Shkup, 25 janar – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar lartë punën e kryetarin e Bashkësisë islame të Maqedonisë, Reisul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare”.
“Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”, thuhet në arsyetimin e presidentit Meta drejtuar Rexhepit. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve të Shqipërisë, Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj. Në fjalën e tij, presidenti Meta theksoi se Reisul Ulema Sulejman Rexhepi, duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.
“Sulejmani, me guxim, pjekuri, e vendosmëri e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor shqiptar duke u bërë jo vetëm një frymëzues shpirtëror i besimit por edhe një patriot shqiptar i vërtetë. Në vitin 1991, Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës. Organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova”, tha Meta, duke shtuar se veçon qëndrimin e palëkundur dhe të paepur në përballimin me sukses të sfidave që vijnë nga radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi.
“Gjatë aktivitetit të tij, veçoj qëndrimin e palëkundur dhe të paepur në përballimin me sukses të sfidave që vijnë nga radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi duke u bërë, në vitin 2012 ideator i Projektit ‘Stop RedTer’, një projekt bashkëkohor për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit në Maqedoni, duke shmangur ndikimet çoroditëse, interpretimet ekstremiste, gjuhën konfliktuale, fenomene me pasoja ekzistenciale për të gjithë besimtarët e islamit e veçanërisht për atë mbarëshqiptar”, theksoi presidenti Meta.
Në ndërkohë, duke falënderuar presidentin Meta për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. “Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë”, tha Rexhepi.