Pas garës së fundit të Botërorit 2018 në Formula 1, zhvilluar në Abu Dhabi, gjatë festimeve të titujve kampionë për pilotë dhe konstruktorë, shefit të makinës Mercedes, Toto Wolff, i është dashur të lëvizë për disa ditë me paterica. Wolff rrëfen se nga festimet e shumta të bëra me stafin e makinës gjermane pas garës, ka këputur ligamentet e gjurit. Një dëmtim që nuk i kishte ndodhur kurrë më parë edhe pse në vitin 2014 u rrëzua nga biçikleta dhe pësoi frakturë në shpatull e bërryl.
“Festova më shumë nga sa duhej dhe u dëmtova në gju. Ligamenti kryq u këput dhe u detyrova të lëviz me paterica për disa ditë. Njerëzit më thanë që “të funksion vetëm truri për të fituar garat, pasi trupin e kam një rrangallë”. Talleshin me mua”, thotë duke qeshur shefi i Mercedes, që tani është më mirë. Makina gjermane fitoi për të pestin vit me radhë titullin kampion për konstruktorë në Formula 1, por edhe Hamilton fitoi titullin e pestë për pilotë.