Kristiano Ronaldo mohoi se ai është duke kërkuar një kontratë të përmirësuar me Real Madridin, pasi ka parë skuadrën e tij të mposhtet nga Totenhemi në përplasjen e Ligës së Kampionëve, të mërkurën. Me Nejmarin duke nënshkruar një kontratë fitimprurëse te PSZH-ja, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në botë, dhe Lionel Messin, që kohët e fundit është duke zgjeruar marrëveshjen e tij te Barcelona, raportet kishin sugjeruar se Ronaldo do të kërkonte të fitonte barazi me dy superstarët.
Sulmuesi portugez, i cili shënoi golin e vetëm të Real Madridit në “Wembley”, në humbjen 3-1 të të tijve, ka hedhur poshtë pretendimet se ka qenë duke i bërë presion bordit të Merengues për një ngritje të pagës.
“Unë jam duke kaluar shumë mirë te Real Madridi. Kam katër vjet të mbetura në kontratën time dhe nuk dua të rinovoj. Jam mirë”, – tha ai për “BEIN Sport” pas ndeshjes. Real Madridi ishte një hije e zbehtë në përballjen me “Spurs”. Kampionët e Çampionsit në dy sezonet e fundit kanë nevojë për një shkundje, ndaj Ronaldo i bëri thirrje ekipit të tij të kthehej te fitoret.
“Kjo situatë është e keqe, për shkak se po humbasim, ndërsa ne jemi mësuar të fitojmë. Është një gjë e keqe vërtet. Nuk janë si do t’i donim gjërat, por këto ndodhin në futboll. Është një zhvillim i keq, por ne duam të ndryshojmë dhe jam i sigurt se do të ndryshojmë. Kemi shumë kohë për të marrë më të mirën dhe jam i bindur se mund ta bëjmë këtë.” Me gjashtë gola, Ronaldo është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve deri tani.