Mit’hati sikur kishte një parandjenjë se Enver Hoxha diktator, pasi do të dëbonte gjermanin e fundit, do ta çlironte Shqipërinë, e më pas do të vinte prapanicën në kërthizë të pushtetit, sikur tha se, paçka se dëboi pushtuesin që më vonë ndërtoi me qindra bunkerë me frëngji, paçka se krijoi Partinë e Punës të Shqipërisë, e në anën tjetër ndërtoi Spaçin e Burrelin, paçka se çliroi Shqipërinë, kur për dyzet mote internoi burra, gra e fëmijë, burgosi dhe likuidoi shqiptarët mendjendritur…,
Nga Fadil LUSHI
Miku im i nderuar! Unë besoj se do më ndjesh, nëse në fillim të këtij vështrimi për gazetë, do t’i referohem një perceptimi të vëllait tim, i cili më tha, pos të tjerash: “Punët tona si duket i përngjajnë asaj kafshës njëthundrake me emrin gomar, i cili samarin e ndryshon kur t’i teket e si t’i teket, por ama pëllitjen prej gomari nuk e harron dot kollaj!”. Se ç’siklet kishte nuk më tregoi. Një gjë më tha: “Ti vëllaçko, ti qerratai i vockël dhe i llastuari i nënëlokes sonë, nëse prapë do të vazhdosh të dërdëllisësh për dertet e tua dhe për katrahurën tonë kolektive duhet të bësh kujdes, nëse prapë do të llafosësh keq e prapa krahëve për dikë a për diçka, ki kujdes, nëse do të mëtosh të shikosh nëpërmjet vrimës së gjilpërës se si duket by**a e pleshtit…, nëse me a pa të drejtë do të kërkosh që me këmbëngulje të ndryshosh mendësinë tonë të vjetër, atë mendësinë mikroborgjeze, sidomos atë logjikën e njerëzve provincialistë që sabah e aksham e kanë kapur për koq*sh dhe për fyti të ardhmen a perspektivën e qymezit tonë (kinse të përbashkët) politik, ekonomik, social, diplomatik si dhe trashëgiminë tonë shpirtërore e kulturore…, nëse do të bësh përpjekje të gjesh gjilpërën në kashtë e të tjera, atëherë bëj dhe ki kujdes për sharjet, kritikat, lavdet, thashethemet dhe krahasimet vend e pa vend, nëse do të vazhdosh të veprosh kështu dhe nëse nuk do m’i përfillësh nasihatet e mia, dije se në një të ardhme të afërt, diku rrugëve dhe koteceve të kasabasë sonë që është shndërruar në një katund të madh, do të thyesh qafën!”.
I premtova se “nuk do t’i anashkaloj nasihatet” e vëllait të madh. I thashë: Këtë shkarravinë, do ta ndërtoj me mendje të paqtë dhe jo me atë fiqirin tim prej “çaprazi!”, thjeshtë “do të marr kalemin” për të shartuar a bashkuar në mënyrë (jo) të natyrshme ca pikëpamje a ide të miat për vakitë a meseletë e muajit nëntor, për ato ditë të shenjta, humane dhe emancipuese të muajit të njëmbëdhjetë të këtij moti, i cili disa ditë më parë iku nga ne me kokën ulur, iku fshehurazi, iku bashkë me sytë, me fytyrën dhe me zërin e tij të tmerruar…, iku nga turpi ynë ashtu thjeshtë pa e parë, pa e dëgjuar a pa e ditur asnjë dëshmitar i vetëm e i heshtur, iku tinëzisht nga egot dhe lakmitë tona të marrëzishme!? Nëse nëntori i shqiptarëve inatçinj iku, unë nuk do të iki…, unë dhe të tjerët që mendojnë si unë, nuk do të largohemi prej këtu derisa sa ta përfundoj këtë vështrim dedikuar miqve të mi, tim vëllai dhe ca kalorësve të përgjumur e të vonuar!
