Numër një në rrjetin e marketeve në tërë vendin për të ardhura është KAM, i cili në vitin 2020 ka pasur qarkullim prej afër 170 milionë euro, që paraqet një rritje prej 40 milionë euro në raport me 130 milionë euro xhiro të realizuara në vitin 2017. Njëherësh, KAM ka realizuar fitim prej afër 4.8 milionë euro pas anulimit të harxhimeve dhe kostos tjetër të punës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 qershor – Kriza e pandemisë, mbyllja në shtëpi, ora policore, si dhe frika nga mungesa e artikujve ushqimor ka rritur dukshëm edhe qarkullimin e supermarketeve në vend vitin e kaluar. Të dhënat e rrjetit të biznesit tregojnë se qytetarët kanë harxhuar në vitin e kaluar afër 40 miliardë denarë apo 650 milionë euro vetëm në nëntë rrjetet e dyqaneve më të mëdha në vend.
Kampion i xhiros është zinxhiri i marketeve KAM, ndërsa kampion i fitimit është VERO, shkruan gazeta KOHA. Numër një në rrjetin e marketeve në tërë vendin për të ardhura është KAM, i cili në vitin 2020 ka pasur qarkullim prej afër 170 milionë euro, që paraqet një rritje prej 40 milionë euro në raport me 130 milionë euro xhiro të realizuara në vitin 2017. Njëherësh, KAM ka realizuar fitim prej afër 4.8 milionë euro pas anulimit të harxhimeve dhe kostos tjetër të punës.
Në vendin e dytë me qarkullim është zinxhiri i marketeve TINEKS me qarkullim prej afër 97 milionë euro apo 5 milionë euro më shumë se në vitin paraprak dhe fitim prej 3.6 milionë euro. Në vendin e tretë renditet VERO me qarkullim prej 88 milionë euro apo 5 milionë euro më shumë se një vit më parë dhe fitim prej 10.5 milionë euro. STOKOMAK ka pasur qarkullim prej 78 milionë euro në vitin 2020, apo 17 milionë euro më shumë se në vitin 2019, ndërsa ka pasur fitim prej 3 milionë euro. Në vendin e pestë me 72 milionë euro xhiro në vitin 2020, renditet rrjeti i marketeve KIPER. Kjo e fundit ka shënuar rritjen më të madhe të punës për një vit më parë. Apo në raport me vitin paraprak ka rritur punën për 24 milionë euro më shumë. KIPER ka shënuar të ardhura prej 3.4 milionë euro. KIT-GO ka shënuar qarkullim prej 65 milionë euro dhe fitim prej afër 3 milionë euro, raporton KOHA.
Rrjeti i marketeve RAMSTOR shënon ulje të punës prej 61 milionë euro në vitin 2019 në 53 milionë euro në vitin 2020. Si rrjedhojë e uljes së xhiros është ulur edhe fitimi i RAMSTOR prej afër 2 milionë euro në vitin 2019 në afër 300 mijë euro në vitin 2020. GRAND PROM ZUR ka pasur qarkullim prej qarkullim prej afër 21 milionë euro dhe fitim prej afër 600 mijë euro, dhe rrjeti i marketeve REPTIL ka pasur në vitin 2020 xhiro prej 16 milionë euro dhe fitim prej 87 mijë euro. Ndryshe, deri në fund të vitit pritet të rritet konkurrenca në tregun e marketeve në Maqedoninë e Veriut me hyrjen e LIDL. Ai pritet të hapë së paku tetë supermarkete në tërë vendin, ku prioritet do të jetë hapja e supermarketit në Shkup. (koha.mk)