Shkup, 3 gusht – KF Shkëndija javën që shkoi ka komunikuar arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e majtë nga Kroacia, Antonio Paviç. 25 vjeçari ka kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratë një vjeçare me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër nëse palët ngelin të kënaqura. Pavic në Tetovë vjen nga skuadra e Zhelezniçarit të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa duke parë statistikat pritet të jetë vlerë e shtuar për krahun e majtë të repartit defensivë edhe pse paralel shquhet për karakteristika shumë pozitive në fazën sulmuese.
“Kam ardhur këtu sepse e di se ambiciet e klubit gjithmonë janë vetë kreu dhe titulli kampion. Kam ardhur sepse është klub i madh dhe lufton për Evropë dhe kjo më ka tërhequr. Vlerësoj se është klub i mirë për secilin lojtar edhe si urrë lidhëse për të bërë ndonjë shkallë më shumë në karrierë”, ishin fjalët e para të Antonio Paviç për faqen e klubit, përcjellë gazeta Koha. “Kam dëgjuar për Shkëndijën, madje edhe me ish-klubin tim Zheljezniçarin kemi luajtur në përgatitjet në Antalia. Unë di shumë gjëra për klubin, kam pyetur pak dhe prandaj jam këtu, që donë të thotë se kam dëgjuar vetëm fjalë të mira”, deklaroi Paviç.
Mbrojtësi i majtë ka luajtur edhe me Koperin në Slloveni, si dhe Istra 1961 dhe Osijekun në Kroaci. Ai bëhet përforcimi i katërt i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht me kuqezinjtë firmosën me Egzon Bejtullain, Ljupço Doriev dhe Bruno Ditan.
Ndërkohë, ky i fundit debutoni për Shkëndijën në fitoren prej 2-0 ndaj Bregallnicës në kuadër të ndeshjes miqësore. Golat për formacionin e Ernest Gjokës u shënuan në pjesën e dytë nga Besart Ibraimi dhe Leart Sadriu. Kjo është fitorja e tretë e Shkëndijës në katër ndeshje të zhvilluara në total, me skuadrën e Ernest Gjokës që ka regjistruar edhe një barazim atë ndaj Makedonija GP. Për shkak të pandemisë COVID-19, Shkëndija këtë sezon po e zhvillon fazën përgatitore në Maqedoninë e Veriut.