendime partiake që të gjitha shkollat dhe rrugët që mbanin emra me kuptim në gjuhën shqipe, të ndryshohen! Të ndërpritet mësimi shqip nëpër shkollat e mesme dhe të formohen të ashtuquajturat “paralele të përziera”, ku do të mësonin 30 nxënës shqiptarë dhe 3 maqedonas, në mënyrë që këta të fundit, të shërbejnë si pretekst që mësimi të zhvillohet maqedonisht! Digjen librat e shkrimtarëve shqiptarë! Konfiskohen shiritat e këngëve shqipe nëpër radio! Ndërpritet pagëzimi i fëmijëve me emra që kanë kuptimin shqip! Rrëzohen muret e oborreve të shtëpive! Ndiqeshin dhe u merreshin pasaportat njerëzve që punonin jashtë Maqedonisë etj, por ajo që është më e dhimbshme, u soll vendim partiak që të ndërrohen edhe toponimet: Shkupit t’i thuhet Skopje, Kërçovës – Kiçevo, Dibrës – Debar, Manastirit – Bitolla, etj! Ne gazetarët, ishim në hall të madh! Ishim tejmase të brengosur nga kjo situatë! Në këtë kohë, iu zu “fryma” gazetarisë shqiptare! Çdo fjalë e shkruar, shikohej me “llupë” nga regjimi nacist që “ushqehe” e mbështetej nga Beogradi! Unë në atë kohë isha redaktor i Lajmeve, ndërkaq, Menduh Ajdini kryeredaktor. Në mënyrë që t’i iknim përdorimit të toponimit sllav – Skopje, me Skender Raufin që ishte moderator i lajmeve, u morëm vesh që në vend Skopje, ta përdor fjalën kryeqyteti ose në kryeqytetin tonë… Por, kjo nuk ishte zgjidhje, sepse edhe këtë do ta nuhasin! Megjithatë, me këtë rast, do të doja ta theksoj qëndrimin dinjitoz të kryeredaktorit të atëhershëm, Menduh Ajdini, i cili, urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të TVM – së, do t’i përgjigjet: “Po, unë do t’i ndryshojë toponimet, por vetëm atëherë kur ju, me argumente shkencore, do të më bindni se keni të drejtë”! Brenda 24 orësh, Menduhin do ta suspendojnë, kurse mua do të më largojnë nga Redaksia shqipe, me pretekst se paskam bërë “mëkat”, që kam marrë pjesë në një dasmë “nacionaliste” në fshatin tim të lindjes, ku është kënduar kënga “Bubullimë te Shkambi Kavajës”! Pra, është përmendur qyteti shqiptar – Kavaja, e unë nuk paskam reaguar!?
Marrëzi! Çmenduri! Nacizëm!
KOHA: Vendlindjen e ndjejmë thellë, me të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe me përgjërimin për paraardhësit! E ndjeni si një cep Parajse, ku shkoni sa herë që keni nevojë, për të gjetur prehje shpirtërore! Nuk thuhet kot: vendlindja është e shenjtë?
KAMBERI: Po! Unë vendlindjen e konsideroj të shenjtë, sepse është diçka hyjnore që e lidh njeriun për vatrën e lindjes…Aty lind fëmija dhe ndjen erën e gjakut të vet, erën e fisit të vet! Edhe në maje të kepit sikur të jetë shtëpia ku lind njeriu, atë cep e konsideron të shenjtë, sepse, aty ngrihet në këmbë të veta, aty i belbëzon fjalët e para të nënës dhe aty rritet me kujtimet më të bukura! Kujtesa për fëmijërinë, për njeriun, është thesar në vete! Unë ruaj shumë kujtime nga fëmijëria! Familja Kamberi ka qenë familje e madhe në Strimnicë! Bënim një jetë shumë të lumtur! Ishim shumë solidarë, jo vetëm me familjen, por edhe me tërë fshatin! Babai im mbante një dyqan me artikuj ushqimor dhe nuk lente njeri të varfër që nuk e ndihmonte…Ai furnizonte dyqanin me artikuj nga Durrësi, por, në mënyrë ilegale sillte edhe Abetare dhe libra tjerë, për ta mësuar shqipen, sepse ishte e ndaluar! Dy herë i shpëtoi pushkatimit nga Xhandarmëria serbe, sepse, ia zbuluan librat që i kishte fshehur në thasë… Ai mbante edhe Ditar për ngjarjet e asaj kohe dhe për ngjarjet familjare…Unë jetoj me vendlindjen time dhe shkoj, sa herë që kam nevojë të prehem shpirtërisht dhe të shkruaj në një ambient piktoresk pranë brigjeve të Vardarit! Shpesh, më merr malli edhe për shtëpinë e vjetër, që tani më nuk është e imja! Dhe, kur shkoj nganjëherë, më mungon simboli i familjes, mani jashtëzakonisht i madh që mbulonte oborrin e shtëpisë me degët e veta! Fëmijërinë time e kalova në këtë man, duke tundur degët që manat e pjekur të përfundojnë në çarçafët e hapur që i mbanin gratë! Nga këto mana, nëna ime bënte pekmez që ua shpërndante edhe fisit, por bënte edhe ëmbëlsirën më të mirë “Tatli pekmezi” ! Më mungon edhe pjergulla që bënte rrushin më të mirë, trëndafilat, pusi, me ujë të ftohtë – akull!
KOHA:Pas një pune dhe veprimtarie të gjatë, ju jeni pensionuar. Cilat janë aktivitetet tuaja sot?
KAMBERI: Unë jam deklaruar se me punën time gazetareske, do të vazhdojë deri në frymën e fundit! Zotit i jam mirënjohës që më ka dhënë shëndet dhe mbi të gjitha,vullnet pune, prandaj, unë do të vazhdoj të punoj me tërë forcën time! Para disa ditësh, dorëzova për emëtim në TVM2 ciklin e serialit dokumentar për shqiptarët e Rumanisë (version i ri), ndërkaq, gjatë marsit, do të qëndroj në Zvicër,për ta realizuar ciklin tjetër dokumentar ,, Të jetosh me nostalgji”, të cilin do ta realizoj me shqiptarët e Zvicrës! Do t’ju them shkurt – unë u takoj atyre gazetarëve që nuk ngopen me punë! Jeta ime është puna, është ankthi që e bart çdo gazetar i mirëfilltë! Dua t’ju them edhe diçka. Kur e realizova dokumentarin për mikun tim të madh, Murat Isakun, “Zëri i Sharrit”, në fund të dokumentarit, do të thotë: “Njeriu lind dhe vdes me të pathënat më të mëdha” ! Po, unë, vallë, a i thash të gjitha!? Jo! Kanë mbetur shumëçka, pa ua thënë! Kanë mbetur edhe shumë sekrete që do t’i mbaj brenda vetes..,deri në përjetësi!