Qeveria ka zvogëluar kamatën e Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit prej 8 në 5 për qind, si dhe ka rritur afatin e kthimit të kredive prej 8 në 10 vjet. Gjithashtu është mundësuar afat shtesë prej kohës së marrjes së kredisë deri në momentin e fillimit të kthimit të tij
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 prill – Qeveria do të rrisë kreditimin e kompanive vendore në favor të investimeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin e tyre në tregjet e huaja.
Në seancën e fundit, Qeveria e Maqedonisë miratoi një sërë masash lehtësuese për kompanitë me kushte të favorshme për biznesin e vogël dhe të mesëm, duke zgjatur afatin e pagesës së kredisë si dhe duke mundësuar afat shtesë prej kohës së marrjes së kredisë deri në momentin e fillimit të kthimit të tij, shkruan gazeta KOHA.
Në këtë drejtim, Qeveria ka zvogëluar kamatën e Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit prej 8 në 5 për qind, si dhe ka rritur afatin e kthimit të kredive prej 8 në 10 vjet. Gjithashtu, është mundësuar afat shtesë prej kohës së marrjes së kredisë deri në momentin e fillimit të kthimit të tij.
“Me aneks-marrëveshjen të kontraktuar me BMPZh-në, do të zvogëlohet kamata për bankat pjesëmarrëse prej 3 për qind fiks në nivel vjetor në 2 për qind fiks në nivel vjetor, do të zvogëlohet edhe kamata për shfrytëzuesit final prej deri më 8 për qind në nivel vjetor deri më 5 për qind në nivel vjetor. Do të rritet edhe afati maksimal për pagesën e kredive nga 8 deri në 10 vjet dhe do të mundësohet lancimi i kredive të destinuara vetëm për mjetet qarkulluese me afat të pagesës deri më 3 vjet dhe me grejs periudhë të përfshirë deri më 6 muaj. Kjo do të sigurojë përkrahje më të madhe të zhvillimit nga ana e Bankës” , bëjnë të ditur nga Qeveria. Gjithashtu, Qeveria angazhoi Bankën e Maqedonisë për Përkrahje dhe Zhvillim të hartojë Strategji për rritjen e kapacitetit për financim të kompanive të Maqedonisë me çmime dhe shërbime më konkurruese, avancimin e kushteve për sigurimin e eksportit të prodhimeve të Maqedonisë. Ky dokument duhet të dorëzohet në afat prej 15 ditësh në Qeveri.
Në ndërkohë, për suksesin e madh të madh të kreditimit të BMPZH në favor të biznesit të mesëm dhe të vogël në periudhën e kaluar flet edhe shifra prej rreh 500 milionë euro që janë ndarë nga ana e kësaj banke vetëm në periudhën 2009-2014.
Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se bizneset janë mbështetur për të tejkaluar problemet me likuiditetin me nga 100 milionë euro në vit. Nga ana e kësaj banke, në periudhën 2009 -2014 janë plasuar 350 milionë mjete qarkulluese të freskëta në ndërmarrjet vendore, ku së bashku me mjetet revolving apo të kredive të kthyera, kjo shifër arrin në 500 milionë euro të miratuara për biznesin me kushte të volitshme në këtë periudhë pesëvjeçare. Ndryshe, BMPZH është formuar në vitin 1998, si bankë në pronësi të shtetit me funksion të përkrahjes së zhvillimit të ekonomisë vendase sipas shembullit KFV Bank nga Gjermania. Një nga arsyet për themelimin e saj ishte kriza ekonomike dhe përpjekjet për tejkalim të saj, që i ndërmarrin thuajse të gjitha vendet.
Banka është në funksion të përkrahjes së zhvillimit të ekonomisë vendore duke mbështetur kreditimin me kushte të favorshme për biznesin e vogël dhe të mesëm që punësojnë pjesën dërmuese të fuqisë punëtore në Maqedoni.
Interesi për kreditë e lira të Bankës Evropiane Investuese që plasohen në treg përmes Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit është në rritje e sipër në vitet e kaluara. Me shumat e kredive që lëvizin prej 5000 euro deri 3.5 milionë euro janë hapur me mijëra vende të reja të punës. Gjithashtu, shkallët e volitshme të kamatave të kësaj banke në mënyrë indirekte kanë zvogëluar edhe kamatat tek bankat e tjera afariste.
Ndryshe , në të ardhmen sfidë mbetet rritja e kapitalit vetanak të Bankës që nuk arrin as 40 milionë euro, për shkak se ajo kryesisht përdor mjete të bankave të huaja që i riorienton në biznesin vendor nëpërmjet bankave vendore komerciale.
Sa për ilustrim Banka kroate e zhvillimit të biznesit apo HBOR ka kapitalin e saj në vlerë prej 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në vitin 2015 ajo ka plasuar mjete në vlerë prej mbi një miliardë euro në biznesin kroat. Bile HBOR ka financuar mjaft edhe sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë që në Evropën juglindore si zakonisht ka problem me financimin e bankave .
Vetëm në periudhën 2011 deri 2015, për veprimtarinë bujqësore, janë miratuar mjete me kamata të volitshme të vlefshme 2.9 miliardë kuna apo afër 400 milionë euro. Nga ana tjetër, banka sllovene me orientim të ngjashëm për mbështetjen e biznesit në vitin 2015, ka plasuar 600 milionë euro, ndërsa ajo bullgare ka plasuar mjete në vlerë prej afër 200 milionë euro tek kompanitë e vogla dhe të mesme të shtetit fqinj. (koha.mk)