Shkup, 7 maj – Është parashtruar aktakuzë kundër 12 personave për punë të pandërgjegjshme në detyrë në rastin e trajtimit të Tamara Dimovskës, kumtoi sot Prokuroria Publike Themelore e Shkupit. Në lëndën, sipas kumtesës, akuzohen pesë anëtarët e Komisionit të shkallës së parë dhe të dytë, të cilët e kanë sjellë ose konfirmuar vendimin negativ për trajtimin e Tamarës jashtë vendit, si dhe dy drejtorët e atëhershëm të Fondit të Sigurimit Shëndetësor si dhe kryetari i Këshillit drejtues të FSSHM.
“Prokuroria Themelore Publike Shkup parashtroi në Gjykatën Themelore Shkup 1 Shkup aktakuzë kundër 12 personave për kryerjen e veprës penale – Punë e pandërgjegjshme në detyrë nga neni 353-v paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Prokuroria veproi në lëndën të formuar pas zërave të ngritur , ndaj të cilit më vonë u bashkëngjit edhe kallëzim penal nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Maqedonisë dhe përfaqësuesi ligjor i fëmijës së dëmtuar, tashmë të vdekur Tamara Dimovska nga Velesi”, njoftoi PPTH.
Gjatë hetimit, thuhet, prokurori publik kompetent e kërkoi dhe siguroi të gjithë dokumentacionin lidhur me trajtimin e fëmijës edhe atë prej më shumë institucioneve – Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë, Ministria e Shëndetësisë, Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, ISHP TOARTIQE , ISHP “Filipi i Dytë” – Shkup dhe Spitali i Përgjithshëm në Veles. Në të njëjtën kohë, shtohet, nga Prokuroria Themelore Veles, e cila e urdhëroi autopsinë e vajzës së vdekur është marrë dhe protokolli me të cilin nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore konfirmohet shkaku konkret i vdekjes së Tamara Dimovskës.
Duke vepruar në të njëjtën lëndë, theksohet, prokurori publik kompetent solli vendim për të hedhur poshtë kallëzimin penal për dy persona për vepër penale Punë e pandërgjegjshme në detyrë nga neni 353-v paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, si dhe një person i cili u akuzua për vepër penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit nga neni 353, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Për këta tre persona u konfirmua se nuk kanë pasur autoritet të vendosin dhe nuk kanë marrë pjesë në vendosjen për trajtimin e fëmijës së vdekur” , theksojnë nga PPTH Shkup.