Në këtë shkrim ne nuk do të bëjmë paralelizëm me meselenë e njëthundrakes me personazhet e sajuara e ca të tjera të vërteta, që do të shfaqen në vijim. Ne nuk do të bëjmë krahasimin me politikanët majtistë a djathtistë, me historianët e dorës së parë a të dytë që vepruan në vaktin e Ahmet Zogollit dhe të Enver Hoxhës, as me akademikë e as me ish-komunistë, as me demokratët e moderuar, as me analfabetët e as me teneqexhinjtë e me daulltarët, as me kryeparin e shtetit, as me kryeministrin, as me personazhet pozitive a negative, as me kryepatriotët e kryetradhtarët, si dhe me ca të tjerë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë hiqen njësoj si Makiaveli, njësoj si ai “zbuluesi i marifeteve e qëllimeve djallëzore të politikanëve të paskrupullt”, të cilët, për të mbajtur tarafin e pushtetit, do të ndërrojnë din e iman dhe bajrak. Ne nuk do të bëjmë paralelizmin (qoftë të figurshëm) me atë “… athinasin që kishte kapur anijen persiane me dorën e djathtë e se kishte lëshuar gjersa ia kishin prerë, pastaj e kishte zënë me dorën e mëngjër, ia prenë edhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa ia prenë kokën!”…, ne nuk do të bëjmë krahasimin e njëthundrakes me individualitete të tjera vetëm e vetëm që “të mos keqkuptohemi dhe paragjykohemi”. Ne do të përmendim disa kalorës të vonuar, disa lapangjozë të përgjumur dhe fosile prej komunisti me brekë nëpër këmbë, gjithandej trevave të Shqipërisë Londineze, të cilët në ditët e festave të nëntorit filluan të dërdëllisin lloj-lloj gjepurash, filluan të flasin përçart a në tym për të birin e Abdyl Frashërit gjegjësisht për Lumo Skëndon. Lëre që llafet i kishin si ai druri dhe sallami i tymosur, por edhe mëtuan që veprimtarisë së tij, sa humane, emancipuese dhe patriotike, t’ia ngjitin bishtin e mustaqeve prej kolaboracionisti, bishtin e kryetradhtarit të shqiptarëve! E bënë me faj pse mbajti anën e gjermanit…, e bënë me faj pse ishte në krye të Ballit dhe ballistëve, e ngarkuan me faj pse nuk u vu në një radhë me diktatorin, e zunë në faj pse “u kthye” në vatanin e tij për të kërkuar një copë vend, për të hapur një varr për eshtrat e një njeriu të syrgjynosur…, këto fosile prej komunisti sikur harruan kontributin e tij sidomos ata që dikur i shkonin pas buallicave të zeza…, këta me bojë të kuqe, sikur harruan se kur Mit’hati a Lumo Skëndoja “që në adoleshencë dinte gjuhë të huaja sa ata të kuqët kishin cjapet dhe delet në kasollet e tyre”… Mit’hati sikur kishte një parandjenjë se Enver Hoxha diktator, pasi do të dëbonte gjermanin e fundit, do ta çlironte Shqipërinë, e më pas do të vinte prapanicën në kërthizë të pushtetit, sikur tha se, paçka se dëboi pushtuesin që më vonë ndërtoi me qindra bunkerë me frëngji, paçka se krijoi Partinë e Punës të Shqipërisë, e në anën tjetër ndërtoi Spaçin e Burrelin, paçka se çliroi Shqipërinë, kur për dyzet mote internoi burra, gra e fëmijë, burgosi dhe likuidoi shqiptarët mendjendritur…, paçka se çliroi Shqipërinë kur në anën tjetër vrau në paqe më shumë partizanë se Hitleri, paçka se çliroi Shqipërinë, kur në anën tjetër shembi përdhe xhamitë, kishat dhe teqetë, paçka se dëboi gjermanin kur në paqe likuidoi klerin mysliman dhe atë të krishterë…, paçka se çliroi Shqipërinë kur në anën tjetër vendin e çoi në një varfërim të skajshëm, paçka se diktatori çliroi Shqipërinë, kur në anën tjetër ua hoqi kokat aristokratëve të mendimit shqip paçka se Shqipërinë e bëri të lirshme, kur në anën tjetër byth*lëpirësve dhe servilëve të tij u mundësoi “të marrin pushtetin e mandej ta grabisin dovletin”…, paçka se diktatori çliroi Shqipërinë, kur sot pasardhësit e tij komunistë vazhdojnë të abuzojnë me historinë e rilindësve, përfshirë aty edhe figurën e Skënderbeut dhe të tjerëve që asnjëherë nuk ua përmendi emrat!
A mos vallë pasardhësit e diktatorit nuk e lanë mënjanë Kongresin e Manastirit, a mos vallë edhe pas 110 motesh Kongresi i Alfabetit ngeli nën hijen e harresës së të kuqve për inat të Mit’hatit, vetëm e vetëm pse ai ishte kryepar i mexhlisit të burrave që shpallën pavarësinë e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, a mos vallë sot e kësaj dite të kuqtë e Shqipërisë e lakojnë atë thënien idioteske të prozatorit NN nga Tirana, i cili i rrinte në prehër diktatorit, po që dikur kishte thënë me plot gojën: “… po të ishin gjallë xhaxhallarët e Mit’hat Frashërit, do t’i kishin zbrazur një koqe plumbi në kokë Lumo Skendos”, a mos vallë në Shqipërinë e çliruar nga diktatori nuk doli një njeri të thotë se festat e nëntorit i shndërruam në “lesh arapi”…, si nuk doli një historian ta sqarojë e ta ndriçojë me përpikëri kontributin e njerëzve mendjendritur që kanë dhënë në ndërtimin e festave të nëntorit tonë të shenjtë a edhe të nëpërkëmbur nga diktatori dhe nga partitë politike, në veçanti nga kryeparët e tyre, si nuk doli një njeri i mençur të thotë se ç’kërkoi kryepari i shqiptarëve në Manastir, kur ai nuk dinte se ç’kishte ndodhur atje, e të tjera broçkulla si këto! Sa herë që vijnë festat e nëntorit, aq herë politikanët bëjnë “turli tavë prej tyre”. (koha.mk)